Mendësia që vjen nga moda dhe moda si ideologji

    AGIM BAÇI

    “Nga stacioni i autobusit deri në banesën time erdha pothuaj me vrap. Hapa shpejt derën dhe u sula te këndi ku po flinte makina. E ndeza. Nga faqja në faqe arrita në terrenin e preferuar: ebay. Kisha planifikuar të kaloja atje rreth një orë. Kisha vënë në shënjestër një çantë. Nuk kisha menduar se do ta blija çantën. Luajta pa ndonjë shpresë të madhe. Sulmin final e bëra në 30 sekondat e fundit, pastaj më erdhi mesazhi: ju keni ofruar çmimin më të lartë, përgëzime, çanta është e juaja. E fitova, çantën Furla e bleva për 30 euro. Pasi shënova adresën bankare të shitësit, më kapi një frikë e madhe. 30 euro nuk ishin shumë, por as dhe pak. Nga fotografia nuk krijova ndonjë ide të plotë për madhësinë e për cilësinë e çantës. Lea më kishte thënë që Furla ishte një firmë famoze çantash. Për mua ishte hera e parë që kisha të bëja me këtë firmë. Po të ishte çanta e vogël s’do më hynte në punë për asgjë, se unë kisha katër çanta të vogla, dy të cilat m’i kishte dhuruar Lea. Për të harruar frikën vazhdova hyrje-daljet në ekspozetë e ebay-t. Pashë shumë gjëra: pallto, funde, çorape, laptopë. Lista me mallra të preferuara që prisnin për një vëzhgim të mëtejshëm zgjatej e zgjatej. Kur ngrita kokën dhe pashë orën e varur në mur, lëshova një ulërimë: o Zot, o Zot, ora paska vajtur 12!”. Ky fragment është shkëputur nga romani provokues “Në kërkim të fustanit total”, shkruar nga një vëzhguese e hollë e realitetit të përditshëm, si profesoresha e gjuhësisë, Emine Teichmann. Është një rrëfim ku shpjegohet fuqia e sotme e blerjemanisë, një aktivitet që ka krijuar një botë më vete, një botë që prek jo vetëm ekonominë dhe politikën, por të gjitha ndryshimet e sotme kulturore.

    A mund t’i shmangemi dot një bote të tillë? A është mendësia jonë e varur nga blerjemania, nga vozitja e gjithanshme në fuqinë e informacionit, sugjerimit, propagandës? A i përzgjedhim ne blerjet apo jemi të imponuar nga një bindje jashtë nesh? Janë racionale apo janë irracionale veprimet tona te blerjemania? “Politika efikase nuk është krijimi i një situate në të cilën kontradikta zëvendësohet nga barazia dhe ekuilibri, por krijimi i një situate ku kontradikta zëvendësohet nga diferenca. Zgjidhja ndaj kontradiktës shoqërore nuk është barazimi, por është diferencimi. Nuk ka një revolucion të mundshëm në nivelin e një kodi – ose, ata ndodhin çdo ditë, dhe këta janë ‘revolucione të modës’; ata janë të padëmshëm dhe kundërluftojnë të tjerët”, shkruan filozofi dhe sociologu francez Jean Baudrillard në librin e tij “Shoqëria e konsumit”. Kështu, nën diktatin e konsumit ngrihet komercializimi i modës i cili çon në mënyrë të pashmangshme në faktin se industrialistët, duke ndjekur diktatet e ligjeve të biznesit, kërkojnë të “peshkojnë” sa më shumë para nga konsumatori. Materializmi në “shoqërinë e konsumatorit” është bërë psikologjia e laikëve, duke i detyruar ata të blejnë gjëra të reja, shpeshherë jo sepse i pëlqen ose i përshtatet, por vetëm për të dalë në këtë mënyrë, për të mbështetur reputacionin e tyre në sytë e të tjerëve, që të tjerët ta shohin atë si një person të begatë dhe që mban hapin e kohës.

    MODA DHE AUTORITETI

    Sipas Baudrillard-it, ashtu sikurse dhuna, joshja dhe narcizmi zëvendësohen që më parë me modele industrialisht të prodhuara nga masmedia dhe me marka të diktueshme. Më pas, secili e gjen personalitetin e vet në kryerjen e këtyre modeleve. Ndjekjes së këtij modeli nuk i shpëton as elita, apo të paktën, ajo që paguhet si e tillë. “Pushteti i mirëfilltë nuk buron nga pavarësia e elitave prej shoqërisë, por më shumë nga varësia e tyre prej saj”, shkruan politologu Ivan Krastev në librin e tij “I besojmë mosbesimit”. Për Krastev-in, problemi qëndron jo te fakti se qytetarët kanë humbur besimin te institucionet demokratike, jo se ato janë më pak efiçente se dikur apo më shumë të korruptuara se dikur, por sepse qytetarët tashmë kanë humbur ndikimin për të ndikuar në këto institucione. Pra, nëse votuesi ka në një dorë fletën e votimit, pyetja është se çfarë ka në dorën tjetër? Nëse ka një celular, nëse është duke ndjekur vetëm atë që i sugjerohet, atëherë ky imitim do jetë rezultat edhe në atë fletë votimi. Ndërkaq, një tjetër mendimtar i konservatorizmit në shekullin XX, Robert Nisbet, në librin e tij “Konservatorizmi – ëndrra dhe realiteti”, shprehet se një nga çështjet më të rëndësishme mes modës dhe politikës është ajo që luhet përmes krijimit të qendrave të reja të autoritetit. Sipas Nisbet, meqenëse moda, që në fillesat e saj, ka qenë një nga mënyrat që e rrit autoritetin, ajo është kthyer në zgjatim të shtetit modern, duke ndryshuar ekuilibra politikë, por mbi të gjitha kulturorë. “Domethënia e vërtetë e shtetit modern është e pandashme nga ndërhyrjet e tij të njëpasnjëshme në aleancat ekonomike, fetare, farefisnore dhe lokale të njeriut, si dhe nga zhvendosjet revolucionare të qendrave të funksionimit të autoritetit”, shkruan Nisbet-i, duke lidhur kështu atë çfarë ndodh realisht mes modës dhe politikës.

    POLITIKA, MODA DHE “DINAMIKA SOCIALE E NEVOJAVE”

    “Aty ku ka akumulim, ka gjithmonë një burim pushteti”, shprehet antropologu amerikan Marshall Sahlins, teksa shpjegon se gjahtarmbledhësit e botës së konsumit janë njohës të ankthit radikal dhe katastrofik që krijon ekonomia e tregut, një ankth që krijon pabarazi. Sipas Sahlins, ky ankth dhe kjo pabarazi kalon më pas në duart e politikës, ndërkohë që dija dhe kultura mbeten të pafuqishme përballë ankthit të pabarazisë që prodhon konsumi. Politika futet mes prodhimit të të mirave dhe ritmit të nevojave që vijnë zakonisht nga diferencimi social.

    Në hulumtimin e kryer nga Selection du Reader’s Diges mbi strukturat dhe perspektivat e konsumit europian, skema i përket një minoriteti, që shfaqet si elitë konsumuese, që shërben më pas si model për një pjesë të madhe të popullsisë që nuk e disponon akoma këtë koleksion luksi, përmes së cilës imituesit mendojnë se do të fitojnë statusin “evropian i vërtetë”. Këtu politika hyn në rolin psikosocial të përshtatjes, duke e kthyer në ideologji nevojën për të merituar titullin e “evropianit të vërtetë” apo të “amerikanit modern”. Nevoja për të shitur produktet më pas krijon edhe ideologjinë e fortë të blerjemanisë. Këtu më pas futet strategjia e sondazheve, pyetësorëve, reklamave. Pra, nuk është më konsumatori që kontrollon tregun, por tregu që i sugjeron konsumatorit nevojën e fortë për të patur atë që i sugjerohet, duke e bashkëshoqëruar me statusin social. Pra, liria e konsumatorit për të marrë atë që do, më shumë sesa reale, mbetet mistike, pasi ai futet në vorbullën e ankthit për të shmangur diferencimin, një diferencim që nuk do të shmanget kurrë për aq kohë sa modelet ndryshojnë. “Nevojat në fakt janë në realitet një fryt i prodhimit”, shkruan ekonomisti amerikano-kanadez, John Galbraith, i cili në studimet e tij, ka vënë theksin se prodhuesit e mëdhenj prodhojnë të mira materiale duke menduar njëkohësisht edhe gjithë mjetet e sugjerimit. Moda dhe politika, sipas tij, janë kthyer sot në armën më të rëndësishme të prodhuesve, pasi përmes tyre, ata imponojnë elitën që duhet ndjekur. Kjo edhe për faktin se, sipas Galbraith, konsumi shoqërohet me eufori, duke krijuar një mentalitet dhe ideologji të përditshme. Pikërisht këtu hyn politika, e cila e mban gjallë këtë eufori përmes krijimit të kushteve për sa më shumë kredi, që dëshira të mbetet parësore, që instinkti të dominojë aktivitetin e përditshëm.

    ÇFARË PËRFAQËSON KONSUMATORI NË BOTËN MODERNE?

    Sipas ekspertëve të ekonomisë, zotërimi i objekteve të konsumit është një zotërim individualizues, pra është desolidarizues. Galbraith thekson në studimin e tij se, si konsumator njeriu shndërrohet në “i vetmuar”. Pra, kemi ose izolim, ose diferencim. Kjo çon në mungesë organizimi dhe i përngjan atij lëvdimi që politika i bën “aftësisë dhe gjykimit të popullit” në demokraci, një lëvdim që më së shumti lidhet me mungesën e organizmit ndaj skenës që krijon politika. Politika dhe moda kështu veprojnë në bazë të diferencimit, duke shmangur kuptime personale. Psikologët thonë se diferencat e personalizuara nuk i kundërvënë individët kundër njëri-tjetrit.

    Ndërkaq, moda përmes politikës ka ndërhyrë në disa prej fushave të drejtpërdrejta të politikëbërjes. P.sh. disa stilistë po mendojnë të krijojnë veshje krejtësisht në favor të ruajtjes së mjedisit, duke u përfshirë në agjendën e atyre që njihen si “partitë e gjelbërta”, apo mbrojtësit e ambientit. Por produkte të tilla nuk janë për xhepin e gjithkujt, pasi kushtojnë, kështu që dashur, pa dashur të tilla veshje në emër të ruajtjes së ambientit kthehen edhe në veshjet që dallojnë klasat e ndryshme në shoqëritë e sotme. Prej kohësh në treg ka marka të njohura veshjesh që i janë përgjigjur pozitivisht shqetësimeve ambientaliste dhe kanë hedhur për konsumatorin linja veshjesh të qëndrueshme. H&M, për shembull, krijoi koleksionin “Conscious” (Vetëdije), ku 50% e produkteve përbëhen nga material eco-friendly. Por fjalë të paqarta dhe të papërcaktuara si: “vetëdije”, “etike” dhe “e qëndrueshme”, të cilat bartin sens të fortë politik, kanë sjellë akuza të reja për veshjet e gjelbërta. Ekspertë të ndryshëm tregu e shohin këtë si një strategji të rreme marketingu që reklamon përgjegjshmërinë ndaj mjedisit, por në fakt vijon praktikën e dëmtimit të mjedisit. Ndaj dhe ky stil i modës i ndërthurur me narrativen politike të mbrojtësve të ambientit, krijon edhe një treg të ri, një treg që ka rezultuar edhe i kushtueshëm, por edhe larg realitetit si mbrojtës i natyrës.

    MODELI MASHKULLOR, MODELI FEMËROR DHE POLITIKA

    Çfarë ndodh në një përballje ku qeveritë kërkojnë një shoqëri “lakuriq”, pra ku qeveria lexon çdo mendim të qytetarëve, si në librat distopikë të Oruellit, dhe shoqëria nga ana tjetër kërkon një qeveri “lakuriq”, ku gjithkush mund të njihet dhe gjykojë vendimet dhe aftësinë qeverisëse?

    Sociologu francez Jean Baudrillard, shprehet se debati lidhur me gjinitë është i lidhur me konsumin dhe madje këto dallime e rregullojnë këtë sektor, duke përdorur gjerësisht modën, sugjerimin e sjelljes. Pra, vetë moda e sjell mashkullin si përzgjedhës, ndërsa femra në rolin e ftesës për t’u përzgjedhur. Madje, ky model ka marrë më shumë fuqi në një shoqëri moderne, ku reklamimi i një mashkulli të zhveshur dhe në femre të zhveshur rrezikojnë njeriun pa gjini, por jo shkëmbimin e tyre.

    UNIFORMITETI I VESHJEVE, SI MODEL MENDIMI POLITIK

    Në pesëdhjetë vjet diktaturë të sistemit komunist tri ishin modelet e veshjeve – ato me borsalinë, që vinin nga koha e Mbretit Zog, veshjet e modelit sovjetik, që përfundonin me kapele republike dhe veshjet e “stilit kinez” që përfundonin te kasketa. Më tipikja, e ndoshta që la edhe ndikimin e uniformitetit, ka qenë stili i huazuar nga “vëllezërit” kinezë, ku lehtësisht dalloje njerëz të veshur të gjithë njëlloj, madje edhe me kasketa në kokë. Por uniformizimi i veshjeve në komunizëm ka qenë i lidhur ngushtësisht me ideologjinë, e cila kontrollonte në mënyrë rigoroze këtë lloj uniformizimi, që identifikohej me mënyrën e të menduarit. Xhinset ishin të ndaluara, pasi konsideroheshin si “veshje borgjeze”, ndërkohë që fustanet kontrolloheshin për gjatësinë dhe pantallonat e djemve për ngushtësinë apo gjerësinë. Bashkë me llojin e veshjeve kontrollohej dhe e qethura, ku nuk lejohej as e qethura qeros dhe as flokët e gjata që mbulonin veshët.

    Ndërkohë që në Shqipëri kontrollohej gjithçka nga “policia morale” e partisë së kohës dhe ku spiunoheshin rrobaqepësit privatë, në perëndim, dallimi midis klasave sociale dhe midis burrave dhe grave u prish prej një rinie që imponoi një tjetër lloj dallimi: moshën. Kështu, në vitet ‘60 veshja u kthye në një vektor tregues mbi përkatësinë në shoqëri dhe evolucioni i saj ilustron modifikimet e thella të një shoqërie që tërhiqej nga një rini e etur për ndryshime. Ranë tabutë, iu la fushë e lirë një mënyre jetese që shkonte në koherencë me veshjet e reja: këmbë të zbuluara, këmisha transparente, pantallona femërore. Që nga fundi i viteve ‘60 këto veshje mbeten ende në grupe të shpërndara deri në fillimin e viteve ‘70, kur u bënë masive. Sipas ekspertëve të modës, vitet ‘60 ishin vitet e tronditjes dhe moda e re gjeti stilistë të gatshëm të hidhnin në treg prodhime duke iu përshtatur nevojave të tyre. Për herë të parë u përdor termi “stilim” dhe krijuesit morën emrin “stilistë” nga rrobaqepës që quheshin më parë. Dhe në vitet ‘70 u quajtën “krijues” duke hedhur në treg dhe markën e tyre. Disa prej tyre vazhdojnë veprimtarinë edhe sot.

    PO CILAT JANË FUSHAT KU NDIKIMI I MODËS ËSHTË I PREKSHËM?

    Ngjitja dhe rënia e modës ka qenë diçka e dokumentuar në shumë fusha, për shkak të ndikimit jo vetëm social, por edhe politik. Moda p.sh. ka prekur imitimet në arkitekturë, dizajn të brendshëm, dizajn i peizazhit, e sidomos në modelim trupi, flokësh, stolish, e veshjesh apo edhe në kërcim e muzikë.

    Por, ajo që duket se ka patur ndikim më të dukshëm në ndryshim, sidomos në 32 vitet e fundit, ka qenë forma e ndryshme e të folurit në publik, zyrtare apo edhe jo zyrtare. Bisedat e inkurajuara dhe të kuruara të politikës kanë ndjekur modelet që nga sondazhet janë konsideruar si të suksesshme. Mjafton të shihen modelet e sugjeruara në rrjetet sociale të postimeve politike, që kanë shumë ngjashmëri. Në politikën shqiptare janë konstatuar jo pak herë imitime të fushatave të ndryshme zgjedhore të partive europiane apo amerikane.

    Ndërsa në ekonomi, ka modele jo vetëm në mënyrat e shpenzimit dhe në studime, e sidomos në atë që quhet “industria e mirëpritjes” që zbatohet veçanërisht në fushën e turizmit, në hoteleri. Politika ka ndërhyrë përmes propozimeve lidhur me rregullime mirëpritjeje duke ndikuar në politikën e hotelerisë.

    ÇFARË I KA SHPËTUAR MODËS?

    Në Shqipëri ajo që ka patur një rezistencë të fortë ka qenë mosndjekja e modës në raportin e besimit fetar, e cila për shkak të forcës së doktrinës, ka patur një rezistencë më të madhe ndaj ndryshimeve të mëdha në modelin e veshjes. E megjithatë, jo pak herë ka patur debate lidhur me veshjen e besimit Islam, sidomos te femrat, që kanë qenë nën ndikimin e fortë të zgjedhjes së një veshje tjetër nga ajo e traditës fetare. Por edhe vetë në këtë pjesë të shoqërisë, si pasojë e një shtyse të fortë për t’u përshtatur, janë hapur shtëpi jo pak shtëpi stilimi, që ofrojnë një ndryshim të paraqitjes. Ndërkohë, në shumë vende, përfshi dhe Shqipërinë, politika ka tentuar t’ia kufizojë gjithnjë e më shumë aksesin publik klerikëve, duke sjellë në skenë “modën laike” ku ata që angazhohen të mos identifikohen me përkatësinë e tyre te besimit.

    Kjo tendencë për të ndryshuar pamjen e jashtme, e gërshetuar me shtyrjen drejt periferisë së përfaqësuesve të besimeve fetare, duket edhe një sfidë e stilistëve, pasi besimtarët vijojnë të shfaqin format më të forta të qëndresës përballë përshtatshmërisë dhe uniformitetit që ka përfshirë shoqëritë e sotme.

    (Marrë nga “Medius”)

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq: Pa Asociacion s’ka kthim në institucione, as zgjedhje

    Lajmi i rradhës

    Mësimdhënësit dhe shoqatat e gjeografëve të revoltuar me konceptin e ri mësimor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë