Pse pranova bakshish nga një shitës në rrugën e Ndroqit

    ARTAN FUGA

    Ishte anës rrugës. Një tendë prej kashte. Në disa banakë disi të sajuar ishin shtrirë fruta, perime nga më të ndryshmet. Frenoj butë dhe futem të parkoj në të djathtë të rrugës, në një hapësirë disi përtej xhadesë

    – I ke tuat zotëri?

    – Të gjitha, – më tha burri rreth të shtatëdhjetepestave. Ka pamje të besueshme. Duhet të ketë qenë i pashëm kur ka qenë i ri. Ka veshur një palë shapka të mëdha prej plastiku. Zbathur. Flokët e paqethura, por i rruar mirë. Ka trup të gjatë ndryshe nga një pjesë e burrave të zonës para sesa të arrish te kthesa e kodrave të buta që shtrihen mbi detin para Plepave në Durrës. Jemi në rrugën e Ndroqit. Nuk dihet pse quhet kështu. Duhet të ketë qenë i rëndësishëm Ndroqi në ato kohë.

    Zotëria e ka lëshuar këmishën mbi pantallona. Lëvizjet e duarve i ka pak të ngadalta.

    Fiq më kanë mbetur këto shtatë kokrra. Edhe manat në tepsi sikurse i sheh po mbarohen. I grijnë udhëtarët në makina që kalojnë këtej.

    Shoh pjeshka, pjepra, shalqi, bishtaja, patate, patëllxhanë, speca, domate, të gjitha të freskëta.

    – Paske goxha ekonomi!, – i them ndërsa ai peshonte specat.

    Pas ishte ara e tij dhe më tutje një shtëpi goxha e madhe dykatëshe.

    – Bereqatversën, – më thotë pa më parë në sy dhe vendos hurdhat në qese! Shyqyr arrita deri tani ta mbaja djalin e vogël të mos më ikte në Itali. Dy çunat e tjerë dhe goca janë andej përgjithmonë.

    -Të të të rrojnë, – i them. Po kilja e shalqirit?

    Nuk mbaj mend sa më tha.

    – Mos kisha arrit me e mbajt me sherr e shamatà kët të voglin, aha, këtu nuk do të kishte asgja!

    – A hoqe shumë me e mbajt?

    – Po, shumë, derisa e binda! Në oborr ishte një “Benz” i zi. Zotnia nisi të bënte llogaritë mbi një copë letër.

    Numëronte ngadalë dhe diçka shkruante. Nëntëmbëdhjetë mijë lekë, – tha.

    – Për atë Zot, shalqinin e ke të mirë, ta jap me provë!

    – Ç’e dua provën, mor burrë, – i përgjigjem. Po çunin si e mbajte?

    – Rroftë zakoni që prindët nuk lihen vetëm. Njeri do të rrinte. Ky mendjen andej e ka, por hëpërhë e kam këtu. Unë e tërheq këtej, ke specat, domatet, shalqiri, kurse shembulli i vëllezërve dhe i motrës e tërheq andej! Të shohim kush do t’ia dali! Por po iku edhe ky!!! Nuk ka me mbet gjë më ke unë. Ja sa të jem gjallë unë.

    Mblodhi qepët në qese dhe m’i zgjati.

    -Mirupafshim, – i them.

    – Po qe se shalqiri do të dalë i mirë, do të qëndroj prapë rrugës tjetër, ndryshe nuk më sheh më!

    – Mirë ardhsh!, – më tha. Nga faqet e rruara i vinte një aromë e mirë solucioni pas rroje!

    Vajta përsëri sot atje anash rrugës të Ndroqit për të blerë fruta dhe zarzavate. Rrugës e kisha. Bëj edhe një çikë muhabet.

    Bleva zerdeli, shalqi, patjetër, domate zemërkau dhe qershi.

    -Dhjetëmijë e pesëqind, – tha zotëria te tenda. Ai pra që kishte mbajt çunin për të mos ik në Itali.

    Nxora njëmbëdhjetë mijë dhe ia dhashë!

    – Jo, jo, më tha, dhjetë mijë do të më japësh dhe ma ktheu një mijë lekëshin metalik.

    Ia ktheva dorën. Ai shty, unë shty! Jo, mor burrë, – i thashë, – aq sa të bëjnë.

    -Pije një kafe! – më tha.

    Shty unë, shty ai paranë metalike. Unë fjalëve nuk u besoj kurrë. Devijim profesional imi. Fjala është bërë për të rrejt. Por, histori tjetër kjo! E them një herë tjetër.

    Por gjuhën e trupit e kuptoj menjëherë. Kur ai shtynte monedhën metalike, dora e tij nuk kishte dridhje. E kuptova që e kishte me sinqeritet.

    Hera e parë në jetën time që kam pranuar bakshish. Shitësi i kishte dhënë bakshish klientit.

    Pse e pranova? Për t’i bërë qejfin atij mo! Ai që jep bakshish tregon superioritet ndaj atij që merr bakshish. Desha ta gëzoja egon e atij njeriu të mirë.

    Pastaj do t’i jem dukur si gjynahqar! Mua kjo më bëri qejfin! Ai mendonte se kisha nevojë për t’u trajtuar pak financiarisht! Ndofta vetura ime e shekullit të kaluar i ka ndjellë mëshirë në zemër. Banorët e asaj zone janë shumë të ndjeshëm ndaj varfërisë të tjetrit.

    Mora ç’kisha për të marrë dhe hipa në veturë. Me atë njëmijëlekëshin do të qethem sot! Do shtoj ndonjë gjë edhe vetë dhe bëhet tamam për t’i lënë bakshish berberit!

    Uaaaaa, bota përmbys, mendoja rrugës kur vozisja. Nuk e kisha mendjen te timoni fare. Makina ecte vetë për në shtëpi si gomari i një kushëririt të gjyshit tim që e gjente vetë rrugën e shtëpisë të të zotit. Këtë e zinte gjumi mbi gomar!

    Shitësi i jep bakshish blerësit. Imagjinoni, shkojmë në një zyrë shteti dhe nëpunësi pasi na shërben nuk na merr bakshish, por edhe na jep ndonjë pesëmijëlekëshe për bakshish: Na, merri profesor, qethu sot! Ose blej brisqe për t’u rruar!

    Mirëpo, aty te Plepat mendja m’u kthjellua! Ai tregtari rural poshtë xhadesë kishte në fakt të drejtë sipas filozofisë të parasë. Kur unë blej diçka dhe tjetri më jep një mall, veç barazisë së dy vlerave, ka edhe një komunikim tjetër që ndodh.

    Unë i blej mallin dhe e humbas lirinë time që atë mall ta këmbej me gjë tjetër. Nuk mund të shkoj te berberi dhe t’i them sa kushton një e qethme? Një shalqi a kushton? Berberi ma fut me hanxhar pas qafe po të bëj këtë pyetje. Kurse ai që merr lekët, ai fiton liri, sepse me ato lekë mund të qethet, mund të blejë çdo gjë që i do zemra! Ai fiton liri, unë humbas. Dhe prandaj zotëria anash xhadesë si filozofi gjerman Zimmel në shekullin e kaluar, mendonte se ai duhej ta kompensonte me diçka faktin që ai mori liri, kurse unë e humba lirinë në atë transaksion financiar aty në diell, anash arës me perime.

    Të shohim kur të kaloj nesër çfarë do të më ndodhë në po atë vend. Ai zotëria më dhuroi edhe një mësim filozofie mbi logjikën e shkëmbimeve tregtare që unë e dija, por e kisha harruar./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Huta e hutuar dhe masat e mpira

    Lajmi i rradhës

    Boshnjakja fiton “Nobelin e gjelbër” | “Do ta mbrojmë vendin nga ndërtimi i hidrocentraleve për aq kohë sa ka njerëz” (Video)

    Lajme tjera

    Kirovi

    EDISON YPI Kishin filluar të dukeshin televizionet private italiane. Njerëz që u ishte bërë shpirti zeher duke pritur…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë