BLENDI SULAJ
Edi Rama dje, pas më shumë se 1 muaji që ishte zhytur në pushimet e tij, doli dhe deklaroi se javës që vjen do të shpallë kabinetin e ri qeveritar. Ndërkohë, i bëri edhe një herë lavazh trurit të qytetarëve për sukseset e tij imagjinare. Në çdo vend demokratik, Kryeministri do duhet të dilte dhe të jepte një shpjegim edhe për plehrat që janë djegur kastile gjate gjithë këtij muaji në mënyrë të qëllimshme për të ndjekur një rrugë që paratë të shkojnë tek inceneratorët.
Në çdo vend demokratik, edhe Kryeministri duhet të dilte dhe të garantonte sadopak qytetarët se këtu bandat nuk kanë fatin e njerëzve në dorë, por shteti do t’i luftojë ata dhe nuk do bëjë të kundërtën. Në çdo vend demokratik, Kryeministri do dilte dhe do jepte siguri për situatën e Covid-19 për bizneset dhe të tjerët që do jenë në vazhdim se çfarë do të bëhet dhe çfarë garancish kanë qytetarët nga shteti. Por jo!
Kryeministri ilegjitim i vendit tonë mbi të gjitha ka të rëndësishme fasadën dhe propagandën, mbi të cilën ka ndërtuar sukseset e tij imagjinare. Shqiptarët nuk kanë asnjë iluzion se kabineti i ri i qeverisë Rama 3 do ketë njerëz të ndershëm, që do vendosin të parin interesin e qytetarëve. Kjo është shumë e thjeshtë për ta kuptuar sepse qeveria ka në krye të saj një person, i cili mori mandatin e tretë me vjedhjen më të paprecedentë të votës. Përdori çdo mekanizëm shtetëror në kundërshtim me ligjin për të deformuar vullnetin e qytetarëve, të cilët kërkonin medoemos ndryshimin. Shqiptarët nuk kanë asnjë iluzion për një qeveri në shërbim të tyre, përderisa njeriu që ka drejtuar vendin në këto 8 vite, prioritet ka pasur bashkëpunimin me bandat. I njëjti, i cili la bandat të forcoheshin dhe të pasuroheshin dhe tani ato kontrollojnë shumë qytete të vendit tonë. Çfarë duhet të presin qytetarët nga një qeveri e re dhe çfarë ndodh kur kapiteni dhe ideatori është po i njëjti?
DUHET TË PRESIN!
1- Sigurime shëndetësore në këtë kohe ku amullia për çështjen e Covid-it dhe pasiguria informacionit mbizotëron?! Por nga kush ta presin sigurinë? Nga po ai që keqmenaxhoi situatën e COVID-it në mënyrën më të turpshme, nga ai që në kohë pandemie e kishte mendjen të vidhte dhe të përvetësonte nëpërmjet kompanive të ndryshme fonde publike, të bënte tenderë sekretë, të shiste një maskë 8 herë më shumë se çmimi i tregut? Pra, ministrat mund të ndryshojnë, njerëzit mund të ndryshojnë dhe fytyra të reja mund të shikojmë, por nuk ka asgjë të re në thelb dhe në ide sepse kryeideatori është i njëjti.
2- SIGURIA E RENDIT PUBLIK
Për të mos shkuar larg, por vetëm pak para verës dhe gjatë verës dhe ditët e fundit, kemi parë sesi vrasjet ndodhin në mes të zonave më të populluara. A mendojmë që mund të ketë ndryshim siguria publike kur të gjithë e dimë qe në këto 8 vite asnjë kryebandit nuk është pas hekurave? A mund të ketë siguri kur shikojmë që ne kemi 2 ish-ministra të Brendshëm të lidhur me krimin e organizuar dhe Kryeministri në të dyja rastet nuk ka asnjë përgjegjësi? JO! Nuk ka njeri që e mendon dhe beson që në vendin tonë mund të ketë ndryshim në sigurinë dhe rendin publik, sepse njeriu që është Kryeministër, është po ai që vuri Saimir Tahirin, po ai që vuri Fatmir Xhafën, dhe për të dy ishte garantuesi i tyre për të bërë atë që bënë, që tashmë e di edhe bota, dhe ishte hartuesi i tyre, ashtu siç është edhe i shumë ministrave të tjerë për lidhjet me krimin dhe për ta kthyer vendin tonë në Panamanë e Europes.
LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT
Gjatë këtyre viteve na është imponuar përmes propagandës lloj-lloj fushate kundër korrupsionit. Emërtimi ndryshonte, por rezultati po i njëjtë. Më i fundit është OFL. Cili ka qenë rezultati; struktura me demek që do bënte terror te bosët e drogës që pastronin para në Shqipëri, u katandis në sekuestrime makinash, të cilat më pas liroheshin sërish nga Gjykata sepse nuk i faktonin dot. Çdo fushatë, aksion, është i dështuar kur qëllimi është vetëm për të bërë propagandë.
Qeveria e re dhe ajo që shkoi kanë të përbashkët që kanë sponsorizuesin më të madh të çorganizimit të shtetit dhe institucioneve. Dhe e dini pse? Sepse gjithmonë nga eksperienca europiane botërore dhe nga doktrina politike kemi mësuar që çorganizimi sjell amulli, amullia sjell shpërqendrim. Duke mos dituar askush asgjë dhe duke mos pasur askush detyra të mirëpërcaktuara, askush nuk do të bëjë punën e tij, kur askush nuk bën punën që i takon në institucionet shtetërore për shkak të çorganizimit të qëllimshëm, atëherë korrupsioni lulëzon në çdo zyrë, drejtori apo ministri. Në fund mendoj që nuk kemi ç’presim nga i njëjti njeri në krye të vendit.
Ai vodhi për 8 vite. Sërish do vjedhë (por kjo do përfundojë sa më shpejt). Ai largoi shqiptarët, prapë do t’i largojë. Ai iu dha garanci bandave, prapë do t’u japë garanci. Ai ndërtoi një sistem korrupsioni, po të njëjtën gjë do të bëjë. Ekipet e vërteta dhe që luftojnë për të ndërtuar mirëqenien e vërtetë të jetës së qytetarëve, janë ato ekipe që ndërtohen nga e vërteta dhe mos/vjedhja e votave dhe që pa më të voglin dyshim, janë ato të cilat kane në krye njeriun, i cili mbi çdo gjë tjetër ka kartën morale për të qeverisur, gjë të cilën qeveria shqiptare as nuk e ka dhe aq më pak Edi Rama si Kryeministër. /Panorama/