Quo vadis Ballkan!?

    Donika Hamiti

    Për dekada me radhë, rajoni i Ballkanit është gjendur në udhëkryqe, konflikte, dilema e mosmarrëveshje të lidhura me identitetin. Ngjarjet, marrëdhëniet dhe zhvillimet janë të tilla që, edhe pse mund të jetë bërë mund i madh dhe harxhuar kohë e gjatë për një qëndrueshmëri ose rezultat pozitiv, sakaq ndryshojnë rrethanat dhe të tilla çështje vihen prapë në pikëpyetje. Kur kryeministrat Boyko Borissov dhe Zoran Zaev nënshkruan më 2017 Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, mbase s’u kishte shkuar mendja që krisjet do fillonin pas rreth tri viteve nga nënshkrimi i marrëveshjes.

    Në prag të përpjekjeve pothuajse finale për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Sofia zyrtare doli me qëndrimin që nuk do ta mbështesë bashkëngjitjen e Maqedonisë në familjen europiane. Me këtë qëndrim, u shkelën dy nenet e para të marrëveshjes së lartpërmendur: Neni 1, “Zhvillimi i raporteve mirëkuptuese në ndjekje të parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe fqinjësisë së mirë” dhe Neni 2 (1) “Palët kontraktuese duhet të zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian dhe euroatlantik (…). Pala bullgare duhet të ndajë përvojën e saj në mënyrë që të ndihmojë Republikën e Maqedonisë të përmbushë kriteret e kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian…”. Gjeneza e kësaj mosmarrëveshje është produkt i të kaluarës, dualizmit dhe dilemave identitare e kulturore, në të cilën janë të përfshira zhvillime, personalitete, perceptime e besime të ndryshme, varësisht se këndvështrimi i cilës palë vihet në pikëpyetje.

    Konteksti historik

    Nuk ka pasur një shtet maqedonas që nga koha e mbretërve të Maqedonisë në shekullin e katërt para Krishtit. Ndërmjet periudhave të ndryshme historike, Maqedonia ka qenë pjesë përbërëse e Perandorisë Romake, Bizantit, perandorive mesjetare të Bullgarisë, Serbisë dhe Perandorisë Osmane. Në periudhën e Luftërave Ballkanike (1912-1913) Maqedonia u aneksua nga Serbia. Pas Luftës së Parë Botërore u bë pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Më 1946, Maqedonia njihet si një nga 6 republikat përbërëse të Jugosllavisë. Maqedonasit, grupfolës i sllavishtes, ishin klasifikuar si narod (popull), pra një komb i veçantë dhe popull përbërës (konstituues) i federatës jugosllave. Nga këtej e tutje, ka pasuar një debat dhe teori që kombi etnik maqedonas është një konstrukt jugosllav.

    Raportet ndryshuan me ndërrimin e pushtetit në Maqedoni dhe zotimin e kryeministrit maqedonas për marrëdhënie më të mira me shtetin fqinj bullgar. Por, në periudhën gati finale të një procesi të zgjatur të bashkëngjitjes në BE, Bullgaria vendosi veto ndaj Konferencës së Parë Ndërqeveritare për bashkëngjitjen e Maqedonisë në organizatë. Bullgaria i ka dërguar memorandum 26 vendeve të tjera anëtare të organizatës duke theksuar që dokumentet e BE-së duhet ta njohin faktin që gjuha maqedonase mund të konsiderohet si normë e shkruar regjionale e gjuhës bullgare. Përpos kësaj, Ministrja e Jashtme e Bullgarisë Ekaterina Zaharieva ka bërë vërejtje mbi zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017 me Maqedoninë (sipas saj, Shkupi zyrtar ka politika të urrejtjes kundrejt Bullgarisë). Zaharievaka deklaruar që si palë nuk përzihen në vetëpërcaktimin e kombit maqedonas, por që ky përcaktim nuk duhet të jetë i bazuar në urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të Bullgarisë. I ndryshëm ishte qëndrimi i Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Nikola Dimitrov. Sipas tij, çështja se kush janë maqedonasit është çështje e popullit maqedonas dhe se kjo nuk duhet të jetë parakusht për të ardhmen evropiane.

    Dilemat identitare: Etnia dhe gjuha

    Gjuha ka rëndësi. Së pari është roli psikologjik që gjuha lidhet me vetëvlerësimin dhe krenarinë e grupeve dhe individëve, kjo është e vërtetë veçanërisht për kombet më të vogla (Peter Harris et al.).

    Maqedonia ka qenë e pushtuar nga Mbretëria Bullgare në shekullin e nëntë. Sipas studiuesit Dimitar Bechev, nga kjo periudhë vihen bazat e kontestimit të një identiteti të mëvetësishëm maqedonas nga ana e historianëve bullgarë. Faktorë kyçë sipas perspektivës së tyre ishin kristianizimi i Bullgarisë (864) dhe miratimi i shkrimit sllav të zhvilluar nga priftërinjtë Cyril dhe Metodi. Nga ana tjetër, historianët bashkëkohorë maqedonas mbrojnë qëndrimin që sllavomaqedonasit e kanë ruajtur mëvetësinë e tyre gjatë sundimit bullgar.

    Në maj 1945, gjuha maqedonase standardizohet si gjuhë e veçantë sllave (jugore). Alfabeti publikohet për herë të parë në faqet e Nova Makedonija.  Në vitin 1946 pasi Kushtetuta e re jugosllave e njohu Maqedoninë si një nga 6 republikat përbërëse të federatës,  paraqitet gramatika e parë e gjuhës maqedonase si libër shkollor, e shkruar nga Krume Kepeski. Këto dhe zhvillime të tjera ishin nismë e formimit të një identiteti të shtetit të ri.

    Kundërshtitë kryesore nga ana bullgare janë identitare, lidhen me gjuhën dhe përkatësinë etnike. Ky problem nuk është as i vonë dhe as i rëndomtë. Sipas qëndrimit bullgar, gjuha maqedonase në thelb është bullgare ose një variant i saj. Mosmarrëveshja rreth mëvetësisë dhe origjinalitetit të gjuhës maqedonase, është goxha e vjetër dhe sikur kjo mos të mjaftonte, në skenë hyjnë edhe disa personalitete të shquara të njërës apo tjetrës kulturë. Qëndrimi bullgar në lidhje me kombin maqedonas është mohues. Sipas kësaj teze, maqedonasit janë etnikisht bullgarë. Këtij qëndrimi i shtohet edhe mohimi i njohjes së pakicës maqedonase në Bullgari, edhe pse llogaritet që rreth 10% e popullsisë në Bullgari janë maqedonas etnikë. Shteti i pavarur maqedonas u formua në vitin 1991. Siç vëren Kyril Drezov, akademikët dhe politikanët bullgarë e kanë pranuar emrin “Maqedonia” si një dizajnim shtetëror dhe gjeografik por e mohojnë ekzistencën e një kombi dhe gjuhe të mëvetësishme para vitit 1944. Bullgaria ishte shteti i parë që e njohu pavarësinë e shtetit të Maqedonisë më 16 janar 1992, por sipas presidentit të Bullgarisë në atë kohë Želju Želev‚ njohja e shtetit nuk nënkupton njohjen e kombit.

    Çështja e etnogjenezës së maqedonasve është temë tejet e diskutuar dhe problematikë për dekada të tëra. Kjo nuk ngjan vetëm për shkak të ndërlikimeve që sjellin aspektet kulturore e gjenetike, por edhe për shkak se në periudha të ndryshme, mendimi publik ka anuar nga një teori kah tjetra, varësisht se kush ka administruar me shtetin dhe cila etni ka mbizotëruar kulturalisht në shoqërinë maqedonase. Disa nga këto teori janë që maqedonasit kanë prejardhje nga maqedonasit e vjetër të kohës perandorake, prejardhje sllave dhe/ose bullgare ose gjenezë të përzier ndërmjet maqedonasve antikë, bizantinëve, serbëve, bullgarëve dhe osmanëve. Todor Čepreganov (drejtues për një kohë të gjatë i Institutit Shtetëror të Historisë) konsideron që kodi gjenetik i maqedonasve vjen nga trashëgimia romane, trashëgimia bizantine, osmane dhe trashëgimia e të gjithë atyre që kanë qeverisur me territorin e Maqedonisë.

    Teza për një trashëgimi bullgare në kodin gjenetik të maqedonasve ka pasur një vëmendje të konsiderueshme për shkak të mohimit të identitetit që shteti fqinj ka bërë kundrejt Maqedonisë. Kohë pas kohe, këtij debati i kanë kontribuar zhvillimet politike. Përfshirja e figurave të njohura të politikës në këtë debat nuk ka kaluar pa vëmendje e zhurmë. Ish kryeministri maqedonas Ljubco Georgievski në vitin 2006 ka marrë shtetësinë bullgare, duke e lidhur me origjinën bullgare të prindërve të tij. Pajisja e qytetarëve të rëndomtë me pasaporta të tilla është diçka e njohur, kjo për shkak të konveniencave ekonomike. Por, identifikimi i një ish kryeministri është e një rëndësie më të madhe dhe Georgievski u portretizua si bullgarofil në publik. Madje edhe distancimi nga partia që e ka themeluar vetë (VMRO-DPMNE) dhe themelimi i VMRO-NP është konsideruar të jetë për arsye ideologjike. Anëtarët e partisë së Georgievskit po ashtu njihen si bullgarofilë. Edhe zgjedhja e Nikola Dimitrov si ministër i jashtëm në qeverinë e parë Zaev, nuk u pa me sy të mirë nga përkrahësit e teorisë që maqedonasit janë etnikisht të njëjtë me maqedonasit antikë, kjo për shkak se babai i tij Dimitar Dimitrov perceptohet si intelektual bullgarofil. Kështu, opinioni publik është ende i ndarë ndërmjet teorive të ndryshme të përkatësisë etnike të popullit në Maqedoni.

    Ndërmjet zgjidhjes dhe status quo-së

    Përderisa janë bërë hapa dhe mbase lëshime nga të dyja palët për të arritur një marrëveshje për harmonizim dhe fuqizim të marrëdhënieve dypalëshe, është tejet e panevojshme dhe kthim prapa rikthimi i temave të vjetra në tavolinë, e sidomos instrumentalizimi i tyre. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë publike rreth aspekteve identitare, të tilla tema nuk duhet lejuar që të bëhen burim i prishjes së progresit të arritur në vitet e fundit në marrëdhëniet dypalëshe. Ndërlikimi me aspekte nga e kaluara e sidomos përdorimi i etnogjenezës nuk është hap i duhur, duke marrë parasysh botën në të cilën jetojmë. Jo vetëm në Ballkan, por kudo në botë është vështirë që të gjendet një popull 100% i njëtrajtshëm etnikisht. Sipas Ant Oberschall, nga 132 entitete të konsideruara shtete më 1971, vetëm 12 shtete (9%) mund të konsiderohen shtetkombe. Pra, insistimi për të vërtetuar trajtën e njëjtë gjenetike mes dy popullsive dhe instrumentalizimi i saj nuk janë opsione shumë të mençura, pasi kështu do të mund të krijohej një precedent për instrumentalizim edhe nga shtetet e tjera, duke u bazuar në situata të ngjashme.

    Maqedonia është kandidate për t’u bërë pjesë e BE-së që nga viti 2005, por mosmarrëveshjet me Greqinë rreth emrit dhe paqëndrueshmëria politike në aspekt të brendshëm e ka shtyrë procesin e anëtarësimit. Kur u mendua që këtij procesi po i vinte epilogu, pas marrëveshjes për emrin me Greqinë, u riaktualizuan mospajtimet me Bullgarinë. Në mënyrë që mospajtimeve t’u dihet fundi, lypset një qasje serioze dhe objektive për zgjidhjen e problemit, ku vëmendja dhe hapësira kryesore duhet lënë në profesionistët e fushave nga të dy palët, pasi politika vetëm sa tenton të përdorë këto dilema në favor të interesave të ngushta.

    Një status quo nuk është rrugë e duhur në këtë periudhë. Këmbëngulja në perspektivat gjegjëse, tejzgjatja e diskutimeve ose shprehimisht refuzimi për të lëshuar pe nga të dyja palët mund të bëjë që të përkeqësohen edhe më tej marrëdhëniet. Kjo më së paku do t’i konvenonte Maqedonisë pasi rruga e saj evropiane nuk do të shihte dritë edhe për vite të tëra.

    Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një domosdoshmëri në Ballkan, nga ku edhe shkëndija më e vogël e mospajtimeve mund të rezultojë me zhvillime të tensionuara dhe potencialisht konfliktuoze. /Sbunker/

    Lajmi Paraprak

    Puna gjatë pandemisë dhe efektet në shëndetin mendor te gazetarët

    Lajmi i rradhës

    Një gjë rreth Oratorisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë