Një gjë rreth Oratorisë

    Qëndresa Prapashtica

    Sipas një deklarate të Trump-it, gjatë paraqitjeve publike për të adresuar situatën e pandemisë ai thotë: “We have it totally under control. It’s one person coming in from China. It’s going to be just fine.” (E kemi situatën plotësisht nën kontroll. Bëhet fjalë për një person të vetëm që vjen nga Kina. Gjithçka do të jetë në rregull).

    Pas një kohe, diku në Australi, në një postim individual të rastit, i cili arrin të shpërndahet me “shpejtësi të dritës” në rrjete sociale, paraqet tri vajza – dy nga të cilat në fillimin nisin ta ngacmojnë verbalisht të tretën e cila në dukje është aziatike. Ndërkohë që incidenti eskalon në kontakt fizik (shihen duke e shtyrë me duar vajzën aziatike) duke e akuzuar se ‘lloji i saj’ e solli Corona-virusin.

    Me zgjerimin e ndikimit të virusit, kanë vijuar deklarata publike të tjera si: “Looks like by April, you know in theory when it gets a little warmer, it miraculously goes away” (Siç duket deri në Prill, e dimë teorikisht që fillon të bëhet më ngrohtë, mrekullisht do të largohet tutje), apo “I think that’s a problem that’s going to go away… They have studied it. They know very much. In fact we’re very close to a vaccine.” (Mendoj që ky është një problem që do të largohet… e kanë studiuar. Tashmë dinë mjaftueshëm. Në fakt jemi shumë afër vaksinës.” Dhe përfundimisht në një ditë kur pati deklaruar që “the end of the pandemic is in sight” (fundi i pandemisë është në horizont), gjatë po asaj mbrëmje publikoi në Twitter që ai edhe bashkëshortja janë testuar pozitiv me Covid 19-të (BBC, 02 Oct 2020).

    Ndërkohë, pas dinamikave politike në SHBA, me konsistencën e vetme globale – pandeminë, kur shfaqet Joe Biden, një ndër deklaratat e tij të para rreth menaxhimit të situatës së krijuar me pandeminë, shkruan në faqen e tij zyrtare në Facebook: “My administration will move Heaven and Earth to: Allow more people to get vaccinated; Create more spaces for them to get vaccinated; Mobilize more medical teams to get shots in arms; Increase vaccine supply and get it out the door as soon as possible” (Administrata ime do ta lëvizë Qiellin dhe Tokën për të: të lejojë më shumë njerëz të vaksinohen; të mobilizojë më shumë ekipe të kenë duar të gatshme për të shpërndarë dhe vaksinuar; të rrisë furnizimin me vaksina dhe t’i shpërndajë ato sa më shpejtë që është e mundur).

    Sa për ilustrim, përveçse e kemi një situatë të njëjtë me dy qëndrime të ndryshme – këto qëndrime i dallon fundamentalisht mënyra e shprehjes së tyre. Në këtë dallim konsiston ndryshimi që e bën një njeri lider më efektiv se një tjetër – shkathtësia e oratorisë.

    Në tentimin e Trumpit për të nënvlerësuar situatën dhe për ta sjellë në këtë mënyrë si të menaxhueshme para publikut – duket sikur vetëm i ka ndjellë disa emocione negative tek një grup që është revoltuar kundrejt qëndrimeve të tij, si dhe një grupi tjetër që në dukje e ka marrë mesazhin me fokus te pjesa gjykuese: “one person coming from China” (një person që vjen nga Kina)… gjithsesi jo relevante në tërësi.

    Tek rasti i Biden me metaforën kolosale “will move Heaven and Earth” (do ta lëvizim Qiellin dhe Tokën) që shfaqë motive të “mbinjeriut” por që nënkupton shfrytëzimin e të gjitha mjeteve për t’u arritur ajo që për momentin perceptohet si e pamundur – për të arritur rezultatin e dëshiruar. Si fjali e ngjitur në vetëdijen kolektive e cila shërben si motiv në shumë raste filmike dhe artistike poashtu –  nxitë emocione pozitive duke frymëzuar shpresë.

    Kjo pra është edhe një aspekt fundamental i oratorisë – aftësia për t’ia ndryshuar tjetrit emocionet. Kur një president i qaset një audience me fjalët: “We can do it” (Mund ta bëjmë) e nxitë dëshirën në atë moment, besimin dhe motivimin e masës për të lëvizur në atë drejtim. Kur i thuhet: “We will try” (Do t’mundohemi), megjithatë i njëjti person me fjalinë tjetër – e përcjellë një inercion gjysmak, që lë vend për pritje të një rasti më të volitshëm – sepse si duket kësaj here (për çfarëdo arsye të jetë) nuk paskemi mundësi të ia dalim – mjaftueshëm. Në këtë rast personi që flet, përveçse bart një informacion tek dëgjuesit, poashtu bart edhe një bindje – prandaj pjesë e një oratorie të mirë është manifestimi i vetëbesimit (në fjalë dhe gjuhë trupore). Një orator i mirë e ka nën kontroll dhe koordinim konstant fjalët dhe sjelljen e tij/saj – sepse sigurisht edhe po të na thotë dikush që “we can do it” (mund ta bëjmë) por në atë moment e ulë shikimin, i dobësohet toni i zërit dhe duket sikur i ulen shpatullat teposhtë – na përçohet mesazhi kontradiktor (personi po thotë diçka të cilën s’e beson vet; po na thotë diçka të pavërtetë).

    Historia e presidencës amerikane na tregon se oratoria është prej shkathtësive “par excellence” që duhet t’i posedojë një kandidat i suksesshëm. Disa nga mjeshtërit e kësaj fushe të demonstruar kanë qenë: R. Regan, H. Truman, A. Lincoln, F. Roosevelt, B. Clinton, B. Obama, (Qualities of a Great President).

    Sigurisht që oratoria ka edhe kompetenca të tjera pa të cilat nuk është e plotë. Elokuenca është një prej tyre – që inkorporon në vete disa tipare si rrjedhshmërinë në të folur, përdorimin e figurave retorike të cilat e pasurojnë krahasimin dhe ndikojnë në krijimin e bindjes, të folurit më një “ton elegant” që ka aftësinë të bartë emocione të forta “pa u thyer” dhe rrjedhimisht të ndikojë në emocionet e dëgjuesve.

    Në anën tjetër, sigurisht amerikanët janë të vetëdijshëm për fuqinë e këtyre kualiteteve por nuk e kanë shpikur oratorinë. Si në shumë gjëra që janë regjistruar në historinë e njerëzimit ashtu siç e kemi të prezantuar, oratoria është prezantuar si shkathtësi e lavdëruar në Greqinë e Lashtë.

    Disa shekuj më vonë, në Britani, kur kryeministri Sir Winston Churchill po udhëhiqte gjatë Luftë së II Botërore, i ndodhi që në vitin 1953 të merrte çmimin Nobel në Letërsi për “arritjen e mjeshtërisë në përshkrimin e materialeve historike dhe biografike si dhe për oratorinë brilante në mbrojtjen e vlerave njerëzore”. Nga Churchili sot na kanë mbetur pesë principet e të folurit bindës –  të derivuara nga studimet e tij në shkrimet e Grekëve të lashtë: 1) Preciziteti, 2) Tempoja dhe Ritmi, 3) Akumulimi i Argumenteve dhe 4) Analogjia, bile thotë për analogjinë që në një rast të mirë një analogji arrin ta qartësojë atë që në fillim duket e paqartë, e mjegullt dhe të huajën e bën të duket më e njohur dhe mund të fitojë mbi një argument teknikisht më të saktë. Si dhe 5) Ekstravaganca me të cilën sqarohet procesi se si emocionet e folësit dhe të dëgjuesit zgjohen ose nxiten njëkohësisht dhe një shprehje duhet të gjendet që e përfaqëson të gjithë atë që po e ndjejnë.

    Në gjithë këtë shkollë, sot duke i ditur mjetet dhe si çdo shkathtësi – jemi ne ata që ia japin orientimin se si dhe për çfarë e përdorim. Do të shtoja këtu edhe kontekstin dhe kredibilitetin e folësit nga perspektiva e kontributit që është duke e dhënë për shoqërinë – pikë së pari, një folësit të mirë a ia njohim historinë e karrierës dhe a na duket ajo mjaftueshëm kredibile sa për t’ia dëgjuar “fjalët e bukura”?

    Ka pasur raste në histori, kur oratorët, duke shfrytëzuar përparësinë e aftësisë oratorike kanë manipuluar masat drejt bindjeve të tyre. Të flasim për rastin e Hitlerit – i cili me gjithë paradoksin e rastit të tij, vlerësohet si një ndër liderët me oratori të shkëlqyer. Por, aftësitë e tija bindëse lidheshin dhe me kontekstin në të cilin ai operoi, dhe sipas një analize pse njerëzit “u dashuruan në fjalët e tij” pati një konkludim (Business Insider, Amanda Macias, 2015) që “njerëzit kishin vullnetin ta ndjekin, sepse ai dukej sikur i kishte të gjitha përgjigjet në një kohë të krizës ekonomike”. Sipas bindjeve të tij të reflektuara në “Main Kampf” thotë: “e di që njerëzit fitohen më pak nga fjala e shkruar sesa nga fjala e thënë, sepse secila lëvizje e madhe në këtë botë ia ka borxh zhvillimin e saj oratorëve të mëdhenj dhe jo shkrimtarëve të mëdhenj”. Disa nga pikat e forta të identifikuara nga studiuesja e oratorisë së tij, Amanda Macias në këtë artikull e përmend zërin e tij (tonin e zërit, ritmin), animacionet (lëvizjet dhe gjuhën trupore që e ka përfshirë në funksion të përcjelljes së mesazhit) duke aluduar që “sytë e tij” kanë përcjellë një bindje të ftohtë që është në disa raste e konsideruar si “shenjë e një vetëbesimi të madh”. Në qendër të fuqisë së tij politike dikur ishte një njeri “me duar në xhepa” i cili me vete bartte fjalën e folur – ku kishte nisur nga disa takime “nëntokësore” në atë që dikur u bë partia më e madhe në Gjermani. Ai e kishte vendosur oratorinë e tij në një kohë të dëshpërimit ekonomik kur masat dëgjonin “atë që kishin nevojë” e cila më vonë ishte parë të mbetej në një prej bindjeve të masave më të mëdha në historinë bashkëkohore.

    Karakteristikë në rastet e krizave ekonomike dhe sociale është që masat nuk e kanë energjinë, mundësinë dhe dëshirën e plotë të përdorin mendimin kritik për të vlerësuar argumentet dhe historikun e folësit – duke rënë kështu pre e fjalës së thënë që nxitë shpresë. Sidoqoftë në këtë rast kemi të bëjmë me demagogjinë – kërkimin e mbështetjes duke u thirrur në dëshirat dhe paragjykimet e masës në vend se të përdoret argumenti racional.

    Në këtë sens, ne kemi tendenca të “ruhemi” në fillim nga ata që i perceptojmë si oratorë, duke përcjellë aktivitetin e tyre të tërësishëm për të arritur në një konkluzion se ajo që po e flasin ka mbështetje reale apo është vetëm rast i demagogjisë i cili në rastin më të keq i orienton masat drejt humnerës.  

    Oratoria “në minitaurë” është e pranishme edhe në aktivitetet sociale, ndërpersonale etj. Në një takim romantik personi oratorik është në pozitë të favorshme të perceptohet si i/e pëlqyeshëm, dhe me rrezik nëse nuk i korrespondon sjellja/veprat me fjalët, të identifikohet si i/e demagog. Ngjashëm duket sikur e kemi një busull të brendshme të vlerësimit mes admirimit dhe përçmimit të atyre roleve në jetë kur e kemi udhëheqësen oratore të mirë, ose përfaqësuesi i komunitetit është orator i mirë, etj., duke shënuar kështu momente kur fjala ndikon botën.

    Në vargëzimin e ngjarjeve nëpër historinë e fjalimeve madhështore kemi nuanca të ndryshme në qëndrimin dhe kontekstin që kanë hapur shtigjet e ndryshimeve sociale. Në filma kemi ilustrime të panumërta të kësaj fryme, si p.sh., në rastin e kryengritjes së skllevërve në perandorinë Romake, ku sipas filmit Spartacus (1960), pas një dueli “të rastësishëm” që përfundon në fitore të tij, masat e skllevërve të liruar fillojnë të thyejnë dhe grabisin në mungesë të një orientimi të organizuar në liri. Atëherë Spartacus përmes një fjalimi spontan në mesin e turmës – si lideri legjitim i lirisë, arsyeton dhe i bind ata që të organizohen në një lëvizje lirie për të gjithë skllevërit e perandorisë. Një gjë e ngjashme paraqitet edhe te Braveheart (1995) kur nën rrethanat e caktuara, zemërluani bind një grup burrash me sëpata – të nisin një kryengritje. Ose tek filmi Elisabeth (1999;2007) ku ajo në një paraqitje para popullit thotë: “I am married to England”. Dhe dedikimi i saj i thurur në një varg përkushtimi e krijon efektin e besnikërisë së plotë të popullit ndaj saj.

    Të kthehemi te Churchilli, në një studim të modelit të tij oratorik nga Andrew Roberts (Churchil: Walking with Destiny, 2018), ilustron: “Nga të gjitha talentet e dhuruara njerëzve, asnjë s’është më e vlefshme sesa talenti i oratorisë. Oratori zotëron një fuqi më të qëndrueshme se ajo e një mbreti të madh. Ai është një forcë e pavarur në botë. Edhe i braktisur nga partia e tij, i tradhtuar nga miqtë, i larguar nga zyrat e tij, kushdo që mund ta komandojë këtë fuqi është ende mahnitës… saqë edhe një takim me qytetarë të vdekur, të mbrojtur nga cinizmi i këtyre ditëve prozaike, nuk mund t’i rezistojnë influencës së tij. Prej një heshtjeje pasive, avancojnë në një pranim hezitues, deri në pajtimin e plotë me folësin”.

    Kjo gjë rreth oratorisë, është një bisedë që e bëjmë në thellësinë e një dite dimri, mbi reflektimin e njerëzve që na ndikojnë, dhe atyre që i kemi ndikuar. /Sbunker/

    Lajmi Paraprak

    Quo vadis Ballkan!?

    Lajmi i rradhës

    Darkën ose partinë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë