Republikë e prokurorëve apo autokraci?

    PËLLUMB NAKO 

    Debatet publike mbi SPAK-un janë të shumta. Janë pozitive, negative dhe të tjera që reflektojnë mosbesim te ky institucion. Në një moment kohor, kur ky SPAK filloi të ngrejë në maksimum stekën e hetimeve ndaj niveleve më të larta të biznesit, administratës dhe të klasës politike, kjo e fundit po hedh në publik disa ide reformash të lidhura me pushtetin gjyqësor, duke e karakterizuar mënyrën e veprimit të tij si një “Republikë e Prokurorëve”. Krahas këtij emërtimi, edhe analistë të ndryshëm filluan të shkruajnë opinione lidhur me faktin se SPAK procedon me sekuestrime vetëm mbi bazë dyshimesh duke i krahasuar ato me metodat e Stalinit, i cili “plaste në burg çdo të dyshuar dhe pastaj priste me kismet e pa gajret vërtetimin e fajësisë”.

    Në thelb, vetëm në harkun e disa viteve është kaluar nga diskurse publike për “prokurori të korruptuar, në republikë të prokurorëve”. Koha e shkurtër e këtij kapërcimi në përcaktim të bërë direkt nga politika ose indirekt nëpërmjet penave të të tretëve lidhur me këtë institucion, tregojnë qartë që aktiviteti i SPAK ka ngacmuar shumë statukuonë e deritanishme e për rrjedhim, reagime të këtij tipi. Ashtu siç citohet nga shumë sociologë që matjen e drejtësisë së një vendi e bëjnë të barabartë me natyrën e individëve që popullojnë burgjet, “banorët e rinj të ardhur rishtazi” nga nivelet e larta sociale e politike që po shtojnë këtë popullsi, flasin për rritje të shqetësimit të të ngjashmëve të tyre. Në thelb të të gjitha reagimeve në fjalë duket se ka ankesa të shumta lidhur me ligjshmërinë e procedimeve penale të SPAK-ut në momentin e fillimit të hetimit. Pra, “për shkelje të prezumimit të pafajësisë”. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një drejtësi ndëshkuese dhe jo garantiste.

    Ajo që bie në sy gjatë këtyre debateve dhe analizave të shumta është fakti se të gjitha shigjetat janë drejtuar vetëm kundër SPAKut dhe jo kundër organeve të tjera të drejtësisë që po ashtu si SPAK, janë produkt i reformës në drejtësi, por që nuk kanë për objekt ndjekjen penale të korrupsionit të niveleve të ndryshme politike dhe të grupeve kriminale të trafikantëve. Dhe janë ekzaktësisht këto dy grupime, të cilët kanë respektivisht fuqi politiko-financiare dhe vetëm financiare, që kanë fuqi mediatike të paraqesin në publik të gjerë ankesat e tyre si dhe mbështetje politike për të kërkuar reforma pas reformash. Një gjë të tillë e ka të pamundur individi i thjeshtë që edhe si “ai i fuqishëm”, në mos më pak, ndjen të dhunohen të drejtat e tij në një procedim penal të caktuar.

    Një argument si ky më sipër është tregues i kthimit të rendit politik në Shqipëri, në formën e një rendi autokratik, i cili duket qartë që nuk ka përmbajtjen e një republike parlamentare si delegim të pushtetit nga ana e masës së gjerë të njerëzve të thjeshtë. Meraku dhe shqetësimi i klasës politike shqiptare mbi prezumimin e pafajësisë filloi të ndihet ethshëm sapo ofiqarë të ndryshëm të niveleve të larta politiko-qeverisëse filluan të frekuentojnë të detyruar dyert e SPAK dhe njëri pas tjetrit panë t’u sekuestrohen telefona e dokumente private apo të funksioneve të tyre administrative. Dhe për këtë u hodh në qarkullim epiteti i “Republikës së Prokurorëve”.

    Ndoshta për analogji me “Republikën e Togave të Zeza” në Itali, ky emërtim duket se përbën një lloj akuze ndaj SPAK sepse po ndërhyn në punët e pushtetit tjetër, të atij ekzekutiv, pra po ndërhyn në sovranitetin e një pushteti tjetër të deleguar nga masa e gjerë e popullit. Pra, në thelb duket se SPAK po goditet pikërisht për këto dy drejtime: si shkelës i prezumimit të pafajësisë dhe si ndërhyrës në pushtetet e tjerë.

    Ashtu si edhe u citua edhe më sipër, në raport me prezumimin e pafajësisë, të gjitha shigjetat u drejtuan kundër SPAK-ut dhe ndërkohë produkt i reformës në drejtësi është edhe Prokuroria, e quajtur e zakonshme. Kjo e fundit, në shumicën e punës së saj, ndjek penalisht individë të zakonshëm, veprat penale të të cilëve, të rënda apo të lehta, nuk kanë të bëjnë me veprat penale që ndjek SPAK. Ndaj këtij organi nuk ka asnjë ankesë të komentuar direkt nga politikanë dhe indirekt nëpërmjet shkrimeve të porositura. Dhe një gjë e tillë është e natyrshme për profilin e një shteti autokrat, që nuk kujdeset dhe nuk e ka fare në vëmendje respektimin e prezumimit të pafajësisë si standard të republikës për rastet e ndjekjes penale të të gjithë qytetarëve të saj, por shqetësohet vetëm kur ndjen se diçka rreth saj, apo për të, nuk shkon.

    Prokuroria e Përgjithshme në punën e saj të përditshme fillon me dhjetëra procedime penale për të gjithë shtetasit dhe nuk është parë ndonjë shqetësim i bërë publik nga klasa politike rreth prezumimit të pafajësisë. Por kur këtë e bën SPAK, zëri ndihet si jehonë. E njëjta gjë për sekuestrimet apo për kontrollet e banesave të kryera me urdhër të kësaj prokurorie. Pa folur këtu për shoqërimet e shumta të bëra nga ana e policisë apo sjelljet e hetuesve ndaj të pyeturve gjatë procesit të marrjes në pyetje. Kjo do të thotë që e drejta për drejtësi të paanshme, respektimi i prezumimit të pafajësisë, e ruajtjes së integritetit të personit të hetuar e shumë të drejta të këtij lloji flasin për një të drejtë universale dhe jo vetëm për një të drejtë e gëzuar nga një kastë e caktuar që komandon jetën politikoekonomike të vendit. Janë shkallët e organeve gjyqësore, ato që i kontrollojnë veprimet e SPAK dhe të Prokurorisë dhe fakti se përderisa nuk ka të ngritur ndonjë shqetësim publik të bërë nga politikëbërja, duke se gjithçka është në rregull dhe “çalon SPAK-u”.

    Edhe prokurorët e SPAK-ut mund të kenë gabimet e tyre, por nuk duhet harruar fakti se janë vetëm një grup i vogël, me ngarkesë kolosale. Kjo sepse ndryshe nga një vend normal ku korrupsioni dhe grupet kriminale si devijanca sociale janë në një raport shumë minoritar me popullatën e një vendi, në Shqipëri korrupsioni politik ka shtrirje mjaft të gjerë dhe nuk ekziston në formë devijance individësh, por si plagë me konsensus të gjerë social, për të mos thënë që është përdorur jo pak edhe si formë qeverisjeje.

    Ajo që duhet të bëjë klasa politike e vendit është që të studiojë më vëmendje vendimet e të gjitha shkallëve të gjyqësorit lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të organeve të akuzës apo me shpalljen si i fajshëm apo i pafajshëm, të shohë jurisprudencën e kolegjeve të bashkuara për problemet që e shqetësojnë dhe më pas të analizojë mundësinë e ndërhyrjeve ligjore me karakter reformator. Ndërhyrjet e shpejta, pa pritur ende konsumimin e të gjitha shkallëve të gjyqësorit të procedimeve të kryera nga SPAK, çon në rregullime që mundësojnë përfitime jolegjitime të kujtdo qoftë.

    Megjithatë, nisur nga gjithçka që është bërë publike deri më sot lidhur me veprimet e kryera nga SPAK dhe shigjetat direkt dhe indirekte kundër tij, flasin që jemi në kushtet e një politike autokrate aspak e shqetësuar për drejtësi për të gjithë, por për një shtresë që ka filluar të ndihet e ngacmuar në rehatinë e saj, më shumë nga çfarë mendohej. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Pse shkoi Rama në Greqi

    Lajmi i rradhës

    Dy akuza të reja ndaj Ramiz Merkos

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë