Ese me një dozë spec djegës, kripë, sheqer, zeher…

    XHEVAT MUSTAFA 

    Edhe pse krijimi i Federatës së “të djathtës” është thjeshtë një ide, e porsa hedhur në media, debati ka marrë flakë e po flakëron nga nervat dhe goja jo pak, kryesisht “të djathtë” me doza të forta apo të lehta djathtizmi! Por, jo pak edhe nga ata “të pavarur”, që erërat ua marrin nga të fryjnë bindjet, anësitë, votat…

    Natyrisht, edhe plot “të majtë”, enveristo-edramistë, që aktrojnë “të shqetësuarit e të pagjumët” për gjendjen në të cilën është katandisur PD-ja dhe mbarë opozita. Këta, pasi derdhin “lot krokodili” për PD dhe opozitën, kthejnë vështrimet nga Surreli dhe Dajti i luten Zotit të jetojë edhe më shumë se Xhorxh Soros dhe Henri Kissingeri, “zemra” e tyre, domethënë ai i gjati. Meqenëse jam shqiptar e në Shqipërinë 2023, me jo pak ngjashmëri me atë 1943, 1953, 1963, 1973, 1983, 1993, 2003, 2013 nuk mund të rri të bëj spektatorin, sikur ata mijëra në shkallët e stadiumit “Air Albania”, në një ndeshje që qysh nga larg vjen era pazar apo “japrak” dhe SPAK!

    Prandaj, po përfitoj nga rasti të shpreh mendimin tim personal, me shpresë se nuk do të humbë si në shkretëtirë apo si nëpër parlament, si në Surrel, si në një aktiv apo kuvend partiak! Domethënë, edhe si në një mulli me ujë, ku bluhet miell, edhe pa një kokërr misër, grurë, elb…

    Sipas opinionit tim “të thelluar” dhe “fryt i një vramendjeje të gjatë”, kryetar i kësaj “federate të re”, me pak ndryshime si ato qëmoti, sidomos në emra e fytyra dhe nga renditja e tyre mund të jetë vetëm një njeri që ka lind deri më sot nana, për t’i bërë dhe drejtuar të tana! Domethënë: Edi Rama! Kur ka 18 vjet që po bën “me largpamësi dhe suksese historike” kryetarllëkun e PS-së; kur për afro 13 vjet ka bërë kryetarllëkun e Bashkisë së Tiranës, duke “e lulëzuar” me kulla e kafene; mbi 10 vjet atë të qeverisë së Shqipërisë, që ka marshuar nga “fitorja në fitore”, duke mbetur po aty ku ishte më 29 nëntor 1944, domethënë në fund të listave evropiane; kur prej të paktën 5 vitesh po bën “përmbytur me sukses liderin global e ballkanik”, përse të mos bëjë edhe atë të “federatës së djathtësisë”?!

    Nuk mund të mos llogariten edhe katër avantazhe të tjerë, njëri më i rëndësishëm apo vendimtar se tjetri! I pari, lehtësohemi nga një krah! E ç’na duhen dy krahë në politikë dhe qeverisje, pozitë dhe opozitë, kur kemi dy veshë, dy sy, dy… gjinj, dy duar, dy këmbë… e ca të tjera, ne meshkujt, mes këmbëve…?! Pse, budallenj ishin Stalini dhe Enveri apo janë sot Putini, Kim Jong Un-i… që mbanin dhe mbajnë në pushtet vetëm një parti dhe vetet e tyre të plotfuqishëm si shtet e mbret?! I dyti, liderët e copave të PD-së dhe partijëzave të opozitës, Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka, Kujtim Gjuzi, Vangjel Dule nuk sherrosen, as me fjalë të ashpra e sharje të paedukata e jo më grushte e shkelma, mes njëri-tjetrit për kryetarllëkun…!

    I treti, duke e rrëmbyer Edi Rama sa më shpejt dhe “me konsensus të plotë” mes partive opozitare edhe kryetarllëkun e “Federatës së të djathtës” shmanget kapja e këtij posti nga Sali Berisha, bërë si bërë ‘non grata’, falë edhe mbështetjes internacionaliste të McGonigalit dhe përgjumjes së shpeshtë, edhe në zyrë, takime, veprimtari publike… të Joe Bidenit, por gjithsesi “non grata”, të paktën deri sa të jetë gjallë Xhorxh Soros. Për më tepër, shmanget edhe një e keqe tjetër e mundshme, sidomos për vetë PD-në dhe opozitën.

    Fjala është që Berisha, pasi t’i mbushë mendjen vetes për të mos qëndruar deri në frymën e fundit si kryetar i PD-së dhe si kandidati i parë më i mundshëm për të marrë fronin dhe spektrin e “mbretit” në federatë, ua fal zyrtarisht “të gjitha pushtetet e sovjetëve” të bijës, Argitës. Merret me mend se kjo nuk do ta lërë me gishta në gojë, pa asnjë copë PD, bashkëshortin, me të cilin ka ndarë e do të ndajë jo vetëm të mirat, por edhe të këqijat, jo vetëm dhuratat, por edhe “gjobat”…

    I katërti, duke i pas Edi Rama të dy krahët, domethënë “të majtën” dhe “të djathtën” në një thes, çantë, kasafortë, sirtar, xhep…vetëm ai mund t’i bëjë zap të mos bëjnë sherre e dhunë në parlament, por të përqafohen me mall e me zjarr! Përse jo, pas paqësimit apo pajtimit historik mund të festojnë duke pirë uiski, shampanjë, verëra shumë të shtrenjta, raki Skrapari, Përmeti, Librazhdi, Boboshticë, birrëra, pse jo përzier edhe me ca doza “bar”, sa të dehen dhe të kërcejnë kapur për krahësh si “opozitarë dhe vëllezër”?! Dhe pastaj, të ulur për të ngrënë e pirë mund të këndojnë nën dirigjimin e Edi Ramës këngën “Xhamadani vija vija, na rrofshin Xhorxh Sorosi, Edi Rama, Sali Berisha, SPAK- u dhe partia…”!

    Kështu që pasi të na bëhet Edi Rama “jo si burri i nënës”, as tamam si Enveri, por si kryetar i “Federatës së të djathtës”, na takon të shkojmë sa më shumë që të jetë e mundur ose përreth “kështjellës” së tij në Surrel, ose përreth kryeministrisë (larg qoftë, jo për protestë), por për ta lumturuar Edi Ramën e parë e të fundit!

    Ai mund të fluturojë nga gëzimi dhe të dalë të na përshëndesë siç e ka bërë e ëma, duke na parë e dëgjuar të brohorasim sa të na ngjiren zërat: “Rroftë e qoftë sa t’i thotë truri, Kryetari i Federatës së të djathtës me zemër, origjinë, partishmëri, besë, pabesi, talent mashtrimi, ligësi gjenetike dhe karakteristike, nga e majta dhe si e majta”! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Humbja e kujtesës

    Lajmi i rradhës

    Gjermani, është rritur përqindja e punonjësve me kohë të pjesshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë