Rezultati në PISA më i lartë se qeveria “analfabete funksionale”

    QEMAL ÇEJKU 

    Reflektime pas daljes së rezultateve të PISSA-2022 (edhe pse reflektime ka pasur në kohë reale nga ata që hapin sytë për të lexuar në kohë gjërat që nuk shkojnë). Sot Banka Botërore e quante “Kriza e të mësuarit”, por nëse institucionet arsimore dhe ata që duhet të bëjnë politika arsimore do të zbatonin rekomandimet e raporteve periodike për arsimin si në pandemi dhe pas pandemisë, apo rekomandimet e neve pak zërave që kemi mërzitur shumë optimistët, nuk do të ishte arsimi këtu ku është sot. Ka humbur besimi tek mësimi.

    Po ndiqja një kronikë në një TV sot: nxënësit nuk donin ta dinin se po bëhet një test PISA, sepse kur nxënësit bëjnë provimet e maturës do të marrin një vlerësim fiktiv, ose në raste jo shumë të rralla maturantë kanë negociuar me Ministrinë Arsimit dhe kanë kapur objektivat.

    Pa përmendur pastaj garën e etur për një renditje dinjitoze në rankimin sipas “Kartës së performancës”, shpikje që po çon më shumë ujë në mullirin e fiktivitetit. Pra, ka humbur besimi në arsim për shumë arsye, por nëse do t’i stërthemi akoma, do të na thonë:-Shiko këta që vetëm flasin keq, se arsimi po ecën përpara si ekonomia etj.. Tërmeti kishte shkatërruar sistemin arsimor në 11 qytete, pra optimistët duan të ligjërojnë vjedhjen më të madhe të ndodhur në këtë vend me fondet e tërmetit. Jo të dashur misionarë të shkatërrimit total të shoqërisë, tërmeti ishte në Thumanë e pak Fushë-Krujë, por jo në Kamëz e jo e jo në Tiranë.

    Tërmet kishte në Durrës e jo në Fier e Elbasan, por ju keni plaçkitur fondet për rindërtimin dhe zonat e vërteta të tërmetit akoma nuk janë rindërtuar. Kriza e të mësuarit po ndodh tani me politika optimisto-propaganduese, por pa para, sepse ato i keni futur në biznese. Buxheti prej 2.55% të GDP i llogaritur për arsimin nuk përmbush nevojat e një arsimi cilësor.

    Nga të dhënat publike të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave dhe INSTAT-it, nuk rezulton që formula e llogaritjes “për fëmijë” të jetë zbatuar ndonjëherë, gjatë përgatitjes së buxhetit për arsimin në Shqipëri, ndaj ekziston edhe një diferencë kaq e gjerë ndërmjet nevojave të fëmijëve dhe asaj që qeveria investon për arsimimin e tyre.

    Pa përmendur pastaj politikat vetëm në letër për implementimin e kurrikulës së re të cilat duan mjete, hapësira dhe mbi të gjitha staf të kualifikuar me trajnime të mirëmenduara, jo me kartonë kreditesh që janë ekskluzivitet i “qokave partiake”. E vetmja nga qeveria që iu “përgjigj” rezultateve të PISA është Bashkia Tiranë, që rrit në mënyrë abuzive e të paskrupullt taksën e infrastrukturës arsimore. Nuk mund të ecet përpara pa vënë si duhet piketat tek arsimi. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Të rinjtë tanë toksikë!

    Lajmi i rradhës

    Lëvizja Besa: qeveria i ka prioritet kazinot, nuk ka interes realizimin e autostradave në vendbanimet shqiptare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë