Shengeni zbret në Ballkanin Perëndimor

    PËLLUMB NAKO

    Duke nisur nga 1 janari i vitit 2023, Kroacia do të jetë pjesë e hapësirës evropiane  Shengen, duke e çuar numrin e saj në 27 vende. Po ashtu, në fillim të këtij viti, ky vend parashikohet të jetë edhe pjesë e zonës Euro. Në këtë mënyrë, Kroacia mbetet shembulli më ideal i një vendi të vogël ballkanik, i cili arrin të kurorëzojë një integrim të plotë dhe me ritme të shpejta në Bashkimin Evropian.

    Pra, vetëm 9 vite pas hyrjes në këtë organizëm. Në kushte të tilla, mund të thuhet se në fillim të vitit 2023 kufijtë e Bashkimit Evropian do të zgjerohen edhe me një vend tjetër mjaft afër veriut të Shqipërisë. Vend ky që vetëm pak vite më parë, si Shqipëria jonë, konsiderohej pjesë përbërëse e zonës së Ballkanit Perëndimor. Termi “Ballkani Perëndimor” është një gjetje gezetareske e viteve 1991-1992, kur në rajon filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

    Brenda këtij emërtimi fillimisht përmblidheshin gjithë ish-republikat jugosllave, me përjashtim të Sllovenisë dhe Shqipëria. Aktualisht, as në zhargonin gazetaresk dhe as në diskutimet e niveleve të ndryshme të politikës ndërkombëtare, Kroacia nuk konsiderohet më si pjesë e Ballkanit Perëndimor që nga momenti kur vendi hyri në Bashkimin Evropian në vitin 2013. Në harkun e nëntë viteve, Kroacia, vend i vogël, thuajse fqinj me Shqipërinë, u bë pjesë përbërëse me të drejta dhe detyrime të plota e Unionit. Ndërkohë, dy vende të tjera po ballkanike, Bullgaria dhe Rumania, megjithëse kanë hyrë në Bashkimin Evropian shumë më përpara se ky vend (në vitin 2004) nuk mundën të jenë pjesë e hapësirës Shengen.

    Thënë me fjalë të tjera, kufijtë e Bashkimit Evropian po zbresin në vendet e Ballkanit mbi bazën e parimeve të shpallura prej tij dhe që bazohen mbi meritën dhe reformat e ndërmarra nga çdo vend. Në rastin konkret, Kroacia u pranua me unanimitet të plotë, kurse Bullgaria dhe Rumania u penguan përsëri për të hyrë, megjithëse të dyja vendet presin dritën jeshile që nga viti 2011 kur kërkesa e tyre e parë për të hyrë në Shengen u hodh poshtë nga vende si Franca, Gjermania, Finlanda, Suedia, Holanda dhe Belgjika. Kurse këtë radhë vetoja e refuzimit u vendos nga Austria për Bullgarinë dhe Holanda për Rumaninë.

    Ajo që bie në sy, duket fakti se këto dy vende përngjasojnë dukshëm me vendin tonë (pavarësisht se në nivele të ndryshme integrimi) në raport me rastet e përsëritura të refuzimit të hasur nga vende të veçanta evropiane. Më konkretisht, Shqipëria u pranua si vend kandidat më 2014 dhe në vitin 2022, pra, 8 vite më pas, mori rekomandimin për hapjen e negociatave, kurse Rumania dhe Bullgaria kanë aplikuar për në zonën Shengen që në vitin 2011 dhe përsëri këtë vit kërkesa e tyre u rrëzua. Këto ngjarje kaq të rëndësishme pozitive jo vetëm për Kroacinë, por edhe për rajonin, përfshi vendin tonë, nuk janë bërë të pranishme shumë në median e shkruar dhe vizive. Por në këtë të fundit madje ka ndodhur e kundërta.

    Ka pasur analistë e analiste, të cilët e lidhin vështirësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian me fenë islame, e cila dominon popullsinë shqiptare. Madje, në këtë rast janë bërë edhe paralelizma me Turqinë. Në thelb, sipas tyre, Shqipëria e ka shumë të vështirë hyrjen në Bashkimin Evropian sepse është vend me shumicë myslimane, pavarësisht se diçka e tillë nuk thuhet hapur nga vendet evropiane. Por ndërkohë shembulli i përpjekjeve të Bullgarisë dhe Rumanisë për të hyrë në Shengen, të krahasuara me kërkesën e Shqipërisë për të hapur negociatat, flasin për një logjikë krejtësisht të ndryshme. Shqipërisë iu deshën të presë 8 vite për të hapur negociatat, kurse dy vendet, Bullgaria dhe Rumania, kanë 11 vite që presin dhe ende as këtë vit nuk do të hyjnë në hapësirën evropiane.

    Nuk ka të ngjarë që sipas logjikës së analizave të mësipërme, Kroacia të jetë favorizuar se është katolike dhe Bullgaria e Rumania të jenë denigruar sepse janë ortodokse. Pra, nga njëra anë kemi Shengenin që zbret në një vend dikur pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe nga ana tjetër dy vende të tjera po ballkanike, të cilëve u refuzohet kjo hyrje për shkak të korrupsionit dhe luftës së pamjaftueshme kundër krimit të organizuar. Pavarësisht se kanë 11 vite që presin të hapet dera e Shengenit, pavarësisht se në stade të ndryshme, ndryshe nga ç’pretendohet nga analizat mediatike të ditëve të fundit, Turqia, Shqipëria dhe Bullgaria e Rumania në rastin tonë konkret, e kanë problemin diku tjetër dhe jo në fenë islame apo ortodokse të popullatës së tyre.

    Të vesh në dukje përkatës inë fetare islame në dominancë të popullsisë shqiptare si vështirësi për të aderuar në Bashkimin Evropian në një kohë kur ky i fundit vetëm pak kohë më parë i ka dhënë ultimatum të qartë qeverisë shqiptare për të hequr dorë nga pasaportat e arta dhe amnistia fiskale, do të thotë t’i dredhosh problemit real. Do të thotë ta mbulosh atë dhe të fillosh të krijosh një terren të përshtatshëm për të justifikuar në publik, hapat e ardhshëm në raport me dy ngërçet e rënda të cituara më sipër. Po ashtu edhe lidhja e procesit të integrimit të Shqipërisë me Turqinë nuk i përgjigjet një realiteti të qartë.

    Shqipëria nuk rrezikon sepse ka shumicën e popullsisë myslimane. Rreziku i saj real është kthimi në një satelit të një vendi mysliman me parametra demokracie shumë larg asaj që gëzojnë vendet e Bashkimit Evropian. Larg teorive konspirative, Bashkimi Evropian nuk i ka fshehur rrënjët kristiane të qytetërimit të tij. Por në ndërtimin evropian, nëse i referohemi Robert Shumanit, themeluesit të saj, nuk merret parasysh vetëm trashëgimia judeo-kristiane, por edhe ajo e civilizimit greko-latin. Shqiptarët, duke qenë autoktonë në trojet e tyre, gëzojnë si trashëgimi edhe civilizimin greko-latin. Pra, para Krishtit dhe Islamit. Për më tepër, nëse do të përmendnim përsëri Robert Shumanit kur flet për identitetin evropian, ai nuk i referohet fesë, por flet për rrathët koncentrikë të identitetit. Më konkretisht ai shprehet:

    “Kështu edhe identiteti i evropianit të lindur, do të ndërtohet nga rrathë që kompletohen dhe pasurohen reciprokisht. Evropiani është me origjinë nga një lokalitet, nga një provincë, nga një shtet që përbëjnë tre përbërësit bazë të tij. Krijimi i Bashkimit Evropian shton edhe një të katërt”. Pra, përcaktimi i identitetit evropian sipas Shumanit është i qartë. Në kontekstin e identitetit të një individi në Shqipëri do të kishte katër rrathë koncentrike. Një person nga fshati Voskopojë, rrethi Korçë, Shqipëri. Rrethi i katërt, sipas Shumanit, është Evropa jo thjesht dhe vetëm në aspektin e saj gjeografik, por edhe si ndërtim politik. Pra, në finale çdo individ i lindur në një fshat të Shqipërisë sipas shembullit konkret do të ishte voskopojar, korçar, shqiptar dhe evropian. Ka ndonjë shqiptar që nuk e sheh në këtë mënyrë identitetin e tij? /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ronaldo pranë transferimit në Arabi, Al Nasr bën gati datat për vizitat mjekësore

    Lajmi i rradhës

    Alarm i rremë për bombë në një shkollë në Ohër

    Lajme tjera

    Në shekullin XXI

    LEONARD DEMI Një vit më parë, Rusia, një shtet europian, fuqi bërthamore, anëtare e përhershme e Këshillit të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë