Shërbëtori i diktatorit

    Foto: Boris Müller/Tages Anzeiger, Zürich

    ENVER ROBELLI 

    Goran Bradiq është ambasador i Serbisë në Bern. Prejse është emëruar në këtë post (më 2019), Bradiq, e ushtron para së gjithash një veprimtari, të cilën, me sa duket, e njeh mirë: përhapjen e propagandës! Në shënjestër i ka sidomos gazetarët (si autorin e këtyre radhëve), të cilëve u dërgon letra të gjata deri në pesë faqe dhe në të cilat si një robot përsërit propagandën serbomadhe të viteve ‘90, të “stolisur” me manipulime të reja.

    Në shënjestër të gospodin Bradiqit janë edhe politikanët zviceranë, të cilët përkrahin pavarësinë e Kosovës, të cilët kanë ndikuar që Zvicra përmes ambasadorit të saj në OKB të përmendë – për herë të parë – në Këshillin e Sigurimit pavarësinë e Kosovës si opsion të vetëm dhe të cilët edhe sot angazhohen për Kosovën.

    Bradiq nuk ndalet. Së fundi, siç mora vesh, i kishte shkruar një deputeti socialdemokrat një grumbull gënjeshtrash mbi historinë e konfliktit të Kosovës. Për të kursyer nervat e lexuesve nuk do të citojmë këtu nga letrat e Goran Bradiqit, të cilat tingëllojnë si ditari (“dnevniku”) i RTS-it në vitet ‘90, të cilin e moderonte Millorad Komrakovi.

    Goran Bradiq është i mllefosur dhe arsyeja, mes tjerash, gjendet te një shkrim i botuar në gazetën “Tages Anzeiger” më 2019, me rastin e emërimit të tij si ambasador i Serbisë në Bern. Atëkohë, gazeta e prezantoi Bradiqin në një faqe, por jo siç e kishte pritur. Një koleg imi, i cili në fund të viteve ‘90 ka raportuar mbi luftën në Kosovë dhe terrorin serb ndaj popullit të Kosovës, tregoi në tekst se si Bradiq – si atashe për shtyp në Ambasadën e Serbisë në Vjenë – ua bënte jetën ferrgazetarëve perëndimorë, të cilëve nuk u lëshonte viza për të shkuar në Jugosllavinë e atëhershme të cunguar.

    Qëllimi i këtij ndëshkimi burokratik ishte i qartë: gazetarët nuk duhej lejuar të arrijnë në Kosovë dhe të raportojnë nga atje. Bradiq merr vesh nga propaganda dhe manipulimet, sepse para se të bëhej propagandist me letra në shërbim të shtetit serb, ka qenë korrespondent i agjencisë serbe të lajmeve TANJUG, edhe kjo kampione e antigazetarisë.

    Kur gazetarët shkonin në zyrën e Bradiqit në Vjenë për të dorëzuar formularin për vizë, ai ua tregonte ndonjë artikull që nuk i kishte pëlqyer. Artikulli zakonisht ishte i nënvizuar me ngjyrë të kuqe. Sa më shumë nënvizime, aq më të vogla shanset për të marrë vizë. Bradiq e pyeste gazetarin: “Si mund ta quani presidentin tonë diktator?” President ishte diktatori Sllobodan Millosheviq. Në kohën kur Bradiq ishte atashe për shtyp në Vjenë, shkrimtari austriak, Peter Handke, i njohur si propagandist serb, mori dhuratë një pasaportë jugosllave (serbe) për të kryer udhëtimet e tij “hulumtuese” në Jugosllavi. Sa u përket “hulumtimeve” të Handkes: ato kryesisht koncentrohen në kafehane të provincës serbe, me shumë raki dhe këngë nga turbo-folku i famshëm e famëkeq serb, ku lartësohen krimet dhe poshtërohen viktimat.

    Megjithatë, nuk duhet nënçmuar veprimtarinë e Goran Bradiqit. Një ves i propagandistëve është këmbëngulja e tyre në përhapjen e propagandës. Pas shumë vërtitjeve me letra, diku ata gjejnë një fole. Momentalisht propaganda serbe në Zürich e ka gjetur adresën: te revista e djathtë “Weltwoche”. Aty shkruan tekste Predrag J. Markoviqi, “historian” nga Beogradi dhe funksionar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), pra partisë së Millosheviqit. Këtë informatë “Weltwoche” nuk e bën publike, Markoviq prezantohet vetëm si historian.

    Së fundi, ish-politikani Christoph Mörgeli nga partia e djathtë populliste SVP shkroi se më 6 qershor katër të rinj me flamur shqiptar paskëshin bërë fotografi, paskëshin treguar gishtin e mesëm dhe paskëshin fyer para Ambasadës së Serbisë në Bern. “Këtë rast e kanë regjistruar kamerat e sigurisë”, shkruan Mörgeli. Athua Mörgeli ka qasje në regjistrimet e kamerave të sigurisë të Ambasadës së Serbisë në Bern? Kjo mbetet pyetje mjaft interesante.

    Sanija Ameti, një politikane liberale zvicerane, e lindur në Bosnjë dhe e rritur në Zvicër, të cilën Mörgeli e atakon shpesh, pra Sanija Ameti para disa muajsh deklaroi atë që me gjasë e mendojnë jo pak njerëz në Zvicër: revista “Weltwoche”, sipas Ametit, “është kolona e pestë e Vlladimir Putinit në Zvicër”.

    Në përgjithësi, Mörgeli duket se ka problem me gra – më konkretisht me gra të mençura. Atij, për shembull, nuk i pëlqen se si raporton për Zvicrën korrespondentja e gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Brenda një viti Mörgeli e ka përmendur Kosovën në 26 shkrime, gati 26 herë – negativisht. Kur s’merret me Kosovën, merret me etiketim të grave që kanë mendim dhe që e thonë mendimin e tyre. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Dhjetë trajnerët më të mirë në botë në sezonin e fundit

    Lajmi i rradhës

    Jeta e gjatë e fjalës “terror”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë