Rilind Dauti
Publicist
Kur ta vendosësh në vështrim të logjikës më bazike, monarkia trashëguese është fundamendalisht e palogjikshme. Përse froni mbretëror t’i takojë vetëm një familje të caktuar? A nuk ka njerëz të denjë për pushtet edhe prej familjeve tjera brenda një populli? Më tej, brenda asaj familje, përse mos të ketë konkurrencë të hapur, por froni të trashëgohet sipas linjës së trashëgimisë të paracaktuar më herët?
Kjo mënyrë jodemokratike e marrjes së pushtetit, bashkë me dëmet katastrofike të monarkëve që vepronin kokë në vete (si Kaiser Wilhelmi që Gjermaninë e çoi buzë humnerës), ka çuar te zëvendësimi i tyre në Evropë me republika. Por jo të gjitha, sepse shumë monarki kanë mbijetuar duke e zvogëluar pushtetin e monarkut në minimum, pastaj duke e reduktuar në asgjë.
Nevoja për ta legjitimuar ekskluzivitetin e fronit, qoftë kur monarkët kishin pushtet real, qoftë më vonë kur u bënë krerë shteti pa pushtet, ka nxitur nevojën që anëtarët e familjeve mbretërore të dëshmojnë se edhe ata bëjnë diçka për shtetin dhe shoqërinë. Mënyra më e njohur për këtë, së paku për anëtarët meshkuj, është shërbimi ushtarak. Dhe, në dallim nga ajo që mund ta besojnë shumë njerëz, që anëtarët e familjeve mbretërore janë të privilegjuar dhe mbahen jashtë rrezikut, kjo nuk është domosdo e vërtetë. Diçka e tillë mbase mund të thuhet për princërit që janë të parët në linjën e trashëgimisë, por ata që janë pak më poshtë ose janë bashkëshortë të princeshave, me të vërtetë kanë marrë pjesë në luftime. Te familja mbretërore britanike, që për kohën tonë identifikohet me Elizabetën II, i tillë është rasti me shumë meshkuj të familjes së saj. I ati i saj, sa ishte princ dhe i dyti në linjën e trashëgimisë, pati luftuar në Luftën e Parë Botërore. Njëri nga axhallarët e saj, Princi Xhorxh, e pati humbur jetën në një aksident gjatë një misioni në Luftën e Dytë Botërore, ku po ashtu pati luftuar Princ Filipi, që fill pas luftës do të bëhet bashkëshorti i saj. Ndërkaq, bashkëshorti i dytë i të bijës së tyre, Anna, ka marrë pjesë në misionin e NATO-s kundër serbëve të Bosnjës gjatë luftës atje. Nipi i Elizabetës II, Princi Herry, ka luftuar në Afganistan, dhe në fund do ta përmendim atë që me siguri i është dhimbsur më shumë se të gjithë këta të tjerët: i biri i dytë i Elizabetës II, Princi Endrju.
Kur më 1982 shpërtheu Lufta e Ishujve Falkland, kryeministrja Margaret Thaçer i pati ofruar Mbretëreshës që të birin e saj ta tërhiqnin në ndonjë detyrë zyre larg frontit të luftës, por Mbretëresha, bashkëshorti i saj Filipi, dhe vet Princi Endrju e patën refuzuar këtë ofertë. Përkundrazi, princi 22-vjeçar tregoi përkushtim të plotë ndaj detyrës dhe trimëri të vërtetë si pilot gjatë luftimeve, kur si mision kishte që helikopterin e vet ta përdorte si karrem të raketave të armikut që cak kishin anijet, ndërkaq, në ato anije që armiku kishte arritur t’i godasë dhe tashmë digjeshin, princi e pilotonte helikopterin me mision evakuimin e viktimave, përkundër tymit të dendur.
Pas pjesëmarrjes së tij në këtë luftë, ai e vazhdoi karrierën në kohë paqe si instruktor për pilotë të rinj dhe komandant anijesh në vise të largëta me muaj të tërë, gjë që i kushtoi me ngarkesën e martesës dhe, në fund, divorcin nga bashkëshortja, me të cilën, çuditërisht, e ka ruajtur afërsinë jashtë kurorës. Por kjo është larg nga mëkati i tij më i madh në sjellje të pahijshme për një royal. Siç dihet, Princi Endrju u bë më famëkeq për afërsinë me miliarderin pervers Xhefri Epstajn. Këtë afërsi e ka zhvilluar pas pensionimit nga forcat e armatosura dhe kur u shndërrua në një lloj përfaqësuesi tregtar të Mbretërisë së Bashkuar. Ndonëse vet kjo afërsi nuk e bën atë të pazakontë nga një grumbull të famshëm të tjerëve që kanë frekuentuar ahengjet jomorale në pronat e Epstajnit, vetëm ndaj Princit Endrju rëndon akuzë për përdhunim. Kjo akuzë dhe disa dokumente turpëruese që dolën gradualisht ndër vite çuan te marrja e meritave që ka fituar ndër vite – kolonel nderi i njësive ushtarake, patronatet e OJQ-ve… Thuhet se Princi Endrju ka qenë fëmija i preferuar i Mbretëreshës, prandaj dhe ajo e ka mbrojtur nga pasoja edhe më të rënda, por kur ajo ndërroi jetë dhe erdhi në fron Çarllsi, bashkë me detaje të tjera që dolën në pah dhe të tjera që nuk dihen, por mbase inteligjenca britanike di për to, çuan te anatemimi i mëtejshëm i tij. I brengosur për pasojat e mundshme që ky skandal mund të ketë për mbijetesën e monarkisë në të ardhmen, Çarllsi e “sakrifikoi” vëllanë duke ia marrë të gjitha titujt dhe privilegjet, me qëllim të sigurimit të fronit për pasardhësit e vet: të birin William, nipërit e mbesat, dhe pasardhësit e mëvonshëm që do të vinë.
Sado që “pasojat” e deritanishme për Princin Endrju mund të duken të vogla (ia kanë marrë vetëm titujt dhe Mbreti e ka syrgjynosur në pronën e vet me të gjitha të mirat), për dikë që është mësuar me vëmendjen pozitive dhe respektin që ia sjell të qenit i lindur në privilegj, është dënim në vetvete, plus që ia kanë mbyllur edhe burimet e të ardhurave përveç pensionit nga forcat e armatosura, që e ka fituar me meritë dhe nuk mund t’ia marrë askush.
Nëse do t’i jepnim një shpjegim metafizik, degradimi publik i Princit Endrju mund të jetë zënie e hakut të njerëzve të shumtë ndër dekada me të cilët është sjellë me arrogancë. Dhe prej tij mund të mësohet se duhesh të jesh më i kujdesshëm se me kë shoqërohesh, përndryshe nuk të sjellë dobi as fakti se je hero i luftës, dhe sado që prindërit të kenë jetën e gjatë, një ditë nuk do t’i kesh prindërit e respektuar nga publiku që të mbrojnë nga pasojat e sjelljes së keqe. /Nistori/
*Rilind Dauti është kolumnist i rregullt i Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






