Shkruaj për ta nxjerr lëmshin nga gjoksi se ndryshe ma zen frymën – Valdeta Dulahi vjen me librin e parë “KRAHNEZË”

    Valdeta Dulahi është nga fshati Veshallë, qyteti i Tetovës. Ka mbaruar studimet në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë shqipe dhe letërsi, në Universitetin e Tetovës. Aktualisht është mësimdhënëse në SHMPK Gjoce Stojçeski – Tetovë. “KRAHNEZË ” është libri i saj i parë me poezi.

    Intervistoi | Donika Bakiu

    Nistori: Kur keni filluar t’i shkruani vargjet e para?

    Valdeta Dulahi: Jo shumë herët, në klasën e shtatë. Vargje, që më vonë kur i kam lexuar nuk më kanë pëlqyer, më janë dukur si një grumbull fjalësh që përbënin ndjenjat e një vajze të vogël e humbur në një luginë, të një mali të madh, siç është Sharri.

    Nistori: Nga cili poet keni pas frymëzimin?

    Valdeta Dulahi: Kur kthej shiritin e kujtimeve të leximit të asaj kohe, më vjen keq jo vetëm për veten, por edhe për nxënësit që u shkolluam në atë kohë, sepse kishim pak lektyra, për të mos thënë vetëm “Lugjet e verdha”, librat me poezi siç kishin shkollat në qytet as nuk arrinin deri atje te ne. Disa revista për fëmijë, mbaj mend ‘’Fatosin’’ e bleja sa herë dhe mezi prisja të vinte koha për numrin tjetër. Pra nuk ka një poet të veçantë që do thoja ishte ky që më beri ta dua poezinë.

    Nistori: Keni marrë disa çmime për poezi, na i thoni disa?

    Valdeta Dulahi: Më bëre të nxjerr arkivat, sepse çdo gjë që ka të bëj me data, vite i shënoj ende në një fletore që e mbaj me vete përherë, si babalok, sepse nuk i mbaj mend. Çmimin e dytë e kam marrë në korrik të vitit 2017- të nga Shoqata e Shkrimtarëve ” Oeneum”, po në këtë vit, në nëntor, në kuadër të Manifestimit “Tetova Feston Nëntorin – 2017″ mora çmimin e parë nga Komuna e Tetovës, pastaj te SH. G. B. Menada, çmimin ” Menada”, vitin që kaloi.

    Nistori: Në librin “Krahnezë”, çfarë përcjellin poezitë? Ku ka qenë qëllimi juaj, mezashi për lexuesin?

    Valdeta Dulahi: Libri ndahet në katër kapituj: Apoteozë, Me motivet tona, Shënjim dhe Toka e dallëndysheve. Kur shkruaj nuk kam në mendje se çka do të përcjell poezia ime, shkruaj për ta nxjerr lëmshin nga gjoksi se ndryshe ma zen frymën, më bën si me qenë pa kokë. Duket sikur e kam hequr një ngarkesë të madhe nga vetja. Poezia është frymë, jetë…. gjithçka.

    Nistori: Pse titulli është “ Krahnezë”?

    Valdeta Dulahi: Fjala ‘’krahnezë’’ është edhe në fjalor, por vetëm një herë është përdorur në libër, te poezia ” Bota e një stine”. Ne në Sharr e përdorim “kranezë”, pra pa shkronjën h dhe tani që e them më dalin përpara dritaret që vinin kranezë dhe formonin piktura të ndryshme nga i ftohti. Pra, e ftohtë si fjalë, si unë, krahnezë… /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    A DO BËHET KY VEND – Kadriu: Shqiptarët më parë diskriminoheshin nga politika maqedonase, tani nga politikanët shqiptarë

    Lajmi i rradhës

    BE – Malit të Zi: Punoni për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e situatës

    Lajme tjera

    Jo progrom biznesit!

    Fatos Çoçoli E dimë të gjithë si qytetarë si kanë funksionuar deri tani sipërmarrjet shqiptare dhe sa defiçitar…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë