Shqipëria 2023, e gjunjëzuar nga katrahura e 4P-ve

    GJENERAL PIRO AHMETAJ

    Paraprakisht, për të evituar spekulimet me titullin, më duhet të qartësoj se: “4P-të janë respektivisht, Pluralizmi fasadë, fuqia e (mbi) Pushtetit, tradita e Pandëshkueshmërisë dhe Populizmi bolshevik”! Më konkretisht po paraqes një përmbledhje të rrëshqitjes së Shqipërisë-2023 (me 4P-të, më të deformuara cinikisht se 1991), por dhe të përballjes/betejës kryesisht të Drejtësisë/SPAK për të rikthyer besimin e shqiptarëve në modelet, parimet dhe vlerat e demokracive perëndimore, më specifikisht në standardet e euroatlantike mbi pluralizmin dhe balancat e pushteteve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare. Ndërsa për ilustruar, risjell në vëmendje që mbas shkrirjes së Traktatit të Varshavës në 1990, NATO “mbijetoi” dhe u konfirmua në tregun e sigurisë globale si Aleanca më e fuqishme e historisë së njerëzimit. Nëpërmjet politikës së zgjerimit, pra lançimit të Partneritetit për Paqe, NATO hapi dyert për vendet e bllokut komunist të Europës Lindore, përfshi edhe ndaj RPSSH, e cila në një dalldisje bolshevike deklaronte se: “Nuk ishte as lindje as perëndim, por fanar ndriçues dhe vetë udhëheqja e internacionalizmit botëror”. Për rrjedhojë të politikës së “dyerve të hapura” në tri dekada, NATO është dyfishuar, pra nga 16 deri në 1990, sot ka 31 vende, ndërsa me Suedinë që pret “veton e Ankarasë”, numri shkon në 32. Në procesin drejt integrimit vendet aspirante (përfshi RSH) “u vetangazhuan” se do të ndërmerrnin një paketë reformash kombëtare si dhe do të “monitoroheshin” të parapërmbushnin një liste kriteresh kritike.

    Së dyti, ndërsa për konceptin e “mbrojtjes pëllëmbë për pëllëmbë”, udhëheqësit/sunduesit e mbipushtetshëm (por të rrjedhur) të Shqipërisë së rraskapitur deri në vitin 1991, deklaronin se: “Po kur ta lypte nevoja do të fitonin edhe kundër fuqisë ushtarake të Traktatit të Varshavës ose të NATO-s, por po t’ua mbante edhe kundër të dyja Aleancave së bashku”! Pluralizmi politik dhe balancat e pushteteve ishin neni 55, pra terma që u kushtonte Shqiptarëve jetën, Spaçin, Qafën e Barit, kampet e internimeve etj.. Pas përmbysjes se komunizmit në 1991, Shqipëria ishte vendi i 4 nga lindja komuniste që aplikoi dhe u pranua zyrtarisht në PfP në 1994 dhe si aspirant (MAP) në 1999, duke konfirmuar vendosmërinë politike të Tiranës zyrtare për thellimin e reformave jo vetëm në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe në ato politike, ekonominë e tregut, paketën ligjore dhe të sigurisë së informacionit. Thënë këto, anëtarësimi i RSH në NATO (4 prill 2009) nuk ishte as ftesë për në dasmë, as fushë me lule. Politika e dyerve të hapura, (jo të shqyera si hani Stavros) vendosi “5 parime të panegociushme” të anëtarësimit: (1) pluralizmi partiak; (2) vullneti zyrtar për t’ju bashkuar Aleancës; (3) Balanca e pushteteve; (4) kontrolli civil demokratik mbi FA si dhe (5) reforma të gjithanshme të Sistemit të Sigurisë Kombëtare (konceptit, strukturave, infrastrukturave, pajisjeve, personelit dhe rregullave të angazhimit të FA). Kështu përsërisim se pluralizmi partiak (përfshi rotacionin politik) mbetet jetik për demokracinë funksionale, nuk ishte fjala kurrsesi për modele qesharake të “bashkimeve profesionale” të Ramiz Alis në 1991. Fatkeqësisht nuk është as për këtë realitetin fasadë mbas 32 vitesh (2023), ku udhëheqësit e gjithëpushtetshëm dhe të pavdekshëm të mbi 60 partive politike (që bëjnë edhe sikur kanë dhe forume, kongrese, kuvende, etj.). As për “skuthin e procedurave, pra mavro-kryetarin e PD-zyrtare”, që për 11 vjet e ka poshtëruar të djathtën nga humbja diskretituese 2017, në atë turpëruese në prill 2021, por (si Ali Komiku Bagdadit), marrëzisht: “rikthehet të kalërojë mbi një grusht egocentrikësh të sëmurë, në betejën për rotacionit politik që nën udhëheqjen e tij supreme do të realizohet ndoshta në dekadën tjetër…”! As turpi, as marrja, s’kanë të sosur, por as mëshira dhe as neveria nuk do të mjaftonte. Nënvizoj edhe njëherë se përveç pluralizmit politik, një ndër standardet thelbësore të reformave të sigurisë ishte/mbetet harmonizimi demokratik i balancave mes 3 pushteteve (Kuvendit, qeverisë dhe presidentit) si dhe decentralizimi i përgjegjësive të zbatimit në 3 hallkat e zinxhirit të zbatimit/komandimit në FA (C2).

    Së treti, në procesin drejt anëtarësimit të plotë (1994 – tetor 2023) RSH i përmbushi detyrimet dhe standardet e NATO-s, duke i mirë materializuar ato në Kushtetutë (kapitulli-15); në një paketë moderne ligjore, si ligjin: “Mbi pushtetet në FA”; SSK 2004, Strategjinë Ushtarake 2007, PAZH 2008-2020 si dhe në qindra vendimet e KM të (shpallura në Fletoren Zyrtare); Strategjinë Sektoriale dhe direktivat vjetore të MM”. Për këto etj., nga autoritetet e NATO-s në 2012-ën u konfirmua zyrtarisht RSH: “Ndër 5 vendet model për reformat, përmbushjen e standardeve dhe kontributeve në NATO”! Gjithsesi, duhet të mbajmë me mirënjohje në konsideratë që reformat si dhe përmbushja e standardeve (përfshi balancën e pushteteve) të NATO-s janë realizuar me mbështetjen dhe nën monitorimin e Zyrës Amerikane të Bashkëpunimit (ODC) si dhe Ekipin Këshillimor të NATO-s (NAT) në Tiranë. Së katërti, në kornizën ligjore të sipërpërmendur, ndarja e pushteteve, autoritetet e drejtimit politik, kontrolli civil demokratik dhe përgjegjësitë e zbatimit ose komandimit përcaktohen si vijon:

    A. Pushteti i kontrollit civil demokratik në FA janë atribut kushtetues i Kuvendit, ndërsa pushteti i harmonizimit të balancave në zinxhirin e komandimin strategjik është i Presidentit të Republikës. Ai/ajo dhe KPFA (pushtet që gjithsesi në kohë paqeje ushtrohet nëpërmjet qeverisë/ MM).

    B. Përgjegjësitë e drejtimit politik (përcaktimi objektivave strategjike) si dhe përmbushja e tyre/objektivave në fushën e mbrojtjes kombëtare i janë atashuar qeverisë, e cila e ushtron, nëpërmjet institucionit të ministrit të Mbrojtjes (Ai/ajo përfaqësues i qeverisë]. Kështu, konkretisht, MM ushtron/mban përgjegjësi për drejtimin politik në përmbushjen e objektivave strategjike të përcaktuara në SSK, Strategjinë Ushtarake dhe Direktivave  Sektoriale të qeverisë, për reformën e mbrojtjes; anëtarësimin në NATO, përfshi programet e demontimit të armatimit, municioneve dhe infrastrukturave të tepërta, jo vetëm si kërkesë/ detyrë e NATO-s, por në radhe të parë për ta nxjerrë vendin nga harta e rreziqeve potenciale që ato ekspozojnë.

    C. Detyrat/përgjegjësitë e ekzekutimit ushtrohen nga hallkat ushtarake si dhe strukturave civile mbështetëse në tri nivelet e Komandimit Strategjik, Operacional dhe Taktik. Mbështetur në referencat ligjore dhe standardet e NATO-s, hallkat ushtarake janë përgjegjëse për planifikimin dhe komandimin, ose zbatimin (me terma civil) e përshkallëzuar e masave, që kanë për qëllim realizimin/përmbushjen e objektivave strategjike, operacionale dhe taktike, në përputhje me SSK, Strategjinë Ushtarake, Strategjitë Sektoriale, Direktivat Vjetore si dhe urdhrat ekzekutive të MM. Por, përtej ndarjes dhe balancës së pushteteve, përgjegjësitë ekzekutive/komandimit, përfshi detajet edhe në rastet me pasoja tragjike, kurrsesi nuk duhet të paragjykohen as komentohen politikisht. Ashtu si nacionalizmi ekstrem, edhe politizimi në këto raste është “mburoja e sekserëve dhe maskarenjve”! Po ashtu, korniza ligjore e psh., institucionit të ministrit të Mbrojtjes apo çdo funksionari tjetër civil/ushtarak/civil të lartë, nuk e konsideron dorëheqjen si përgjegjësinë morale. Por në kontekstin e standardeve të NATO-s mund të thuhet që përtej perceptimit “populist” si vullnet/akt personal në rastet e ngjarjeve me pasoja të rënda dhe impakte kombëtare: “Dorëheqja është përgjegjësi e lartë shtetërore” dhe e mbështetur në kodet fisnike të demokracive perëndimore. Së pesti, për ta bërë sa më të thjesht, po përpiqem ta sjell/vendos këtë opinion në kontekstin e përpjekjeve (në fakt sfidën e vështirë të drejtësisë/ SPAK), për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit në këtë katrahurë të pluralizmit fasadë; fuqisë së mbipushtetit, traditës së pandëshkueshmërisë dhe populizmit primitiv, në ushtrimin e përgjegjësive të zbatimit, në procesin e reformës së sigurisë kombëtarësi dhe në rastet e mijëra VKM-ve në 30 vjet, (përfshi privatizimin e infrastrukturave ushtarake, demontimin e municioneve, etj.). Kështu për shembull, krahas domosdoshmërisë, përpjekjeve, dështimeve dhe arritjeve, përgjatë 30 viteve ka pasur pikëpyetje dhe një hezitim populisto-bolshevik për reformat, veçanërisht për nxjerrjen dhe më tej privatizimin e mijëra infrastrukturave ushtarake nga “Plani përhapjes ose lista e burimeve të mbrojtjes” si dhe për shkatërrimin e municioneve të tepërta: “Nëse ato janë pasuri apo rrezik kombëtar i trashëguar”?!

    Mbështetur në eksperiencën e vendeve të NATO-s dhe si ndër dëshmitarët teknikë, mendoj të kundërtën, pra që reforma e mbrojtjes (reduktimi nga 115 mijë forcë aktive që trashëguam në më pak se 10 mijë aktualisht); ulja nga 25 % në 2 % të GDP-së për mbrojtjen, reduktimi radikal i infrastrukturave (përfshi qindra mijë tunelet, bunkerët, në fakt gjakun dhe djersën e popullit-ushtar që po e “ha deti”); shkatërrimi i mijëra tonë municione të tepërta etj., jo që nuk ishin pasuri, por “barrë shumë e rëndë për Shqiptarët si dhe rrezik potencial për sigurinë dhe interesat kombëtare”. Thënë këto, mbetem i vetëdijshëm që ky është një debat, që rrezikon të baltosesh nga histeria e kamikazëve të politikës që “pa marrë frymë fare mendojnë krejt ndryshe”. Por sigurisht është edhe një mjerim i madh që sot e kësaj dite, reformën e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare ende e paragjykojnë për tradhti të lartë, ndërsa protagonistët politikë, autoritetet shtetërore si dhe ne/teknikët armiq të Kombit.

    Gjithsesi, “Fali o Zot se s’dinë çfarë bëjnë”, ndoshta do të mjaftonte për këtë ushtri komikësh. Në përmbledhje, në kapacitetin e ekspertit, por edhe të kontribuuesit teknik në reformën e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare mund të konfirmoj me përgjegjësi se Shqipëria ka (në letër) një koncept, përqasje dhe standarde të mbështetur në eksperiencat dhe modelet më të mira të vendeve perëndimore të NATO-s. Pra, me pushtete dhe përgjegjësi të mirëbalancuara në Kushtetutë dhe në paketë ligjore moderne. Thënë këtë nuk mund të mos e përmend një përpjekje delikuente në 2014 për t’i zhbalancuar pushtetet, duke i hequr kompetencat e Presidentit të Republikës deri në kufirin e mosushtrimit të përgjegjësisë kushtetuese të Komandantit të Përgjithshëm të FA, e cila fatmirësisht në 2015-ën u rrëzua me argumente euroatlantike dhe kurajë shtetërore nga Gjykata Kushtetuese e RSH.

    Ndërsa fatkeqësisht në planin praktik, ka një katrahurë të frikshme, në pluralizmin fasade si dhe ushtrimin e pushteteve, përgjegjësive dhe detyrave, që buron nga modeli bollshevik i të gjithëpushtetshmëve si dhe zevendësimi i modelit të “pandëshkushmerisë ligjore” me gjyqet popullore ose theshethemnaja ballkanike. Në kushtet e pluralizmit-procedurë/fasadë si dhe zhbalancës së pushteteve, ku autoritetet e larta merren deri me detajet e vogla, ndërsa hallkat e ulëta merren me politikat dhe strategjitë e mëdha, e gjej një mision të vështirë, të mos them të pamundur që SPAK (siç thoshte misionari i mirënjohur z.Vranitzk-i në vitin më të errët (1997) të historisë 111-vjeçare të RSH), të ndajë: “kush është engjëlli dhe kush djalli…”. Në shtesë, do të lutesha shumë të jem i gabuar, mbi të gjitha Shqipërisë dhe specifikisht drejtësisë/SPAK-ut i uroj suksese në përpjekjet serioze për të ndëshkuar pa asnjë mëshirë këdo të korruptuar (qoftë politikan, pushtetar, zyrtar apo sekserët rreth tyre) që në 30 vjet, jo vetëm kanë vjedhur si kusar votat dhe pronat e qytetarëve si dhe pasuritë publike, por edhe kanë vrarë shpresën në të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë (si USA dhe gjithë Europa), vlera për të cilat Shqiptarët u ngritën, luftuan dhe fituan në 1991. /Panorama/

    * Senior ekspert i SK, rajonin & NATO-n Zv.president i Këshillit të Atlantikut dhe ish-këshilltar i Presidentit, zv.ShShPFA dhe Përfaqësues i RSH në SHAPE/NATO

    Lajmi Paraprak

    Kontrata Elektrosever-KEDS një hap drejt normalizimit

    Lajmi i rradhës

    Pa frymë – Dëmet reale të ajrit të ndotur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë