Shqipëria e sotme, peng dhe “sukses” shqiptar dhe ndërkombëtar

     XHEVAT MUSTAFA 

    Herë pas here nga ambasada e SHBAve në Tiranë lëshohen deklarata mediatike për të shprehur shqetësimin e saj për ngjarje të veçanta ose për klimën e përgjithshme politike, ekonomike, sociale, të trafiqeve, rendit, korrupsionit në Shqipëri. Më e freskëta doli nga selia e saj dhe u bë publike më 21 nëntor 2023. Është e lidhur me trazirat në Parlament, në disa ditë e raste kaluar edhe me akte të dhunshme mes opozitës dhe pozitës. Kujtesa na shtyn të mendojmë se ato që po ndodhin në Parlamentin shqiptar janë parë e publikuar shekuj dhe dekada më herët në plot parlamente të vendeve të tjera, edhe në zemër të Evropës.

    Edhe të atyre që vetëmburren dhe i mbajnë si djepe apo kampione të demokracisë. Duke iu referuar një ngjarjeje nga biografia apo historia e parlamentarizmit të Partisë Socialiste, nuk mund të harrohet se në paraditen e 18 qershorit 1997, ish- deputeti socialist Gafur Mazreku, i lejuar të futej me revolver në sallën e Parlamentit, plagosi në holl deputetin e PD-së, Azem Hajdari! Seanca të tjera me debate tejet të ashpra apo sherre të dhunshme ka pasur me bollëk në vitet e qenies së PS-së në opozitë…

    Pra, edhe këto sherre në këto ditë fundvjeshte në Parlament, nisur dhe kryer nga deputetë të opozitës, PD, duke qenë njëherazi edhe shprehje e qëndresës së saj ndaj neodiktaturës komunisto-socialiste, me ambicie dhe hapa konkretë për rikthim në origjinë, në të vërtetë po aq apo më shumë janë të provokuar dhe investuar nga vetë pozita, me plot mandate “fryte” të votablerjes dhe vjedhjes.

    Më konkretisht apo më shqip, nga prepotenca dhe arroganca e “rilindasve edramistë” prej shumicës së kartonëve apo “kukullave”, individualisht nga doza në rritje të vazhdueshme tek Edi Rama e autokratizmit, absolutizmit, diktatorizmit. Dozat e këtyre ndjesive apo të këqijave te shumica “rilindase” po shtohen pareshtur edhe nga fakti se në zbatim rreth 33-vjeçar të strategjisë së PS-së, pra qysh nga krijimi i PD-së, është arritur plotësisht përçarja e saj dhe e opozitës si aleancë apo koalicion!

    Pa menduar aspak “ëngjëllizimin si foshnje” të PD-së e së “djathtës” dhe pa harruar se 66 vjetët e PKSH-PPSHPSSH-së janë 5 herë më shumë si kohë, faje, mëkate, krime, zullume nga shumëkush, shqiptar e ndërkombëtar, mund të pranohet dhe thuhet me keqardhje një e vërtetë, që nuk mbulohet me gjethet e të gjithë fiqve të Shqipërisë dhe me letrat e të gjitha pikturave, të njohura apo nëpër koshat e plehrave të Edi Ramës. Sot nuk ka as opozitë, as sindikata qeveri-frikësuese e tronditëse e jo më rrezuese; as shoqëri civile, as popull, as reagim qytetar…

    Por, as kritika, presione, ndëshkime serioze dhe me fuqi dhe efekte të shpejta reflektuese, korrigjuese dhe konstruktive nga ndërkombëtarët në Tiranë, Uashington, Bruksel. Sipas gjykimit tim, nuk është e drejtë, nuk mundet dhe nuk duhet përfshirë i gjithë populli si bashkëpunëtor dhe mbështetës i përhershëm dhe i papërgjegjshëm ndaj Rama-parti-qeverisë! Ky vend me pasuri të shumta nga Zoti është prej 82 vitesh viktimë e “popullit të majtë”, përqendruar më masivisht në krahinat dhe qytetet e ish- Zonës së Parë Operative të LANÇL e në disa krahina dhe qytete të tjerë në veri e në Shqipërinë e Mesme, njohur qysh nga LANÇL si bastione të enverizmit…

    Këtyre sikur u ka futur trutë e veta Enver Hoxha, investim që e shfrytëzoi vetë duke mbretëruar si mbret mbi 40 vjet, edhe pse ua bëri jetën dhe Shqipërinë ferr. Prej 10 vitesh “populli i majtë” ka gjetur Enverin e ri tek Edi Rama! I privilegjuar prej symbylljeve apo ortakërisë së tij, një pjesë e “të majtëve”, as komunistë, as socialistë dhe as shqiptarë bio, po përfitojnë më lirisht e më shumë se të tjerët! Edi Rama mbështetet dhe votohet edhe familjarisht nga kjo pjesë e korruptuar apo e inkriminuar, pa ideal dhe pa atdhetarizëm të fortë, me pjesëmarrje masive në biznese, në administratë, në Ministrinë e Brendshme, Polici, në Ministrinë e Mbrojtjes…!

    Duke pasur të gjitha pushtetet, sidomos pasuri të mëdha pronësore e financiare, “mund të blejnë” ose gojëkyçin çdo opozitar dhe misionar diplomatik ndërkombëtar! Krahas këtyre kanë arritur “të dehin” apo “drogojnë” edhe shumicën nga “populli i pavarur”, duke e ngujuar nëpër kafene dhe para ekraneve të televizorëve për tallava, telenovela turke, ndeshje futbolli, edhe pse po ua bëjnë mbijetesën përditë e më të vështirë. Në këto kushte, vetëm ndonjë mrekulli nga SHBA (skandali McGonigal etj.), ose nga Zoti mund të na shpëtojnë nga mbretërimi 79-vjeçar prej kësaj gjase ose palo “të majte” apo prej Edi Ramës me shokë e shoqe, jo pak edhe gjase të djathtë, shumica, me ato që kanë bërë me kokat dhe duart e veta, prej kohësh të denjë për SPAK, për pranga dhe qelira!

    Njëherazi, destabiliteti disavjeçar i Shqipërisë, më së shumti si rrjedhojë e “tërbimit” nga plotpushtetet dhe plotpasurimi i Rama-parti-qeverisjes e nga sy, gojë e veshëmbyllja apo njëanshmëria e hapur prej disa ndërkombëtarëve, edhe me status ambasadori apo zyrtari të lartë diplomatik në kryeqytetet e tyre, nuk mund të mos lidhet edhe me rritjen e agresivitetit dhe të ambicieve nga Serbia e Aleksandar Vuçiçit dhe aleatja e tyre gjenetike dhe jetike, Rusia e Putinit! Dëshmi fare të freskëta janë afrimi i forcave dhe armëve të shumta ushtarake përreth kufijve të Kosovës, shoqëruar edhe me deklarata provokuese për rrezikun e afërt të “një vatre të re lufte në Ballkanin Perëndimor”, domethënë në trojet shqiptare, nënkuptueshëm në Kosovë…

    Pas kësaj paranteze, mund të thuhet se shprehja e shqetësimeve dhe e dëshirës për të mos vazhduar më tej këto akte të dhunshme në Parlamentin e Shqipërisë nga ambasadat e SHBA-ve, Gjermanisë, Italisë meritojnë respekt, mirënjohje dhe reflektim pozitiv. Por, mund të diskutohet apo shprehen mendime të kundërta ose rezerva për sinqeritetin e tyre. Mund të arrihet deri në dyshime apo mendimin nëse janë 100% të sinqerta apo thjeshtë “mallra diplomatikë”, si larje goje dhe formalitete për rutinë diplomatike dhe arkiva…

    Sepse, analiza e thellë në kohë, dosje, arkiva, media të shtyn të mendosh se në të kundërt, ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ndryshe nga ambasadat e Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Francës, që kanë bërë rolin e tyre nga lozhat, pra, më shumë spektatorin, duhet të ndjehet e gëzuar dhe të kërkojë rritje pagash në DASH! Arsyeja është e lehtë nënkuptueshme! Sepse disa nga ambasadorët e saj të viteve të fundit, duke abuzuar me emrin, hartën, plotfuqishmërinë demografike, politike, ekonomike, ushtarake të SHBA-ve dhe me afeksionin masiv, thuajse tërësor që kanë shqiptarët për SHBA-ve deri në ngritjen në piediestal si mikun e parë dhe aleatin strategjik më të madh kanë bërë aktorin dhe regjisorin në zhvillimet e përgjithshme politike në Shqipëri.

    Kjo e vërtetë, që nuk mbulohet me tymra propagande demagogjike, por edhe kamionësh, çimenteje, betonesh, parlamenti të shtyn të arrish deri aty sa të mendohet dhe thuhet pa gabuar se kjo Shqipëri e viteve të fundit 2010 e të parë 2020, çuditërisht sipas çiftit Kadare “më të mirët që po jeton Shqipëria…” dhe paradoksalisht të vlerësuar negativisht edhe nga raportet e vetë DASH si dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare vlerësimesh dhe klasifikimesh, është “një fryt i angazhimeve dhe investimeve” rreth 15-vjeçare të ambasadës së SHBA-ve. Reflektuar apo “konkretizuar” sidomos, në “reformën në drejtësi” dhe në tifozllëkun e hapur proqeveritar e personalisht ndaj Edi Ramës dora vetë.

    Tani ambasadës së SHBA-ve në Tiranë i takon të “festojë” mes veti, si personel, me uiski, shampanjë, birrë “Tirana” dhe raki a verë Skrapari e Përmeti, për Shqipërinë “e lulëzuar” si Kolumbia, Meksika, Ekuadori… nga kanabisi, korrupsioni, trafiqet, kriminaliteti, inceneratorizmi, PPP-izmi, VKM-izmi, patronazhizmi, vota blerja e vjedhja, jo pak raste edhe nën hundën e komisionerëve dhe vëzhguesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Por, karakterizuar edhe nga konfliktualiteti, deri në përplasje të dhunshme edhe në mes të Parlamentit, siç po shikojmë edhe këto ditë të nëntorit 2023!

    Me humor të hidhur: shumicës së shqiptarëve në këto vite të fundit u ka mbetur të bashkojnë zërat e të brohorasin me ulërimë: Na rrofshin aleatët strategjikë, që me këshillat, ndihmat, deklaratat, me sy, gojë e veshëmbylljen e tyre, kur duhej të na ndalonin dhe ndëshkonin, na kanë sjellë aty ku ishim më 29 nëntor 1944! Domethënë, të fundit apo të parafundit për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mirëqenies, demokratizimit, integrimit euro-perëndimor, si dhe të parët për shumë të këqija, që ata i njohin dhe shikojnë më mirë edhe se ne vetë!

    Gjendja e përgjithshme konfliktuale apo kritike në Shqipëri kërkon nivel shumë më të lartë shqetësimi, angazhimi, ndërhyrjeje apo ndërmjetësimi, sidomos nga SHBA dhe BE, por edhe nga shoqëria civile dhe organizma me fuqi reale demokratizuese, emancipuese, evropiano-perëndimorizuese, për të rivendosur qetësinë dhe normalitetin në Parlament e jashtë tij. Kjo nuk arrihet vetëm me fjalë deklaratash shprehëse shqetësimi apo tërheqëse vëmendjeje, që të dyja palët i “përkthejnë në shqip apo partishmërisht”, siç dëshirojnë dhe u interesojnë. Është urgjente që ato të ulen përballë në një tryezë dialogu demokratik, perëndimor dhe jo allashqiptar, haxhiqamilist, zogist, enverist, ramizist, berishist, nanoist, edramist…! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Era e keqe e gojës – Zbuloni se cilat sëmundje të rënda ju kërcënojnë

    Lajmi i rradhës

    LEN kërkon shkarkimin e Artan Grubit

    Lajme tjera

    Kundrakohë

    BEN ANDONI Ka kaluar pa ndonjë përshtypje të veçantë kërkesa e Lulzim Bashës, kryetarit të PD-së (legale) për…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë