Shqiptarëve po u vidhet atdheu dhe po u humbet koha historike

    HYQMET ZANE 

    Dita-ditës shqiptarët po shohin çudira në jetën e tyre se si po bëhen si kavie eksperimentale se sa mund të durojë një popull padrejtësinë në kohë dhe në hapësirë. Nëse e kaluara diktatoriale iku me zhgënjime pas Luftës II Botërore, duke u dënuar dhe kriminalizuar nga lufta e klasave, e sotmja po u vidhet keqas dhe e ardhmja po u humbet.

    Me keqardhje them se ne shqiptarët jemi të vonuar në histori se nuk e kemi kapur kohën e ndryshimeve atëherë kur duhej, por me shumë vonesë dhe me humbje. Kështu është thënë për arritjen e Shpalljes së Pavarësisë, por edhe për rënien e diktaturës 33 vjet më parë u bëmë të fundit në Europë, megjithatë më keq akoma jemi shumë të vonuar për të kapur demokracinë dhe kemi mbetur në një tranzicion e tejzgjatur rraskapitës nga i cili po humbim edhe vetë Europën siç edhe na e përplasën së fundi në fytyrë derën e mosaprovimit.

    Ajo që po përjetojmë sot në këtë vendin tonë, mund të thuhet se jemi duke humbur kohën historike. Se cili është ky realitet humbës, kjo është prezente në punët e krijimit të situatave që na kanë futur në labirintet e errëta të së ardhmes, ku shqiptarët nuk po gjejnë dot orientimin. Nëse do të duhej të rendisja se cilat janë këto humbje, do të spikasja si tragjike humbjen e shpresës së rinisë që po ikën dhe shkatërrimin e ekonomisë kombëtare në biznese dhe bujqësi, pa folur pastaj për atë humbjen e kohës historike në çështjen kombëtare.

    Jam i motivuar nga bashkëbisedimi me njerëz të mençur të njohur publikisht për mendimet e tyre të paanshme dhe seriozë që më kanë dhanë mundësinë e mirë që edhe të dëgjoj dhe të marr mesazhet që vijnë nga eksperienca e niveleve të tilla. Nga ata thuhet se një nga “veprat” më të mëdha të një populli në një komb si ky i yni janë humbjet historike.

    Është stërthënë se fitorja e pavarësisë së Kosovës, ndryshe nga lufta, u administrua keq dhe sakrificat që po bën sot Albin Kurti për të kapur kohën e humbur, ka ndjenjën e keqardhjes bashkë me pasojat që ka lënë pas sjellja e atyre që morën në dorë fitoren dhe e përdorën për interesat e tyre private. Nga ana tjetër, mënyra se si vepron Edi Rama me Aleksandër Vuçiç me “dashurinë” e tyre me “Open Ballkan” dhe së fundi me panairin e verërave në Beograd, është duke shpërdoruar për të mos thënë duke e vrarë kohën historike për zgjidhjen e problematikave që janë mes dy shteteve dhe celebrimin në njohjen e Kosovës ndërkombëtarisht për në familjen europiane dhe asaj të NATO-s.

    Po të vonuar historikisht kemi qenë për shkëputjen nga Perandoria Osmane, po aq sa edhe për të ndikuar në vendosjen e kufijve të trojeve shqiptare, ndaj edhe u copëtuam në 6 pjesë. Kanë kaluar 110 vite dhe sot po e vuajmë atë vonesë që është cilësuar tragjike. Nuk gjetëm partnerët strategjikë për kombin tonë dhe, kur i gjetëm, i cilësuam “armiq” nga diktatura dhe vuajmë edhe sot atë humbje historike. Humbën kohë të madhe historike me diktaturën staliniste, po aq sa për përmbysjen e saj vepruam me shumë vonesë dhe nuk e kapëm trenin e demokracisë edhe për shkaqet e prishjes së zinxhirit të jetës në shumë drejtime ndër ne.

    Këto 33 vite që kemi kaluar janë një humbje e kohës historike për të ndërtuar shtetin ligjor, për të hedhur bazat e një jete si gjithë Europa, siç edhe u kërkua nga jeta me sa më shumë fitime, aq të dashur e të dëshiruar për shqiptarët në një vend që ka resurse të pallogaritshme mbi dhe nën hapësirën tokësore, ujore dhe detare. Nuk ka njeri që nuk e shikon këtë humbje të kohës historike në të gjithë shtrirjen e viteve të një trazicioni të stërzgjatur nga keqpërdorimi i pushteteve, sidomos në këto 11 vitet e fundit ku gjithçka politikisht, ekonomikisht, diplomatikisht, por edhe njerëzisht ka pasur një thellim në kahun e kundërt të të fituarit të kohës historike.

    Në një plan tjetër Europa dhe SHBA bashkë me NATO-n, na ofruan dy herë mundësi për të mos humbur kohën historike dhe e fituam anëtarësimin në NATO si dhe heqjen e vizave për në Europë. Porse sot kemi humbur në kohë dhe në hapësirën historike duke u klasifikuar si populli, që udhëhiqet nga mafia që ka kapur shtetin e vet në drejtim dhe e kemi shtyrë në pafundësi anëtarësimin në Bashkimin Europian. Hajdutëria e madhe që po bëhet si një institucion që drejtohet nga qeverisja, shqiptarëve po u vidhet atdheu më keq se sa diktatura e vodhi për 45 vite, sepse kjo hajdutëri e atdheut tonë ka pasojat e vjedhjes së kohës historike për të fituar të ardhmen e brezave tanë. E trishtë dhe e rëndë, e pafalshme deri në kriminale mund ta cilësosh humbjen e kohës historike për kapjen dhe trajtimin e kauzës së Çamërisë.

    Nëse diktatura i diskriminoi shqiptarët që erdhën nga Çamëria pas një gjenocidi me krime kundër njerëzimit nga Greqia, u bë një punë e mirë trajtimi i çështjes çame në gati 20 vite dhe që arriti kulmin me hartimin dhe miratimin e Rezolutës për Çamërinë. Por me futjen në skenën politike të PDIU me pompozitete të mëdha, me deputetë në Parlament, tanimë ka 11 vite që ky problem sorollatet në kotësinë e kohës sa me studio avokatie e sa me folklor aziatik, sa me fasada flamujsh dhe simbolesh aq edhe me heshtjen e pafalshme. Të gjitha këto janë një humbje e madhe e kohës historike për ta kapur atë në zgjidhjen e një problemi aq të rëndësishëm dhe kombëtar.

    Mjaft të mendosh se PDIU u fokusua tek vendet e punës dhe privilegjet për disa protagonistë dhe trajtimi apo mosfutja në axhendë e rezolutës apo çuarjen e saj në Parlamentin Europian apo edhe në Kongresin Amerikan siç edhe u bënë përpjekje, kjo ka krijuar bindjen se çështja çame është shitur ose është sabotuar me dashje. Ata që kanë mandate deputetësh sot në parlament, nuk di përse e mbajnë atë mandat, në një kohë që u prezantuan si nga “çamët” dhe çështja çame nuk është gjëkundi. Të humbësh kohën historike të një populli dhe të një kombi, këtë e dëshirojnë shumë armiqtë tanë. Por se çfarë i kemi bërë ne shqiptarët kohës historike, këtë veç Zotit e di.

    Ajo shprehja e nënës sime “se ç’i bën vetja vetes, gjithë bota të mblidhen nuk ta bëjnë, qoftë për mirë e qoftë për keq”, sot do të duhet të thuhet se çfarë i kanë bërë shqiptarët vetes së tyre me sjelljet e tyre, me vepra të dënuara ndërkombëtarisht apo duke votuar të keqen për ta qeverisur këtë vend, askush tjetër nuk do na e bënte më keq. Do t’i referohem njërit prej personaliteteve të Çekisë, Milan Kundera kur më 1984 në “The Unbearable Lightness of Being” do të shkruante se, “Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë.

    Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin vrasës”. Do të thosha se në një formë a në një tjetër duket sikur Kundera na thotë “mos lejoni humbjen e kohës historike, se nëse e kaluara na iku me dënime nga diktatori stalinist, këto që po bëhen dhe që po përsëriten, do duhet të mendojmë se brezat do na dënojnë për humbjen e së ardhmes”.

    Ndaj dhe personalitete të rëndësishme botërore na kanë këshilluar “do t’i lutemi Zotit për Shqipërinë dhe për ju që të futeni në rrugën e mbarë” me qëllim që ta kapim kohën historike dhe jo ta vrasim atë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Serbia u drejtohet ndërkombëtarëve pasi një parcelë në veri iu dha Policisë së Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Sa u rrit popullsia në vitin 2023

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë