“Pyetësori Rama”, ose publiku si tribù

    Agim Baçi

    Mendjet e një gjenerate të tërë janë deformuar nga televizioni dhe propaganda, duke e transformuar publikun në një tribù, i cili beson vetëm në atë që i pëshpëritet në vesh dhe jo në atë që sheh vetë”. Kështu paralajmëronte një nga teoricienët më në zë të komunikimit, Marshall McLuhan, duke parashikuar një shoqëri që varet vetëm nga politika dhe vetë politika nga fuqia që ka propaganda. Në fakt, ky rrezik është shumë më i hershëm në kohë sesa e shohim sot kaq të përhapur për shkak të ndërrrjeteve sociale. Qysh herët, Platoni shprehej se regjimet politike dhe shpirtrat qytetarë janë pasqyra të njëra-tjetrës. Për pasojë, ai nuk e shihte politikën të aftë për t’u vetëkorrigjuar për sa kohë qytetarët shihnin te politika vetveten apo të përafërtën e asaj që do të bënin edhe vetë, po të ishin në vend të atyre që drejtojnë. Ky mendim i Platonit duket se ka mundur të pasqyrohet më shumë se kurrë në raportin e sotëm politik, përmes show-t teknologjik. Aq më e ashpër është bërë kjo betejë me një politikë që ka zgjedhur një formë që e quan “demokracia e drejtpërdrejtë”, që është një formë populiste. Një politikë e tillë mbështetet prej kohësh nga Kryeministri Rama, i cili konsideron të rëndësishëm mendimin e publikut, duke e mbledhur me pyetësorë që i harton në zyrën e tij dhe duke i komentuar po vetë, a thua se është i vetmi zë i së vërtetës dhe i dijes absolute.

    Fakt është se duke i krijuar një iluzion sikur po i merret mendimi, Rama largon qytetarin çdo ditë e më shumë nga problemet reale dhe, për pasojë, edhe kërkesa e llogarisë ndaj akteve që ndërmerr qeveria, pasi krijohet efekti i gënjeshtërt i pasqyrimit politik, ku qytetari mendon se po sheh vërtet dëshirën e tij të pasqyruar në atë që bënë qeverisja… P.sh, a e keni ndjekur z. Rama të flasë lidhur me rritjen e çmimeve për ushqimet, për karburantet, për transportet, për bujqësinë? Jo, sepse ai ka vendosur që shfaqjen ta vijojë duke llogaritur gjithë shoqërinë një tribù, ku cirku i propagandës do t’i hedhë kujtdo “bananen” e tij.

    Kryeministri Rama ka aleat në këtë betejë shtimin e ushtrisë së atyre që shajnë e fyejnë përmes rrjeteve sociale. Dhe për këtë tapet të gjatë sharjesh hidhen në lojë të gjitha ngjyrat ekstreme të urrejtjes, duke e bërë denoncimin dhe fyerjen si thelbin e vetëm të debatit dhe shqetësimit qytetar. Dhe ai shfaqet i shkrydhur mbi këtë fushëbetejë që e monton vetë, për të mos iu përgjigjur publikut për problemet e përditshme, por duke e futur atë në botën miklues të pyetjeve.

    Por për çfarë i shërben ky komunikim populist? Më së pari, përmes miklimit të turmës si pjesë e debatit, ku gjithkush thotë gjithçka pa asnjë përgjegjësi, politika arrin të vihet nën rolin e dirigjentit të emocioneve, pra, edhe të frikërave që shoqërojnë qytetarët në përditshmërinë e tyre. Edhe armikun politik, që i duhet turmës për ta lançuar, sërish ua gjen ai për të mbajtur të fortë teatrin e ligësisë.

    Në Shqipëri, në fakt, ky art i delegjitimimit, i fyerjes dhe e linçimit të tjetrit ka rezultuar lehtësisht funksional edhe për shkak të kulturës së fortë të dyshimit mbi tjetrin, që mbolli sistemi komunist për gati 50 vite, ku tjetri ishte vetëm dikush që mund të të spiunojë apo dikush që mund të ishte armiku yt. Përmes inkurajimit të hapur të ligësisë, që përgjithësisht vjen nën petkun e denoncimeve në emër të pjesëmarrjes së qytetarit në jetën politike, qeveria e bën shumë më të lehtë kontrollin e jetës publike, pasi gjykimet nuk janë më nën pushtetin e arsyes dhe gjykimit objektiv, por nën pushtetin e instinkteve, zemërimit dhe të urrejtjes. Ajo që mbetet me rrezik në këtë inkurajim që i bëhet ligësisë, është fakti se mjete të tilla, siç janë sot rrjetet sociale, e kthejnë shumë shpejt në kulturë mbizotëruese komunikimi. Është pikërisht ky vetëmashtrim që i fut qytetarët në një rreth vicioz, pa mundur dot të ngrenë zërin e të kërkojnë realisht atë që do t’u shërbente atyre për përmirësimin e jetës. Një shfaqje e tillë e propagandës e mbush jetën publike me urrejtje e denoncime, duke e fshehur kështu tiraninë politike përmes gënjeshtrës se janë qytetarët ata që e kërkojnë këtë realitet dhe se është vullneti i tyre që po vihet në zbatim nga qeveria.

    Lajmi Paraprak

    Mashtrim përmes Call Center në Shqipëri, morën 108 mijë euro nga një klient i huaj

    Lajmi i rradhës

    100 mijë aplikime për vizë gjermane | Në Kosovë vijon emigrimi masiv, të rinjtë kërkojnë punë në perëndim

    Lajme tjera

    BILBILI SHQIPTAR I NISHIT

    Salajdin Salihu Në vitin 1897 një autor me pseudonimin Nishlija e botoi novelën “Bilbili shqiptar”, ku ngjarja ndodh në…
    Më tepër

    Lufta dhe nafta

    AKADEMIK. PROF. ANASTAS ANGJELI  Po t’i kthehemi historisë pas Luftës së Dytë Botërore, në periudha të ndryshme, kanë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë