Shtetarët, burgu dhe turpi

    PELLUMB NAKO 

    Perceptimi i publikut për drejtësinë në Shqipëri ka dekada që njihet si katastrofik. Ndjekjet penale të disa shtetarëve kohët e fundit nuk e kanë përmbysur tërësisht këtë perceptim. Ai vazhdon të mbetet gjithmonë skeptik për drejtësinë e dhënë nga organet e reja postveting. Është mëse normale që në një kontekst të tillë, gjykimet e publikut të gjerë të kenë ngarkesa emotive të cilat shkojnë thuajse të gjitha vetëm në një drejtim: “Në burg”.

    Madje, një gjuhë e tillë inkurajohet edhe nga diskursi politik në mënyrë të përditshme, në thuajse çdo debat. Kjo dëshirë për të parë shkelësit e ligjit dhe sidomos pushtetarët të përfundojnë të gjithë në burg, shpjegohet pikërisht me kohën e gjatë të mungesës së ndëshkueshmërisë për abuzimet me detyrën si dhe selektimi i individëve që ndiqen penalisht, ku në rastin konkret drejtësia bie e fortë mbi individin e dobët, pa rreth social me ndikim. Madje dëshira për të parë shkelësit të gjithë në burg, mbetet kaq e fortë sa që dënimet alternative konceptohen si mungesë drejtësie.

    Burgu konsiderohet si ndëshkimi më i rëndë megjithëse në kohët moderne ai konceptohet si një institucion që izolon një rrezik publik, ruan ekuilibrin social dhe shërben për riintegrimin e shkelësit të ligjit.Pavarësisht se riintegrimi dështon dhe shpesh prodhon të kundërtën duke shtuar numrin e përsëritësve të autorëve të veprave të ndryshme penale. Edhe tradicionalisht burgu ruan një hije të rëndë, gjë që shprehet rëndom në fjalorin tonë të përditshëm, madje shpesh edhe në vendimet e gjykatave në rastet kur përdoret shprehja “vuajtje e dënimit” dhe jo “kryerje e dënimit”.

    Pra, burgu barazohet me vuajtjen duke nënkuptuar shpesh ferrin.Në fakt, ky lloj ferri mer një karakter të dyfishtë sepse pikërisht në këtë moment, hyn në skenë edhe një fenomen psikologjik aktualisht nga më të diskutueshmit në raport me burgimin: turpi si shprehje e pendesës. Sociologë të ndryshëm, ndjesinë e turpit të një individi në burg ose në paraburgim e konsiderojnë të disa fishtë duke e krahasuar me kukullat ruse. Por, në kushtet e vendit tonë, në një ambient të tillë kaq të ngarkuar nga ana emotive, duket qartë që shoqëria shqiptare nuk është ende e gatshme të pranojë se burgu nuk është një alternativë efikase për riintegrimin e individit që kryen vepër penale.

    Edhe në këtë kontekst shtesë, tradicionalisht perceptimi publik, në linja të përgjithshme “ndihet mirë” për faktin se kur sheh një pushtetar të burgosur apo në paraburgim, pasi e konsideron atë të poshtëruar. Kjo sepse burgu mendohet si vendi i kriminelëve, pra një univers i pandershëm.

    Diçka e tillë do të thotë se burgimi, thënë ndryshe ndëshkimi nga normat sociale, apo më saktë nga ligji, bën që individi ta ndjejë imazhin apo identitetin e tij të degraduar, me faj. Duke u futur në burg ai mban mbi supe një etiketë sociale të turpshme.Pra përveç izolimit në burg, është ndjejnja e turpit, të cilën ai mundohet ta mbajë përbrënda dhe të mos ua shfaq të tjerëve. Megjithatë, në këtë drejtim, siç u cik edhe pak më lartë, shoqëria shqiptare shënon ende mangësi objektive për të përqafuar dënime alternative dhe jo domosdoshmërisht me burgim. Në tërësi këto konsiderata mbeten klasike dhe të përgjithshme sepse siç do të shihet edhe më poshtë, edhe vetë shoqëria aktualisht e ka zbutur presionin e saj ndaj turpit që bie mbi individin kur ai kryen krim.

    Pra, në këto dekada të fundit, në kushtet kur shoqëria në tërësi është e orientuar drejt konsumizmit, vlerat sociale, përfshi edhe turpin apo indinjatën duket se janë zbehur. Të konsumosh, do të thotë të kesh mjetet për konsum, pra para. Aspektet negativetë fenomenit janë më të dukshme sidomos në shoqëri si ajo shqiptare aktualisht e dominuar nga pasurimi, konsumizimi pa u bërë shumë merak për vlerat sociale me të cilat operohet. Fakti provohet në masivitetin me të cilin kryhen disa vepra penale dhe kundravajtje administrative apo edhe në promovimin direkt apo indirekt të pasurimit të shpejtë dhe të lehtë.

    Jo rrallë familjarisht prindër e fëmijë meren për shembull me kultivim kanabisi. Dhe përderisa shoqëria jonë në përgjithësi dominohet nga ky fenomen, edhe klasa politike nuk mund të bëjë përjashtim e tëra. Për rjedhim, edhe periudha e burgimit apo e paraburgimit e njeriut me pushtet nuk shoqërohet rregullisht me ndjesinë e turpit në kushtet kur për abuzime me pushtetin ka ekzistuar mundësia të shpëtohen paratë e fituara me korrupsion. Pra përball parave, ndjesia e turpit shuhet. Ky fakt, ka bërë që ligjvënësit të marin nisma ligjore nëpërmjet të cilave jo vetëm krimi i zakonshëm, por edhe krimi i individëve që abuzojnë me pushtetin, të dënohet jo vetëm me burgim, por edhe me sekuestrimin e parave të fituara në mënyrë të paligjshme.

    djesia turpit për individin që burgoset apo paraburgoset, sidomos kur ai ka pasur role në drejtimin e shtetit? Psikologët në këtë drejtim janë marrë shumë me studimin e profileve të kriminelëve të zakonshëm dhe fare pak ose aspak janë marrë me individë të veshur me pushtet, të cilët abuzojnë me këtë të fundit dhe pas ndjekjes penale përfundojnë në burg.

    Më konkretisht:

    Pak kohë më parë, SPAK kreu arrestimin e disa personave lidhur me abuzimet e tyre në raport me konçesionin e sterilizimit. Ndër të arrestuarit ishte edhe një zv.Ministër. Në momentin kur po jepej seanca gjyqsore e përcaktimit të masës së sigurisë së këtyre individëve, kamerat fiksuan zëvendëinistrin, i cili shihte drejt tyre duke qeshur. Dikur, nën kostumin zyrtar e me kravatë, me pamje disi të ngrysur, ky individ të jepte përshtypjen e shtetarit serioz, të përgjegjshëm dhe publiku ndihej mirë duke parë figura të tilla që kanë në dorë fatet e tij.

    Por, kur në paraburgim, në të vetmin moment në kontakt me publikun, para kamerave të shumta, ai shfaqet dukeqeshur, dhe nuk shpreh as shenjën më të vogël të turpit, për vendin ku ndodhet dhe aktet që ka kryer, dëshmon për profil më shumë se zhgënjyes të individëve të cilët na qeverisin. Madje në të gjitha rastet e fotove apo të pamjeve të ish qeveritarëve në burg, nuk shihet e shprehur as indinjatë e as revoltë ndërkohë kur secili ka kërkuar pafajësi sepse e deklaron veten të pafajshëm.

    Ky fakt, madje dëshmon edhe mungesë dinjiteti të tyre. Kjo sepse normalisht sado e përparuar të jetë administrata e burgjeve apo e paraburgimit, izolimi nuk respekton dot objektivisht gjithë parametrat e dinjitetit të individit dhe për më tepër kur i nënshtrohesh një rregjimi të përcaktuar nga administrata në fjalë. Madje, ky dinjitet nuk vihet në vend, as kur administrata e burgjeve u krijon eventualisht privilegje. Ajo që dhemb më shumë, është fakti që thuajse gjithë të pandehurit e tjerë VIP që kanë pasur më parë detyra qeveritare, kanë dëshmar të njëjtën sjellje. Mungesë turpi. Ndërkohë, ndryshe nga ata, në ekran janë parë edhe individë kriminelë të zakonshëm me dy duart në kokë duke shprehur, të paktën në dukje, turp edhe pendim. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Sot nuk ka heronj, sot ka pehlivanë!

    Lajmi i rradhës

    Bekteshi i pa informuar për rritjen e çmimit të bukës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë