Si gjelat majë plehut

    EDMOND TUPE

    Sikur u bënë ca kohë që në Republikën Rrëqethëse të Shqipërisë nuk po na zë më syri rrugëve e shesheve lojëra fati apo pika bastesh sportive, për arsye se ligji ndëshkon këdo që organizon fshehurazi veprimtari të tilla fitimprurëse për disa, por fitimrruese për disa të tjerë. Mirëpo, dy zotërinj tejet kureshtarë nga natyra, dikur kolegë dhe miq të mi, Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli, kanë bërë këto ditë një zbulim fort interesant.

    Dikush i kishte informuar se diku, të frymëzuar nga disa filma të huaj, disa fshatarë kishin nisur të organizonin, sigurisht nën vulën e sekretit më të madh, ndeshje gjelash, gjatë së cilave viheshin baste nga disa të apasionuar pas këtij lloj sporti, dhe kjo me një qëllim të dyfishtë: nga njëra anë, do të zhvillohej pularia si degë e zooteknisë që merret me rritjen dhe mbarështimin e shpendëve shtëpiakë, kurse, nga ana tjetër, njerëzit do të shkarkonin tërë mllefet, pakënaqësitë, zemëratat, hatërmbetjet dhe veçanërisht pasojat e streseve duke parë të kacafyteshin, të gjymtoheshin e të ngordhnin gjela, të cilëve pronarët e tyre do t’u kishin vënë paraprakisht emra pushtetarësh e qeveritarësh të djeshëm, të sotëm dhe, përse jo në fund të fundit, edhe të ardhshëm!

    Madje, dy zotërinjve në fjalë u kishte rënë në vesh ( aspak të shurdhër) një lajm, sipas të cilit po bëheshin orvajtje që ndeshjet midis gjelave të legalizoheshin siç u legalizuan ndeshjet e boksit pas shembjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, por sigurisht me kusht që gjelat të mos ngordhnin në fushën e betejës, por të thereshin para se të nxirrnin frymën e fundit dhe të gatuheshin për publikun e pranishëm.

    Përveç kësaj, a nuk do të ishte diçka shumë zbavitëse sikur gjelat të ngjyroseshin disa me rozë, disa me mavi, disa me blu, disa me të verdhë etj., etj. dhe, në funksion të këtyre ngjyrave, t’u viheshin emra presidentësh, kryeministrash, ministrash, zëvendësish të tyre, kryetarësh e nënkryetarësh partish, prokurorish, gjykatash, bashkish e komunash? Imagjinoni, të nderuara lexuese dhe lexues të nderuar, se çfarë mrekullia humoristike do të ishte sikur dy gjela, për shembull,  njëri me emrin Edi dhe tjetri me emrin Luli (ose Sali apo Ilir) të përlesheshin me njëri-tjetrin jo në parlament, por në kotec, ha, ha, ha!

    Meqë, me sa po duken bathët (me “a” kjo fjalë, aspak me “y”!), “Ballkani i Hapur” do të bëhet realitet, përse të mos organizohet edhe një kampionat gjelash në vendet e Ballkanit perëndimor, shembullin e të cilit do të duhej patjetër ta ndiqnin edhe vendet e Bashkimit Europian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje mbarë bota e globalizuar? Ndoshta, për të mos bërë të pakënaqur, duhen përfshirë në kampionate të tilla kombëtare, ballkanike, europiane e botërore edhe gjelat e detit, sidomos kur nuk harrojmë se pushtetarët e qeveritarët, madje edhe politikanët opozitarë, marrin shpesh poza gjelash deti duke u fryrë e duke u skuqur pa më të voglin kompleks!

    Nga ana tjetër, meqë futbolli nuk është më një sport ekskluzivisht (pa “s” në krye të kësaj fjale!) mashkullor, përse të mos organizohet edhe një kampionat pulash të zakonshme apo edhe pulash deti ose, siç i quajnë ndryshe, rikash (kujdes me katër shkronjat e para të kësaj fjale!)? E njëjta gjë mund të thuhet e të shkruhet edhe për patokët e patat, për rosakët e rosat. Në këtë pikë, ka gjithsesi një problem: Po sikur në ndeshje apo, më saktë, në përleshje e sipër pulave, rikave, patave ose rosave t’u vijë veza për të dalë? Mbase edhe kësaj mund t’i gjehet një rrugëdalje, për shembull, zonjat apo zonjushat e sapopërmendura, me ta ndier se po u vjen veza, t’i bëjnë një shenjë trajnerit që t’i nxjerrë në stolin e rezervave ku t’u jepet mundësia të lehtësohen nga barra mëmësore, veçse pa kakarisje (pa “r” kjo fjalë pas rrokjes së parë!).

    Tani, më duhet t’i vë në dijeni lexueset dhe lexuesit e këtyre radhëve të pafajshme se, lidhur me kampionatet edhe mashkullore, edhe femërore e përmendura më lart, zotërinjtë Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli janë të mendimit se këto kampionate do të priten me entuziazëm nga politika (me “p”, aspak me “b” ky emër imoral!) e sotme shqiptare, sepse bëhet fjalë për një eksperiencë (pa “s” në krye të kësaj fjale!) të re, e cila do t’i bindë pushtetarët (me “t” kjo fjalë midis shkronjave “e” dhe “a”, aspak me “k”!) se shpendët shqiptarë janë të denjë për t’u vlerësuar seriozisht, moralisht e materialisht po aq nga presidenti ynë i përkohshëm (si ish-sportist), sa edhe nga kryeministri ynë i pothuajse i përjetshëm (si ish-sportist gjithashtu)!

    Së fundi, por jo më së paku, duhet pranuar se fjala “gjel” na shpie tek shprehja “si gjeli majë plehut”, e cila na kujton pikërisht rastin e gjelave majë plehut, të cilët pasi rrëmojnë e gjejnë disa krimba, thërrasin pulat për t’i shpërblyer kësisoj që i lejojnë ata t’u kërcejnë herës pas here sipër për t’u çiftuar me ato, na kujton se edhe në Republikën Zgjebarake të Shqipërisë, pushtetarët kanë hipur prej shumë vitesh majë plehut të korrupsionit dhe, që andej, i shpërblejnë shërbëtorët e tyre të zellshëm nën shembullin e shiritit, i cili, brenda barkut të njeriut, i shpërblen oksiuret e askaridet duke i lënë të kënaqen me mbeturinat ushqimore të zorrës së trashë! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Austria thirrje Brukselit: Jepni Shqipërisë një sinjal të qartë për integrimin në Union

    Lajmi i rradhës

    Spitali i Kërçovës rrezikon të shembet mbi kokat e pacientëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë