Studentët vendimarrës apo klientë?

    Elion Kollçaku dhe Lediana Dano

    Ndonëse studentët kalojnë një kohë relativisht të gjatë në fakultetet që zgjedhin për të marrë drejtimin profesional, më shumë se studentë, ata ndihen klientë, që paguajnë për shërbimin (ndonëse ai nuk është në standardet e duhura) pa kontribuar në çështjet që i shqetësojnë dhe në vendimarrje, për arsye nga më të ndryshmet. Më e rëndësishmja është neglizhimi i tyre për shkak të peshës së papërfillshme e votës! Por, ironia qëndron në faktin se pjesa më e mirë e tyre as nuk e dinë fare këtë. Kjo vërteton se studentët janë kalimtarë nëpër auditorët e fakulteteve dhe nuk e jetojnë plotësisht jetën studentore brenda tyre.

    Në pyetjen se kush voton, atëherë përgjigja është se në zgjedhje merr pjesë i gjithë stafi akademik, i punësuar me kohë të plotë. Përjashtohen nga kjo e drejtë ata anëtarë të veçantë stafit akademik që, për shkak të moshës, nuk kanë të drejtë të zgjidhen, por vijojnë të jenë të punësuar për shkak të titujve shkencorë që mbajnë. Në zgjedhje marrin pjesë të gjithë studentët, e të gjitha cikleve të studimit, që studiojnë me kohë të plotë.

    Duke bërë një konstatim të thjeshtë të gjendjes aktuale, studentët kanë vetëm 10% të votës në fakultet, ndërkohë pjesa e mbetur iu takon pedagogëve që janë shumë pak përkundrejt numrit të studentëve, që mbushin auditoret e fakulteteve shqiptare. Vota e një pedagogu në Universitetin e Tiranës është e barabartë me 314 vota studentore.

    Pas protestës studentore në dhjetor të vitit 2018, ku u shfaqën premisat se situata do të ndryshonte, nuk ndodhi kështu. Pakti për Universitetin nuk pati impakt në të drejtat për t`u organizuar e për të qenë pjesë vendimarrëse në zgjedhje, apo edhe në ngjarje të tjera

    Aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Megi Mustafaraj, thotë se para protestës së dhjetorit të vitit 2018, shumë pak studentë ishin në djeni që edhe mund të votonin.

    “Njohja e procesit dhe peshës së votës në fakultete aktualisht vjen vetëm si rezultat i interesimit direkt të vetë studentit. Kur mungon ky interesim, instancat përkatëse nuk e marrin përsipër ta përçojnë vetë informacionin. Ky mosinformim vlen edhe për lëndët apo notën e provimeve, e jo më për gjëra siç janë pesha e votës”- është shprehur aktivistja Mustafaraj.

    Sa i përket vlefshmërisë së votës, në Universitetin e Tiranës, Komisioni Institucional i Zgjedhjeve shpall zgjedhjet e pavlefshme në rast se kanë ndodhur shkelje të ligjit dhe të kësaj rregulloreje që e kanë cenuar procesin në një masë të tillë, që mund të ketë ndikuar në fitimin e mandateve të tyre; nëse kanë ndodhur fatkeqësi natyrore në përmasa të atilla, që kanë penguar pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim; votimi nuk ka filluar ose është pezulluar për më shumë se pesë orë.

    Studenti Rezart Durmishi thotë se në rastin e Universitetit të Mjekësisë legjitimiteti është zero kur votojnë vetëm 10% e studentëve.

    “Mendoj se pjasëmarrja ka qenë e ulët sepse procesi që nuk është zhvilluar siç duhet nga instancat e universitetit që janë marrë me ketë gjë. Përfaqësimi në bord dhe shumë ndarje të tjera drejtuese që ekzistojnë janë thjesht disa struktura që ndodhen aty për të dhënë disa rroga mbi bazën e një pretendimi se rritet autonomia dhe demokracia universitare, gjë që është plotësisht e kundërta e asaj çka ndodh në të vërtetë”- është shprehur studenti Durmishi.

    Në kërkesën për rritje të peshës së votës së studentëve nga 10% në 50%, Qeveria ka argumentuar refuzimin e kësaj kërkese duke parashtruar shembujt e vendeve të tjera të Evropës dhe Rajonit të cilat nuk e kanë peshën e studentëve në zgjedhjet për strukturat akademike më të lartë se 20%.

    Por në këtë aspekt nuk është marrë parasysh ligji për arsimin e lartë të vitit 2007, ku pesha e votës së studentëve ka qënë në masën 20%, ndryshim i cili mund të përfshihej edhe në ligjin aktual 80/2015.

    Në muajin shtator 2019, Qëndresa Qytetare, e përkrahur nga një grup studentësh nga universitetet publike, i paraqiti Ministres së Arsimit një kërkesë dhe draft për rritjen e peshës së votës në masën 30%, duke iu referuar precedentit të ligjit për arsimin e lartë të vitit 2007, ku pesha e votës së studentëve dhe stafit joakademik ishte 25% dhe precedentit të Universitetit të Barcelonës ku pesha e votës së studentëve ishte 30%. Edhe kjo kërkesë u refuzua prerazi nga Ministrja dhe stafi i saj. Qëndresa qytetare ka si synim në misionin e saj si organizatë depolitizimin, orientimin drejt iniciativës së lirë, promovimit të biznesit dhe kreativitetit rinor, rritjes së vigjilencës së konsumatorit, rritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe orientimit drejt një arsimi cilësor

    “Borde të përgjysmuara”

    Ndërkohë, sa i përket procesit për të zgjedhur Anëtarët e Bordeve të Adminsitrimit nga studentët si përfaqësues të MASR, ka përfunduar vetëm në 8 nga 12 universitete. Në Universitetin Politeknik të Tiranës, procesi u anulua me urdhër të MASR për shkak se kandidatura e përzgjedhur nga studentët ishte në konflikt interesi, pasi i përkiste stafit akademik të UPT. Në Universitetin e Tiranës, fitues nga votat e studentëve u shpall pedagogu Llesh Lleshaj por kjo kandidaturë u shpall e pavlefshme me argumentin se angazhimi në përbërjen e Bordit të Administrimi të UPT-së apo UT, si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, të përfaqësuesve të përcjellë, cenon parimin e balancës së përbërjes së këtij organi, pasi kandidaturat fituese janë pjesë e personelit akademik të UPT apo UT.

    “Duke synuar që rezultati i këtij procesi zgjedhor të jetë reflektim i drejtë i vullnetit të komunitetit të studentëve, interesat e të cilëve do të përfaqësohen në Bordin e Administrimit të UMT- ës, si dhe me besimin që në themelet e legjitimitetit të një procesi zgjedhor demokratik qëndron pjesëmarrja në zgjedhje, vërejmë me keqardhje se niveli i ulët i pjesëmarrjes prej 1.33% e studentëve, nuk garanton implementimin e frymës së Paktit për Universitetin” si dhe nuk garanton aspak përfaqësimin e zërit studentor në këtë organ”- është deklaruar nga Qëndresa Qytetare.

    Në nënin 99, pika 2 të ligjit Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet: “Këshillet e studentëve janë organizime të pavarura të studentëve në institucionet e arsimit të lartë, të cilat nuk zhvillojnë veprimtari politike dhe ekonomike. Këto këshille promovojnë pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinojnë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë.”

    Ndërsa pika 4, thotë: Këshillet e studentëve nuk mund të organizohen me struktura të tjera politike e jopolitike, jashtë institucioneve përkatëse të arsimit të lartë. Modalitetet dhe procedurat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e tyre përcaktohen në statutet dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, mbështetur edhe në propozimet e paraqitura nga studentët.

    Studenti ka të drejtë të zgjedhi të deleguarit studentë që shprehin vullnetin kolektiv. Me anë të tyre, studentët kanë të drejtë marrin pjesë lirisht në mbledhjet e njësive bazë që mbulojnë programin e tyre të studimeve.

    Aktivisti dhe studenti i masterit për Inxhinieri elektronike, Ares Tahiraga, thotë se studentët nuk e ndjen veten pjesë të një kolektivi real, ata e shohin fakultetin si diçka të jashtëm, si detyrë që duhet mbaruar, si pjesë të rutinës së përditshme dhe jo si angazhimin e tyre kryesor, si vendin qe mundëson plotësimin e potencialit të tyre dhe si bazën e një shoqërie të nesërme të shëndoshë.

    “Organizimet e përbashkëta mungojnë, nisur që nga klubet e vogla që grumbullojnë studentët rreth interesave të përbashkët intelektualë, kulturorë apo profesionialë e deri tek unionet e mëdha studentore që i japin zë të fuqishëm dhe të përbashkët studentëve. Shto faktin që “jeta politike” në fakultet është tërësisht në duart e forumeve rinore, të cilët pasi ndajnë në parcela influence këshillet studentore, sigurohen që të paralizojnë çdo nismë që thyen status-quonë e krijuar (siç është edhe protesta e dhjetorit 2018)”- është shprehur studenti Tahiraga.

    Ai, madje shton se ekonomia e dobët dhe mosndërgjegjësimi i studentëve pengojnë krijimin e unioneve, mungesa e unioneve të pavarura studentore vështirëson çkapjen e këshilleve studentore dhe kapja e këshilleve studentore nga persona me interesa larg universitetit varfëron jetën studentore.

    Me gjithë problemet që mund të shfaqen, prapë pesha e votës studentore është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e pakontestueshme dhe duhet të dihet të përdoret. /Shteg/

    Lajmi Paraprak

    Edhe Alexander McQueen e Balenciaga heqin gëzofin nga përdorimi

    Lajmi i rradhës

    230 vjet Kushtetuta polake, e dyta më e vjetra në botë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë