Drejtësi, por duke mbrojtur dinjitetin

    PËLLUMB NAKO

    Që në momentin kur një individ, me veprimet apo mosveprimet e tij, shkel rregulla të listuara në Kodin Penal të një vendi si të dënueshme, automatikisht ai ka dalë jashtë normave, të cilat ndërtojnë bashkëjetesën sociale në shoqërinë e vendit ku jeton. Fenomeni është i lashtë, po aq sa dhe ekzistenca e shenjave të para të ndërtimit të një shteti.

    Dhe është po ashtu normale që shteti nëpërmjet instrumenteve të tij ligjorë si Policia e Drejtësia, të përdorë forcën e duhur, e cila gjen legjitimitetin e saj pikërisht nga fakti se ai vepron në emër të shoqërisë për të izoluar individin që ka kryer shkeljen. Thelbi, pra, i ndërhyrjes nuk është gjë tjetër veçse privimi i individit shkelës nga e drejta e tij natyrore e qarkullimit të lirë, duke e izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Pra, ky është raporti shkak-pasojë ndërmjet shoqërisë nga njëra anë dhe individit shkelës nga ana tjetër: Privimi nga liria nëpërmjet izolimit.

    Kjo do të thotë që kur organet e shtetit si Policia apo pushteti gjyqësor, ushtrojnë forcën legjitime, individi shkelës nuk është më në gjendje të ketë lirinë për t’u vetëkujdesur për integritetin e tij fizik dhe moral. Ndaj dhe natyrshëm, në këto kushte, është vetë shteti ai që duhet të kujdeset për integritetin fizik dhe moral të shkelësit të ligjit sepse ndëshkimi që shoqëria i bën atij është izolimi, privimi nga liria (dekadat e fundit edhe nga pasuria) dhe jo degradimi i tij fizik e moral.

    Pikërisht mbi këtë doktrinë të mirënjohur janë bazuar edhe moria e legjislacioneve të vendeve të zhvilluara, të cilat gjatë hetimit parashikojnë ndalimin kategorik të torturave, presionin fizik apo psikologjik të individit shkelës dhe po ashtu në të njëjtën logjikë është ndërtuar i gjithë legjislacioni jo vetëm i prezumimit të pafajësisë, por sidomos i ruajtjes së dinjitetit dhe i garantimit të privatësisë së personit të hetuar.

    Për fat të keq, në këto kohë të mbushura më një aktivitet të ethshëm për goditjen e fenomeneve të korrupsionit të niveleve diçka më të larta, koha e gjatë e pandëshkueshmërisë, urrejtja e vegjëlisë që kërkon me ngulm ndëshkimin e të korruptuarve të mëdhenj, duket së në vendin tonë po shfrytëzohet me shumë kujdes nga një dorë e padukshme, por shumë e fuqishme, për të kaluar në një ekstrem tjetër, të barabartë me linçim publik në të gjitha mediat për gjithë personat që po hetohen. Akte këto që të kujtojnë herë fletërrufetë e dikurshme dhe herë gjyqet popullore që kishin për qëllim diskreditimin moral të një individi që shihej me sy të keq nga qeverisja e dikurshme diktatoriale.

    Thuajse me krenari citohen emra gazetarësh që kanë mundur të shtien në dorë këtë apo atë dosje hetimi. Nëpër portale të panumërta publikohen të plota përgjimet telefonike për këtë apo atë individ. Nga dalin këto materiale? Është një dorë e komanduar që lëviz gjithçka në këtë drejtim, apo janë spontanisht prokurorë apo policë që servirin gjëra të tilla? Cili është interesi që bëhen publike, duke mos respektuar ligjin e sekretit hetimor? Gjithë informacioni i mbledhur në një dosje hetimore ka një qëllim: vërtetimin e përgjegjësisë penale para Gjykatës. Dhe kjo do të thotë qartë se përdorimi i këtyre të dhënave për qëllime jashtë objektit të mësipërm, mbetet një shkelje e hapur dhe e rëndë, abuzim me detyrën lidhur me privatësinë e personit të hetuar.

    Nëse këto materiale dalin nga prokurorë që tashmë kanë kaluar vetingun, çështja mbetet e frikshme. Një nga komponentët e vlerësimit në veting ishte edhe ai moral. Dhe prokurorët e SPAK-ut moralisht quhen të pastër sepse konkretisht nuk kanë pasur raste abuzimi me materiale hetimore të bëra publike ilegalisht. Por publikimi i përgjimeve të fundit në media tregon se jemi aty ku kemi qenë dhe se drejtësia e re i ka konceptet njëlloj si e vjetra.

    Gjithmonë ky supozim, nëse përgjimet kanë dalë nga Prokuroria. Nëse publikimet inkurajohen nga një dorë e fshehtë, frika mbetet e barabartë me kohën e diktaturës. Përgjimet e bëra dhe të dala publikisht ditët e fundit për ish-zëvendësministren e Brendshme janë moralisht të ulëta dhe të dëmshme. Këtu nuk bëhet fjalë për të mbrojtur atë personalisht, por të drejtën e saj, integritetin moral, të cilin e ka për detyrë shteti ta mbrojë në kushte të tilla dhe jo ta diskreditojë. Në media u fol gjerë e gjatë për arkën e peshkut që kishte porositur.

    I hyn në punë hetimit apo fajësisë së personit cilësia e peshkut që mori si ryshfet ajo dhe që nuk ngeli portal pa e botuar? E rëndon apo e lehtëson fajin e saj prova e rëndë dhe kyçe e transkriptuar nga përgjimet se nuk i pëlqejnë “iPhone”-at dhe për këtë gjë të informohet gjithë dynjaja? E njëjta gjë edhe transkriptimi i bisedës së njërës prej të pandehurave me nënën e saj që uron me fjalët më të mira ishzv.ministren për këtë nder që po bënte? E ndihmon akuzën ky fakt i transkriptuar? Bërja publike e transkriptimeve të tilla, ku me shumicë lexohen fakte anësore, intime që nuk e ndihmojnë akuzën, mbeten të rrezikshme, antihumane, antisociale.

    Nuk e di nëse ka apo sa fëmijë ka ishzv.ministrja, por e sigurt është që nëse do të shkojnë nesër në shkollë, ata automatikisht do të kthehen në objekt bullizmi nga moshatarët e tyre për detajin kaq jetik të hetimit rreth cilësisë së arkës me peshk apo të “iPhone”-it. Gjyqet popullore të djeshme nuk kishin tjetër qëllim përveç veçimit të individit nga pjesa tjetër e shoqërisë, diskreditimin e tij për një akt, dëmin shoqëror dhe material të të cilit ai e shlyente sipas vendimit të drejtësisë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kjo është arsyeja pse gjatë verës keni dhimbje të madhe të këmbëve

    Lajmi i rradhës

    Korrupsioni frytdhënës në zgjedhjet e 25 prillit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë