LEONIDHA MËRTIRI
Procesi i Berlinit njihet si nismë shumë e rëndësishme, i cili do t’i shërbente Ballkanit Perëndimor për t’iu afruar më tepër Bashkimit Europian dhe për ta bërë këtë të fundit më koshient ndaj pozitës gjeostrategjike të rajonit tonë, për t’iu bashkuar familjes europiane.
E gjithë kjo, edhe përballë luhatjeve apo këmbënguljeve të atyre vendeve anëtare, me rezervat e njohura për udhën europiane të Ballkanit Perëndimor. Shtatë vjet që nga gushti i vitit 2014 kur u mbajt në Berlin konferenca e parë, me kujdesin e veçantë të Kancelares Gjermane, Angela Merkel. Një nismë e rëndësishme kjo, së cilës zonja Merkel do të përpiqej t’i jepte më shumë frymë dhe që do të vazhdonte dhe në vitet e mëpastajmë.
Sot, kryeministrat e këtij rajoni, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Mali i Zi, mblidhen sërish si deri tani. Këtë radhë, virtualisht. Por dhe me një veçori tjetër: Takimi i fundit me Kancelaren e Gjermanisë, si drejtuese e Konferencës, në prag të përfundimit të mandatit të saj në vjeshtën që vjen. Edhe takimet e tjera më të fundit në nivele të tjera për çështje të politikës së jashtme, ekonomike, të luftës kundër krimit të organizuar etj., kanë pasur për okeljo Nismën e Berlinit.
Fillimisht, ky proces i rëndësishëm u prit jo pa shpresa, por përsëri do t’u ngjante deri-diku sivëllezërve dhe simotrave të tij, ku “zgjerimi i BE-së” do të mbetej më tepër si togfjalësh. Pas tërë kësaj, ndryshe nuk mund të ndodhte me shtetasit e këtyre vendeve: Siç pohojnë ekspertë të njohur të çështjeve europiane, ata “janë lodhur sërish me ato premtime që mund të realizohen pas dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh”.
Është e vërtetë që ky proces ka pasur impulset e veta në bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sikurse pritet prej tij dhe nga “Tregu i Përbashkët Rajonal” apo marrëveshjet e tjera, nëse ato do të nënshkruhen, për lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve etj. Ai synonte, pra, të shpejtonte anëtarësimin e gjashtë vendeve në BE, pa llogaritur, me sa duket, diferencat që do të shfaqeshin midis vendeve anëtare, ashtu sikurse ka ndodhur, për arsye dhe të interesave të ndryshme.
A do të sjellë ndonjë gjë të re takimi i sotëm? Mendoj se përsëri ai do të mbetet në axhendat e mëparshme, megjithë përpjekjet e njohura të zonjës Merkel. Kështu, mesazhet që do të përcillen do të jenë të njëjtët: Rikonfirmim i përpjekjeve të secilit vend për anëtarësim në BE, mbështetje e këtyre përpjekjeve etj. Është e vërtetë gjithashtu që liderëve të këtyre vendeve u krijohet mundësia për t’u takuar dhe debatuar për probleme me interes të përbashkët, sidomos atyre për krijimin e një klime favorizuese për biznesin, nxitjen në përgjithësi të bashkëpunimit ekonomik, që të gjithë qytetarët të gëzojnë po ato liri që kanë qytetarët e BEsë.
Interesi është si të zgjidhen apo t’u afrohen zgjidhjeve për ato çështje që bëhen pengesë në rrugën e përbashkët për në BE. Vetoja e Bullgarisë për moshapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, nuk erdhi e beftë. Ajo aty ishte, e shfaqur dhe më parë, madje, edhe gjatë këtij procesi. Në Konferencën e mëparshme në Sofje, Angela Merkel iu drejtua me të drejtë të dyja vendeve, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që të gjenin gjuhën e përbashkët dhe të linin prapa qëndrimet që mbanin larg njëritjetrit këto vende. Por këto qëndrime mbetën po ato, në istikamin e patundur të tyre. Tepër sensitive, që lidhen me identitetin e një populli. Kështu, dhe për marrëdhëniet KosovëSerbi, përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Një strategji e qartë ndaj vendeve të rajonit tonë, me konsensusin e vendeve anëtare të BE-së, me koherencën e nevojshme të politikës europiane, do të ndihmonte që dhe nismat apo proceset e deritanishme, si ai i Procesit të Berlinit, të jenë më produktivë, për t’i bërë më të realizueshme anëtarësimet në BE, që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor në Europën e bashkuar të jetë më e afërt. Në këtë mënyrë dhe Procesi i Berlinit do të bëhet më i besueshëm ndaj qëllimit, për të cilin u ndërmor./Panorama/