Të fala nga Tetova! Të fala për tregtarët!

    (Të fala për tregtarët)

    Urim Hasipi

    Të fala nga Tetova, nga qyteti ku tregtarët ditën e premte mbyllin bizneset e tyre. Shumë mirë në aspektin njerëzor e fetar. Por, a janë kaq të devotshëm këta tregtarë në raport me klientelën e tyre. Këta tregtarë e blejnë në Turqi një pallto për 20 euro e ta shesin për 100 euro. Këta tregtarë sa dalin nga xhamia shesin një palë xhinse 1800 denarë (jo origjinal) apo rreth 30 euro, kurse në Turqi i blejnë për 5 ose 7 euro duke përfshirë edhe transportin. Të fala nga qyteti ku një hamburger kushton 140 denarë, gullashi 4 euro, ndërsa për bërjen e tij nuk ka harxhime as 1 euro. Të fala nga qyteti ku bureku kushton 70 denarë, e doneri afër 200 denarë. Të fala nga ky vend ku piskama e tregtarëve është e madhe se rryma u shtrenjtua, nafta u shtrenjtua dhe kur çmimet e këtyre u stabilizuan, tregtarët nuk i liruan çmimet.

    Pra, të fala nga qyteti i vjedhjes klasike në kurriz të qytetarëve. Të fala nga qyteti ku populli i thjeshtë hesht dhe nuk bën zë, e piskama në kup të qiellit u shkon biznesmenëve milionerë. Këta tregtarë në qytetin tonë ku Coca Cola ka çmim të limituar për shitje, të njejtën ta shesin ma shtrenjtë dhe askush nuk gjobitet, diku 60 denarë, diku 80 denarë. Të fala nga Tetova, ku tregtarët ankohen tërë kohës e vozisin vetura të shtrenjta e punëtorët të zhytur në kredi.

    Të fala nga Tetova ku tregtarët shkojnë katër herë brenda vitit në pushime, kurse punëtorët mezi marrin 15 ditë pushim gjatë tërë vitit, që është një praktikë e tregtarëve shqiptarë duke thyer në mënyrën më të keqe të drejtat e punëtorëve. Këta tregtarë nuk rrisin çmimin sipas normave ekonomike, por rrisin haraçin ndaj klientëve të gjorë…

    Në këtë qytet, ku nuk ka asgjë që mund të lidhet me turizmin, kurse pizza shitet pesë euro e më lartë. Të fala nga qyteti ku e drejta e konsumatorëve shkilet çdo ditë dhe askush nuk mban përgjegjësi. Të fala nga qyteti ku gjysma e tregtarëve nuk japin kupon tatimorë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa frikë në të zezë. Të fala nga qyteti ku inspektorët gjobisin tregtarët që janë të regjistruar dhe lejojnë të funksionojnë biznese ilegale. Të fala nga qyteti ku mund të blesh mish (nëse e ke sjellë gjendjen për të blerë) dhe nuk e dish prejardhjen e tij.

    Të fala nga qyteti ku regullat dhe ligjet i bëjnë ata që japin mito (zeqatin) atje ku duhet, e dënimet i marrin ata të ndershmit. Të fala nga qyteti ku ka më shumë shefa se sa punëtorë, ku ka më shumë lokale se sa fabrika dhe ku ka ma shumë kaos se rregull. Të fala nga Tetova, ku në ditë feste, qyteti është i stërmbushur me makina e njerëz, me biznese të hapura, me gjallëri të paparë. Të fala, nga ky vend ku netëve të fund javës nuk ka gjallëri dhe mbyllen të gjithë në shtëpi.

    *Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Gjykimi për “Besa Trans” do të vazhdojë më 31 mars

    Lajmi i rradhës

    “Nuk ka rritje të çmimeve të barnave nga lista pozitive”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë