Të mbrosh veten

    Justinian Topulli

    Ka kohë që opinioni publik shqiptar është tronditur nga raste të përsëritura përdhunimesh, individuale ose në grup, çka tregon se sa poshtë moralisht ka degraduar një pjesë e shoqërisë sonë. Sigurisht, që rastet e denoncuara dhe aq më tepër ato të bëra publike, janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që ndodh në realitetin jopublik dhe që flet pazëshëm për krizën morale ku ndodhen shqiptarët, krizë kjo, që nis me identitetin e tyre.

    Padyshim që këto ngjarje nuk janë të reja dhe nuk janë fenomen i sotëm apo vetëm lokal, por kjo nuk e zhbën monstruozitetin e tyre dhe nevojën e domosdoshme për të dënuar ashpërsisht aktorët dhe mbi të gjitha, nevojën për të punuar për t’i parandaluar ato. Në mjekësi, profilaksia (parandalimi) është parim që i paraprin kurimit; edhe për sëmundjet shoqërore vlen e njëjta gjë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se raste të tilla do zhduken plotësisht, por parandalimi ndihmon në pakësimin e tyre dhe përpjekja këtu duhet bërë, ndërkohë që iluzionet për një edukim të përsosur dhe vendosjen e një morali absolut, janë shpresa utopike të kota.

    Çdo njeri i mençur, sigurinë e jetës, nderit dhe pasurisë e ka parësore, dhe ndjek gjithmonë hapat e nevojshëm për t’i mbrojtur ato, brenda mundësive që ka dhe sipas rrethanave dhe kushteve në të cilat ndodhet. Kjo do të thotë se përtej faktit se dikush jeton në një shoqëri, ku me ligj dënohet vrasja, përdhunimi, vjedhja etj., ai nuk mjaftohet me këtë, por merr edhe masat e veta mbrojtëse. Dhe kjo është ajo që bëjnë të gjithë njerëzit e mençur. Të gjithë ata e mbyllin derën e shtëpisë dhe e sigurojnë atë të mos hapet lehtësisht, askush nuk i lë të ardhurat e tij monetare sheshit, ku mund të shihen dhe preken nga çdokush, çdokush i shmanget vendeve të rrezikshme që i rrezikojnë jetën, nderin dhe pasurinë. Një tregtar nuk e magazinon kurrë mallin e tij në një vend, për të cilin nuk ka minimalen e sigurisë së mbrojtjes. Një këmbësor i kujdesshëm që ecën në rrugë, edhe pse i respekton rregullat e qarkullimit, duke kaluar vetëm kur ndizet drita e gjelbër dhe mbi vijat e bardha, ai përsëri sigurohet më parë, se nuk rrezikohet nga ndonjë makinë që vjen papritur dhe nuk respekton as vija dhe as semafor. Gjithmonë ka dhe do të ketë njerëz të papërgjegjshëm që nuk ndalen para asnjë semafori fizik, moral dhe ligjor. Sado të dënohen dhe edukohen njerëz të tillë, përsëri do të ketë të tjerë që do të dalin. E tillë është natyra njerëzore, edukata nuk trashëgohet gjenetikisht, ajo duhet të mësohet çdo herë nga e para, për secilin individ që vjen në jetë, në këtë shoqëri.

    Kështu që nisur nga këto të vërteta jetësore të pakundërshtueshme, një nga gjërat e nevojshme që duhet të bëjë një shoqëri, krahas edukimit të njerëzve, është edhe nevoja për të aplikuar një kod etik veshjeje dhe sjelljeje, të cilat në thelb mbrojnë çdo viktimë të mundshme, nga çdo agresor seksual i paparamenduar. Edukimi i djemve është i domosdoshëm, por nuk mjafton për të parandaluar cenimin e nderit të vajzave, duhet që edhe vajzat të mbrohen nga këto agresione. Dhe mbrojtje nuk është vetëm ligji që thotë se dënon fajtorin pas kryerjes së krimit, pasi ai e ka bërë dëmin, por mbrojtje reale është ajo që i sigurohet femrës, para se asaj t’i cenohet trupi dhe nderi i saj.

    Epshi seksual është një nga ndjesitë më të forta njerëzore, sidomos tek meshkujt dhe ai nuk zhduket, por vetëm mund të kontrollohet përmes mekanizmave moralë, ligjorë, por edhe kulturorë e materialë. Kjo ndjesi mund të amplifikohet ose reduktohet përmes ndikimit mjedisor dhe kulturës që e rrethon një individ. Pa as më të voglin dyshim, ajo çka e ndjell dhe e josh më së tepërmi këtë prirje natyrore instiktive ndaj gjinisë tjetër, është paraqitja vizuale. Nëse gjallesa të ndryshme tërhiqen seksualisht nga era dhe zëri, njeriu tërhiqet më së pari dhe më së shumti nga pamja e jashtme fizike. Sigurisht që kjo është shenjë e urtësisë së krijimit nga Zoti, përmes së cilës sigurohet vazhdimësia e jetës në tokë dhe jo vetëm, por kur ky instinkt kthehet në qëllim në vetvete, ai i kalon caqet dhe bëhet i papërmbajtshëm. Shoqëria e sotme e konsumit nuk bën gjë tjetër vetëm se e josh, e ndjell dhe e provokon në mënyrë të pandalshme këtë ndjesi njerëzore, pa harruar këtu faktin, se kjo është edhe në një masë të madhe e qëllimshme dhe ka prapavija të qarta ideologjike, të cilat e shohin thelbin e mungesës së lumturisë njerëzore, tek kufizimet e caktuara kulturore e fetare, të shprehjes së lirë të ndjenjave seksuale.

    Kështu që krahas edukimit moral të meshkujve, ne duhet të mbrojmë edhe femrat nga sulmi mashkullor. Dhe veshja islame në thelb, në një nga synimet e saj ka pikërisht edhe këtë, vetëmbrojtjen e nderit dhe trupit të gruas nga cilido burrë që kërkon ta cenojë atë, qoftë kjo përmes përdhunimit apo mashtrimit. Kodi etik i veshjes islame për femrën është mburojë për vetë atë, është privatizim i seksualitetit të saj nga vetë ajo, e që nuk mund të kalohet vetëm se përmes lejeve normative etike e ligjore që përcakton feja.

    Allahu thotë në Kuran:“O Profet! Thuaju grave e bijave të tua dhe grave besimtare që të hedhin mbi to mbulesën! Kjo është mënyra më e mirë që ato të njihen (se janë të ndershme) dhe që askush të mos i ngacmojë. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” (33: 59)

    Mbulesa islame e femrave nuk është shenjë e pronësisë seksuale të burrave ndaj tyre, – siç shprehen disa,- kjo është një demagogji ideologjike feministe, që synon në thelb të kundërvërë bijat, motrat, gratë dhe nënat ndaj baballarëve, vëllezërve, burrave dhe bijve të tyre, duke stisur kështu një konflikt artificial, mes dy krijesave të Zotit që përmbushin njëri-tjetrin. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Tafrov: Bullgaria është nën izolim të BE-së për shkak të kontestit me Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    A do të marrë fund sot sundimi i Bashar al-Asad?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë