Të penduarit në Itali, arrestimet në Shqipëri

    PËLLUMB NAKO

    Operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës dhe përsëri, për të dytën herë, në rrjetën e tij bien jo vetëm drejtues të lartë Policie, por edhe një prokuror si dhe dy shoqërues të një ish-ministri. Hera e parë ndodhi me rastin e një hetimi të zhvilluar nga BKA gjermane dhe këtë radhë nga DIA italiane. Ndërkohë, ishministri ka vite që po hetohet nga i njëjti organ i drejtësisë sonë. Operacioni në fjalë i drejtuar nga DIA italiane përmban në vetvete gjithë elementet ligjore tipik të një hetimi ndërkombëtar kundër organizatave apo grupeve kriminale që për aktivitet kanë trafikun ndërkombëtar të drogave duke filluar nga të penduarit, te shkëmbimi i informacionit, te letërporositë ndërkombëtare, te njohja dhe zbatimi i vendimeve hetimore të drejtësisë së një vendi të huaj dhe duke mbërritur në vendin tonë me vënien në jetë të ligjit të quajtur “Antimafia”.

    Në tërësi, bashkëpunimi i SPAK-ut me DIAn italiane nuk mund të vihet as në pikëpyetje e as të errësohet, por disa probleme dhe fenomene të rënda, që vihen re me këtë rast, nuk mund të mos vihen në dukje.

    Siç u theksua edhe pak më sipër, në të dyja rastet e deritanishme që kanë bërë të mundur vënien para bankës së të akuzuarve të drejtuesve të lartë të Policisë, madje këtë radhe edhe të një prokurori, ishin hetimet e nisura nga autoritetet e huaja të ligjit që evidentuan faktin dhe që më vonë u pasuan me ingranimin e organeve tona në fazën e shkëmbimit të informacionit, si dhe në njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të marra prej tyre.

    Në raste të tilla, organet e huaja janë shumë të kujdesshme për të garantuar vazhdimësinë dhe sekretin e hetimeve duke qenë vetë të pranishëm fizikisht pranë autoriteteve tona nëpërmjet misioneve të tyre në Shqipëri si Zyra Ndërlidhëse e Italisë apo oficerët e kontaktit të policive perëndimore të dislokuar në ambasadat e tyre në Tiranë. Pra, janë të pakta mundësitë e dekonspirimit. Përveç kësaj, një element tjetër që vihet re në operacionin e fundit, si dhe në disa operacione të tjera që kanë qenë të suksesshme, rolin e koordinuesit ndërkombëtar e ka luajtur Eurojust dhe jo Europoli.

    Pra, në tërësi, përveç dobësisë së hetimeve të organeve tona kompetente në raste të tilla kur implikohen zyrtarë të lartë të Policisë, ky fakt nxjerr në dukje edhe një iniciativë tjetër të shtetit, e cila rezultoi një dështim i vërtetë. Bëhet fjalë për vetingun në Polici. Të ndërgjegjshëm për problemet e lidhjes së Policisë me krimin, lidershipi politik i qeverisjes aktuale mori nismën ligjore për të pastruar radhët e Policisë, por duket qartë se nuk ia ka arritur qëllimit për të dy drejtuesit e Policisë, të cilët dolën të pastër nga sita e tij, madje njëri syresh i vlerësuar për punë të mirë. Ndërkohë, dihet gjerësisht që aktualisht vetingu “ka ngrirë”. Ekzistenca e njerëzve të tillë të niveleve të larta që bashkëpunojnë me krimin u vu në dukje si shqetësim edhe nga ana e Prokurorit Kombëtar të Antimafias gjatë ndërhyrjes së tij në konferencën për shtyp, të mbajtur me rastin e përfundimit të operacionit.

    Një specifikë tjetër, e cila u evidentua gjatë këtij operacioni, sipas medias, mbetet fakti se katër shtetas shqiptarë të implikuar në trafiqe ndërkombëtare dhe me pjesëmarrje në grupe kriminale, kanë shfrytëzuar mundësinë ligjore për të marrë statusin e të penduarit në shtetin fqinj, i cili, ashtu siç dihet, jepet vetëm pasi autoritetet hetimore kanë krijuar bindjen se të dhënat e tyre janë reale, të rëndësishme dhe ruajnë aktualitetin.

    Statusi i të penduarit dihet që fillimisht është krijuar me nismë të prokurorit martir të Antimafias, Xhovani Falkone. Ky status aktualisht është pjesë edhe e legjislacionit shqiptar, duke dëshmuar në këtë mënyrë se kjo nismë ligjore është ndërmarrë si nevojë e autoriteteve tona hetimore për t’u përballur me organizimin e fortë të grupeve kriminale shqiptare dhe vështirësinë për të depërtuar brenda tyre. Si instrument ligjor, ai krijon mundësinë e organeve të hetimit “të hedhin një vështrim nga brenda organizatës apo grupit kriminal”. Po ashtu, të penduarit shohin te ky status lehtësi të mëdha ligjore për të ardhmen e tyre, por njëkohësisht ata rrezikojnë jetën, ndaj dhe marrja e një nisme të tillë prej tyre kërkon besim të madh tek autoritetet e shtetit. Kjo do të thotë se katër të penduarit, këto mundësi i gjetën te drejtësia e shtetit fqinj. Sigurisht, edhe për faktin se aty u arrestuan.

    A do ta shfrytëzonin ata një instrument të tillë nëse do të ishin arrestuar nga autoritetet tona të drejtësisë dhe më pas të merrnin kurajën dhe të tregonin duke implikuar dy shoqërues të ministrit të Brendshëm me jetëgjatë në vendin tonë? Apo të flisnin për një drejtues të lartë Policie të besuar dhe lëvduar pikërisht nga i njëjti Ministër? Pa folur këtu për prokurorin. Edhe në vendin tonë ka pasur persona që kanë marrë këtë status, por jo për çështje që implikojnë nivele të larta të qeverisjes.

    Pyetje të tilla janë thjesht hamendësime, por fakti ngelet se marrja e statusit të të penduarit do të thotë që subjekti i njeh mirë, madje është dëshmitar për ata që janë pjesëtarë të grupit duke i parë vetë në aksion. Po ashtu, ai njeh se kush është individi apo individët që kryejnë kontaktin apo ndërlidhjen me strukturat e pushtetit, ndaj dhe i peshon mirë gjërat para se të flasë.

    Kjo do të thotë sa më pak të penduar, aq më pak besim te drejtësi e aq më shumë frikë nga koka që garanton trafikun. Nëse i referohemi medias, megjithë disa arrestime që janë kryer për trafik kokaine në sasi mjaft të madhe, grupi ka qenë i përbërë nga disa vetë dhe ndonjëri syresh fillimisht ka pranuar statusin e të penduarit, por më pas ka hequr dorë. Me fjalë të tjera, ekzistojnë disa indicie të jashtme, të cilat mund të të japin ide të qartë të forcës së organeve tona ligjore në luftë me krimin e organizuar. Ato tregojnë se ka ende rrugë para./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Legjenda e Gjermanisë: Chiellini dhe Bonucci janë qendërmbrojtësit më të mirë në botë

    Lajmi i rradhës

    Një koncept sovraniteti i vitit 1702 në prizmin e privatizimit rilindist

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë