Të pengosh një agresion të mundshëm

    LEONIDHA MËRTIRI

    Akuzat e ndërsjella mi dis Rusisë dhe Ukrainës janë rritur. Moska kërcënon Ukrainën, e cila po përjeton situatë të rrezikshme. Qartësisht e lexueshme kjo. Në të njëjtën kohë, zgjatimi i këtyre kërcënimeve kërkon edhe më tej të prekë Europën me forma të tjera presioni. Kështu, furnizimi me gaz i Europës është ndër kartat apo instrument i preferuar që ajo t’i bjerë Rusisë në gjunjë dhe për t’u qëndruar europianëve si shpata e Demokleut. Trupa dhe armë të rënda ruse, si edhe më parë, vazhdojnë të qëndrojnë e të mos tërhiqen në kufirin me Ukrainën. Çuditërisht, këtij fuqizimi i vjen në ndihmë dhe nxitja e tensioneve në vatra të tjera, si në rajonin e Ballkanit, në ballë të të cilave nacionalizmi serb ka forcuar agresivitetin e tij, me krahët e mbështetur te Rusia. Edhe përmes një retorike agresive, kërkohet t’i jepet mësim Ukrainës dhe presidentit të saj, Volodymyr Zelensky dhe, me këtë rast, edhe të tjerëve, për t’i ndenjur larg Rusisë së Putinit dhe qëllimeve të mbrapshta të saj, që Ukrainës t’i merret sovraniteti, integrimi i saj territorial. Me të drejtë, zyrtarët e lartë ukrainas i druhen një pushtimi të mundshëm.

    Ukraina nuk mund të lihet në duart e këtij agresiviteti, i motivuar ky, siç është e njohur qysh më parë, edhe në emër të mbrojtjes së rusëve që jetojnë në këtë vend. Por mbi të gjitha, se, sipas Putinit, “Kievi dhe NATO kërcënojnë sigurinë e Rusisë”. Moska e vesh kështu cenimin e sovranitetit të Ukrainës dhe të vendeve të tjera përreth duke i dhënë vetes të drejtën e protektorit mbi to, paçka se bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe u shtron rrugën precedentëve të rrezikshëm. Nga ana tjetër, mundësia për anëtarësimin e Ukrainës në NATO e rrit nervozizmin e kreut të Rusisë, për të cilin ky anëtarësim përbën për Moskën “një vijë të kuqe”. Kjo, natyrisht, nuk është e papritur. Ajo të kujton marsin e vitit 2014, kur Rusia ndërhyri ushtarakisht në Krime, u bë aneksimi i saj dhe u rrit agresiviteti i mëtejshëm në pjesën lindore të Ukrainës. Ringjallja e të vdekurit, ish Bashkimit Sovjetik, me sa duket, vazhdon të jetë synim, që nuk bie në gjumë, i Vladimir Putinit.

    Problemi është që Bashkimi Europian, shtetet europiane në përgjithësi, të jenë më të pranishëm në Kiev dhe reagimi i tyre të mos i lihet spontanitetit. Aq më keq të heshtet apo të flitet me gjuhë të zvargur. Boris Johnson, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, i cili çdo veprim destabilizues kundër Ukrainës e sheh si gabim strategjik me pasoja tepër të rënda, në një bisedë telefonike të katër ditëve më parë me Vladimir Putinin, i ka shprehur atij shqetësimin e vet dhe të vendit të tij për qëndrimin rus ndaj Ukrainës, duke kërkuar ndërkohë një zgjidhje të shpejtë, Të njëjtën gjë kërkuan këto ditë dhe ministrat e jashtëm të G7-ës, ku bëjnë pjesë shtetet më të industrializuara.

    Ajo çka duhet të theksojmë, për të penguar një agresion të mundshëm është: të folurit me një zë me partnerët europianë dhe aleatët tanë transatlantikë, sikurse tërhoqi vëmendjen kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz. Pra, larg kakofonisë. Dhe në këtë kuadër – pa mbetur thjesht të paralajmërimet ndaj Rusisë. Dialogu, sigurisht, është i nevojshëm, por ai duhet të shoqërohet me veprime konkrete. Kontaktet diplomatike, sidomos ato në nivel të këtyre krerëve të shteteve me atë rus, do të ishin shumë të domosdoshme. Kjo nuk do të thotë të nënvleftësojmë dhe kontaktet diplomatike në nivele të tjera, por, në unison, dhe për një aktivizim më rezultativ të tyre në çtensionimin real të situatës dhe për t’i thënë “ndal” një agresioni të mundshëm.

    Presionet politike dhe diplomatike janë shumë të rëndësishme për të ulur tensionet e ngritura dhe që mund të rriten edhe më në kufirin lindor të Ukrainës. Por kjo nuk do të thotë që sanksionet e forta ekonomike të qëndrojnë larg tyre përballë këtij agresioni të pritshëm, për të mos shkuar më tej, në mbështetjen e nevojshme të forcave ukrainase. Fjala është për një impakt real në tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga kufiri me Ukrainën. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Qyteti i Shkupit do të zbatojë vendimin gjyqësor për anijet e vendosura në lumin Vardar

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE: Për politikat kadrovike të qytetit të Shkupit vendos Arsovska

    Lajme tjera

    Ne shqiptarët!

    ARIAN GALDINI (Për të gjithë ata që duan të shpikin një komb kosovar prej një Kushtetute) Kryesisht shkruaj…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë