Të rrëfesh botën ndryshe

    Pranverë 2021. Albufeira. Portugali e jugut. Vazhdoj me hulumtimet për sipërmarrëse e sipërmarës me prejardhje nga migracioni në kohët e koronavirusit. Fokusi im drejtohet tek migrantet e migrantët nga India. Prezenca e tyre aty nuk mund të anashkalohet. Nganjëherë kam përshtypjen se në Albufeira mund të ushqehesh më shpesh me ushqim indian, sesa me atë portugez. Për çdo lloj kulete gjen diçka. Nga restorantet e klasit të parë e deri tek lokalet e thjeshta apo supermarketet e vegjël. Nuk flas vetëm me gastronome e gastronomë apo pronare e pronarë të dyqaneve elektronike, të vetëpunësuara e të vetëpunësuar në bujqësi, investitore e investitorë që blejnë hotele apo toka. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e indianeve apo indianëve në Albufeira. Në Gurudvara, tempullin e vetëm të komunitetit sik pranë Lisbonës, më thuhet se mund të jenë rreth pesë mijë vetë. Kjo do të thotë një në pesë vetë në Albufeira. Edhe busti i Mahatma Gandhit, që u inagurua me ceremoni në vjeshtë, dëshmon për marrëdhënien e veçantë të qytetit me të ardhurit nga India.

    Një nga investitorët quhet Firoz. Para pak kohësh ai ka blerë aksione të një qendre komerciale gati të rrënuar në një godinë të lartë, dhe po bëhet gati të hapë zyra për punë në komunitet, të japë me qira dyqane të vogla dhe disa restorante. Një gjysmë dite e shoqëroj në punën e takimet e tij me punonjës apo partnerë të biznesit. “Kjo ndërtesë e lartë ka qenë dikur plot jetë”, thotë Firoz. “Ka pasur restorante, butikë, një kinema dhe një disko të preferuar. Si turistët edhe vendasit kanë ardhur këtu. Sot turizmi përqendrohet sidomos në qytetin e vjetër. Dua t’ua kthej banorëve këtë ndërtesë me një shkëlqim të ri.”

    Firzot ka planë të mëdha. Në truallin e tij, pak minuta me automjet në brendësi të vendit, ai dëshiron të kultivojë perime në sera. Fokusi është tek perimet apo erëzat e kuzhinës indiane. Planet janë gati, farat e importuara po ashtu. Firoz ka marrëdhënie të mira më fqinjët, blen vezët aty, me një tjetër bie në ujdi për përdorimin e përbashkët të një burimi ujor. E, sigurisht që ai flet rrjedhshëm portugalisht.

    Kur e pyes për të shkuarën e tij, më rrëfen një histori spektakolare të odisesë së tij në Evropë. “Kam ardhur me një 100 dollarësh nga Gjeorgjia në Varshavë. Në Poloni ka shumë indianë. Por, nuk isha i bindur. Pastaj bleva një biletë për në Berlin. Ajo që nuk e dija: në Gjermani ti shpejt futesh në një qorrsokak. Ose jeton nga lëmoshat e shtetit, ose duhet të shërbesh këri me krem pana, që njerëzit të hanë në restorantin tënd. Ndryshe nga Gjermania, Portugalia ua bën të lehtë sipërmarrësve. Jam prej gjashtë vjetësh këtu.”

    Sidomos jugu i Portugalisë është i goditur rëndë ekonomikisht, që nga koha e pandemisë. Turistët në masë të madhe qëndruan larg; shumë sipërmarrje falimentuan. Por, aty ku mbyllin dyert të tjerët, shkojnë e i hapin migrantët nga vendet jashtë BE-së. Dua të di nga Firozi se si është e mundur kjo. “Nuk ka rëndësi se çfarë mendojmë ne për koronavirusin. Virusi është në kokat tona. Dhe, do të qëndroj me vite aty. Ky është realiteti me të cilin kam të bëj unë si sipërmarrës. Nuk përpiqem të ve në dyshim apo ta ndryshoj këtë. Orientohem nga klientët e nevojat e tyre.”

    Një partner i biznesit me Firozin dhe pronar restoranti flet më qartë. “Nëse do ta drejtoja sipërmarrjen time e do habitesha si bënë politikanët tanë një vit pas krizës, kur shifrat rriteshin sërish, do të kisha dalë jashtë loje. Nuk mund të kuptoj pse duhet të kemi pamje të dyshekëve në dyshemenë e një qendre sporti në Portimao. Sikur nuk është e mundur që në një vit të ngriheshin disa spitale. Ato nuk do të ishin pa funksion. Ne nuk kemi nevojë për kufizime të reja, por për një sistem të ri shëndetësor. Në Gjermani kjo është pak a shumë kështu, apo jo?”

    Tek sipërmarrësit nga India, Senegali, Brazili, Angola apo vendet e tjera me cilat bisedoja, vihej re skepticizmi i madh kundrejt menaxhimit të krizës në vendet evropiane. Këtë nuk e ndryshojnë as raportimet nganjëherë shokuese në mediat e vendeve të tyre. Shumë nga ta që udhëtojnë shumë dhe e kuptojnë situatën në vende të ndryshme, raportojnë për zhgënjim, zemërim dhe heqje dorë kudo në Evropë. Jeta gjithnjë e më shumë po ndërron skenë, thonë ata, si nga ana shoqërore edhe ekonomike.

    Nëse këto histori që më tregojnë ata janë të vërteta, nuk mund ta them se nuk i verifikoj dot deri në detaje. Kjo nuk ka lidhje vetëm me burimet financiare që më janë vënë në dispozicion si autor në profesion të lirë. Historitë janë domethënëse. Ato të lenë të kuptosh krijimin e një miti të ri. Dikush zbulon një botë të re, raporton për rënien e saj dhe e shikon këtë si shans personal. Tek ky mit bën pjesë edhe rikrijimi i biografisë tënde. Vërtet ky mit më kujton diçka. Rrëfimin e zotërinjve kolonizatorë. Vetëm se këtë herë objektivi është Evropa. Qartë, ky mit nuk shërben këtë herë të zbukurojë imperializmin. Pas atyre me të cilët bisedoj nuk ka shtete militariste dhe ambicie territorialiste. Më shumë ky mit vlen për të krijuar një imazh për veten, që në fund i vlen edhe komunitetit lokal dhe në të njëjtën kohë edhe sipërmarrjes. Unë personalisht mund të jetoj pa problem me këtë. Në një kohë që jam edhe fans i madh  kuzhinës indiane. Por, jo patjetër me krem pastiçerie. /DW/

    (Stanislaw Straburger është shkrimtar dhe menaxher kulture. Pikërëndesat e punës së tij janë kujtesa dhe mobiliteti. Ai kërkon EUtopi-në dhe beson tek koncepti i vëmendjes së plotë për veten. Romani i tij i fundit, “Tregtari i historive”, është botuar në disa gjuhë. Autori i lindur në Poloni jeton mes Berlinit, Varshavës dhe disa qyteteve mesdhetare. Hulumtimet për këtë artikull u mundësuan falë një mbështetjeje me bursë nga Senati i Berlinit)

    Lajmi Paraprak

    Pasi e vranë pronarin boshnjak, serbët ndërtuan objektin fetar në oborrin e shtëpisë së të ndjerit: Shembet kisha ilegale në Bosnje

    Lajmi i rradhës

    Mbi 330 mijë euro dëmshpërblim për gjykime të padrejta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë