Urim Hasipi
Rritja e numrit të lejeve për ndërtim është bërë një fenomen shqetësues për ekonominë. Asnjë parametër apo tregues që merret me hulumtimet e zhvillimit ekonomik deri më sot nuk ka sqaruar mirëfilli se ndërtimi i objekteve të larta (banesave kolektive) ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë.
Statistikat e fundit tregojnë për interes të madh nga afaristët për të investuar në ndërtimin e banesave kolektive. Kjo vërehet edhe në Tetovë, ku vetëm brenda një perimetri prej një kilometri po ndërtohen të paktën tre blloqe banesash kolektive. Janë investime të mëdha që bëhen në këtë sektor të ndërtimtarisë, i cili për investitorët është fitimprurës që në fazat e para të ndërtimit. Pjesa më e madhe e banesave shiten gjatë ndërtimit, kryesisht te biznesmenë dhe mërgimtarë, të cilët më pas i rishesin për qytetarët e interesuar.
Deri këtu gjithçka duket në rregull. Por problemi fillon kur një qytetar vendos të blejë një banesë. Çmimi për metër katror ka filluar të jetë më i lartë se në shumë vende të zhvilluara: prej 1500 eurosh e lart për një metër katror me pamje nga askund. Pamja e vetme që mund të shohësh nga këto ndërtesa është ajo e ndërtesës së fqinjit. Pra, nuk sheh më fushëgropën e Pollogut apo malin Sharr. Edhe nëse ke pamje nga këto dy peizazhe, nuk është se paraqesin ndonjë pamje të veçantë.
Thjesht, paguan për t’u ngujuar në një hapësirë ku nuk depërton ajri, ku komunikacioni ngulfatet dhe jeta zhvillohet brenda disa metrash katrorë. Nuk ia vlen të paguash mbi 1500 euro për një banesë të tillë. Megjithatë, halli është më i madh për ata që kanë nevojë të vërtetë për strehim. Deri diku, kjo mund të kuptohet si interes i dyanshëm mes shitësit dhe blerësit.
E megjithatë, mbeten shqetësuese shifrat që tregojnë se në Tetovë ka rreth 10 mijë banesa ku nuk jeton askush. Kjo është ajo që e ka bërë Tetovën të pajetueshme dhe të pabanueshme për një jetë më të mirë.
“Bli banesë më lirë për ta shitur nesër më shtrenjtë” – kjo logjikë që ka mbizotëruar te të pasurit ka devalvuar mënyrën e jetesës për njerëzit e thjeshtë, të cilët strehën e konsiderojnë vend për të jetuar e jo për ta tregtuar. Pikërisht ndërtimet e pakontrolluara e kanë shndërruar këtë qytet në peng të mafisë urbane.
Kjo “mafi” që për përfitime të majme ka betonuar çdo hapësirë të lirë, ka bërë që qyteti të mbetet pa frymë. Tetova, që dikur ishte qytet me gjelbërim dhe hapësira të lira, po shndërrohet në një qytet banesor pa shije, pa perspektivë, pa jetë urbane dhe pa zhvillim ekonomik.
Pra, me një fjalë: kush përfiton nga ndërtimet e banesave të kategorisë A, përveç investitorëve? Në fund, vetëm ata dalin fitimtarë, ndërsa humbin qyteti dhe qytetarët e tij.
Nuk ka investime për ndonjë resort në Kodrën e Diellit, nuk ka zhvillim të kulinarisë autoktone përgjatë rrugës që çon atje, nuk ka qendër të mirëfilltë rekreimi në Banjën e Tetovës dhe nuk ka turistë – rrjedhimisht, nuk ka as zhvillim ekonomik.
Motori i zhvillimit ekonomik për një vend që nuk ka industri të rëndë, as industri tekstili apo ushqimore, duhet të jetë tërheqja e turistëve të huaj – diçka që për momentin i mungon Tetovës.
Ky qytet na dhimbset vetëm në diskursin publik, ndërsa prapa shpinës secili ia ngul nga një “thikë”. E tashmë, janë bërë aq shumë thika, sa Tetova rrezikon të shtrihet e të mos mund të ngrihet më.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






