Teza mbi teorinë e shtetit

    Claus Offe

    […]

    Teoritë marksiste mbi shtetin

    Në teoritë marksiste bashkëkohore mbi shtetin ka një hendek midis dy qasjeve. Njëra qasje bazohet në idenë se ka një marrëdhënie veçanërisht instrumentale midis klasës sunduese (kapitalit në tërësi) në njërën anë dhe aparatit shtetëror në anën tjetër. Shteti përfytyrohet si instrument për promovimin e interesave të përbashkët të klasës sunduese. Ne besojmë se ky këndvështrim është thellësisht i gabuar – ku përfshihet edhe versioni i doktrinës së ‘kapitalizmit monopolist shtetëror’, me pretendimin e vet stereotipik për ‘shkrirjen e monopoleve dhe aparatit shtetëror’. Këndvështrimi alternativ është se shteti nuk favorizon interesa specifikë dhe nuk është në aleancë me klasa specifike. Në fakt, shteti mbron dhe sanksionon një bashkësi institucionesh dhe marrëdhëniesh shoqërore të domosdoshme për mbisundimin e klasës kapitaliste. Sipas kësaj pikëpamjeje të dytë, shteti nuk as ‘shërbëtor’ dhe as ‘instrument’ i ndonjë klase. Ndonëse nuk mbron interesat specifike të një klase të vetme, prapëseprapë shteti kërkon të materializojë dhe garantojë interesat kolektivë të të gjithë anëtarëve të një shoqërie klasore të mbisunduar nga kapitali.

    Shteti kapitalist

    Po ta trajtojmë në nivelin më të përgjithshëm e abstrakt, koncepti i shtetit kapitalist përshkruan një formë institucionale të pushtetit politik që udhëhiqet nga katër kushtet funksionale si vijon:

    1. Prodhimi privat: Pushtetit politik i ndalohet të organizojë prodhimin material sipas kritereve të veta ‘politike’; prona, në trajtën e fuqisë punëtore ose kapitalit, është private. Rrjedhimisht përdorimi konkret i mjeteve të prodhimit nuk përcaktohet nga pushteti politik, por nga vendimet private.
    2. Kufizimet e taksimit: Pushteti politik varet indirekt – përmes mekanizmave të sistemit të taksimit – nga vëllimi i akumulimit privat. Ata që zënë pozitat e pushtetit në një shtet kapitalist në fakt janë të papushtetshëm nëse vëllimi i procesit të akumulimit nuk u lejon të sigurojnë (përmes taksimit) burimet materiale të domosdoshme për të promovuar çfarëdo qëllimi politik.
    3. Akumulimi: Përderisa pushteti shtetëror varet nga një proces akumulimi që shtrihet përtej fuqisë së tij për ta organizuar, çdo ushtrues i pushtetit shtetëror është në thelb i interesuar të promovojë ato kushte politike që e ndihmojnë sa më shumë akumulimin privat. Ky interes nuk vjen si rezultat i aleancës së një qeverie të caktuar me klasa apo shtresa shoqërore të veçanta, të cilave u intereson akumulimi; as nuk vjen medoemos si rezultat i qasjes së privilegjuar të anëtarëve të klasës kapitaliste në qendrat e vendimmarrjes shtetërore, privilegj i cili nga ana e vet i mundëson asaj klase të ‘ushtrojë presion’ ndaj zotëruesve të pushtetit politik për të materializuar interesat e tyre klasorë. Në fakt interesi vetjak institucional i shtetit në procesin e akumulimit kushtëzohet nga fakti se shteti nuk e ka fuqinë të kontrollojë rrjedhën e këtyre burimeve, të cilat nga ana e tyre janë të domosdoshme për ushtrimin e pushtetit shtetëror. Ndonëse agjentët e akumulimit nuk janë parësisht të interesuar në ‘përdorimin’ e pushtetit të shtetit, aktorët shtetërorë duhet të jenë të interesuar – për hir të pushtetit të tyre – të garantojnë dhe sigurojnë një proces ‘të shëndetshëm’ akumulimi.
    4. Legjitimimi demokratik: Në regjimet politike parlamentaro-demokratike, çdo grup a parti politike mund ta shtjerë në kontroll pushtetin shtetëror institucional vetëm në masën që fiton mbështetje elektorale të mjaftueshme në zgjedhjet e përgjithshme. Ky mekanizëm luan një rol kyç në fshehjen e faktit se burimet materiale të pushtetit shtetëror dhe mënyrat si përdoren ato varen në radhë të parë nga të ardhurat që vijnë prej procesit të akumulimit dhe jo nga preferencat e zgjedhësve të shprehura me votë. Me fjalë të tjera, ka një përcaktim të dyfishtë të pushtetit politik të një shteti kapitalist: forma institucionale e këtij shteti përcaktohet nga rregullat e qeverisjes demokratike e përfaqësuese, ndërsa përmbajtja materiale e pushtetit shtetëror kushtëzohet nga kërkesat e vazhdueshme të procesit të akumulimit.

    Mallëzimi (komodifikimi)

    Ka ndonjë metodë përmes të cilës këto kushte strukturore divergjente të shtetit kapitalist të mund të pajtohen përmes politikave të një qeverie të caktuar? Sipas pikëpamjes sonë, ka një metodë të tillë. Nëse mund të krijohen kushte ku çdo qytetar merr pjesë në marrëdhëniet e bazuara te malli, të katërt elementët themelues të shtetit kapitalist nuk ndeshen me vështirësi. Për aq kohë sa çdo pronar i një njësie vlere mund ta këmbejë me sukses vlerën e tij/saj si mall, nuk ka nevojë që shtetit të ndërhyjë në vendimmarrjen ekonomike private; nuk ekziston problemi i mirëmbajtjes së një procesi të qëndrueshëm akumulimi (i cili është thjesht rezultati neto i këmbimeve ekuivalente midis pronarëve të kapitalit dhe pronarëve të fuqisë punëtore); dhe, në fund, nuk ekziston problemi i legjitimitetit ose konsensusit për elitat politike që ia dalin të ruajnë këtë univers mallrash. Vetëm në masën që njësitë ekonomike të vlerës dështojnë së vepruari në formën e mallit, struktura e shtetit kapitalist hyn në telashe. Forma e mallit është pika e përgjithshme e ekuilibrit të shtetit kapitalist dhe akumulimit, e cila vazhdon derisa çdo vlerë paraqitet në formën e një malli. Lidhja midis nënstrukturave politike dhe ekonomike të shoqërisë kapitaliste është forma e mallit; stabiliteti i këtyre dy nënstrukturave varet nga universalizimi i kësaj forme.

    Paraliza e formës së mallit

    Problemi kyç i shoqërive kapitaliste gjendet në faktin se dinamikat e zhvillimit kapitalist duket se shfaqin një prirje konstante të paralizimit të formës mall të vlerës. Vlerat rreshtin së ekzistuari në formën e mallit sapo të reshtin së këmbyeri me para apo me vlera të tjera. Sigurisht që në një sistem ekonomik të rregulluar nga këmbimet private, asnjëherë nuk është e sigurt që një element i caktuar që ofrohet për shitje në treg do të gjejë vërtet blerës. Po në këtë rast të thjeshtë dështimi i vlerës së ofruar për këmbim supozohet të jetë vetëkorrektues: pronari i vlerës që kërkon të këmbehet ose do të shtrëngohet të ulë çmimin, ose do të ofrojë një mall alternativ, vlera e përdorimit të të cilit ka më shumë gjasa të blihet. Së paku në botën teorike të Jean Baptiste Say-t, një ekonomi tërësisht e mallëzuar është e vetëqëndrueshme dhe e vazhdueshme: dështimi i një të mire si mall rezulton automatikisht në të tjera mallra që kanë më pak gjasa të dështojnë. Në mënyrë të ngjashme, gjatë një depresioni ekonomik, elementët e punës dhe ato pjesë kapitali që përjashtohen përkohësisht nga forma e mallit supozohet se krijojnë, pikërisht për shkak të papërdorshmërisë së tyre, parakushtet e një bumi të ri (me kushtin që të ketë një fleksibilitet në ulje të çmimeve). Sidoqoftë, funksionimi i këtij mekanizmi vetëkorrektues ‘të shëndetshëm’ nuk duket se ndodh rregullisht, sidomos në shoqëritë e kapitalizmit të vonë.

    Teoria ekonomike marksiste ka përpunuar teori të ndryshme, ndonëse kundërthënëse, të cilat mund të shpjegonin dështimin e këtyre mekanizmave ekuilibrues. Për shembull, Baran-i dhe Sweezy kanë argumentuar se monopolizimi i ekonomisë sjell jofleksibilitet për poshtë të çmimeve në njërën anë, kurse në tjetrën një rrjedhë konstante ‘mbifitimi’ që nuk mund të gjejë grykëderdhje investimi. Një shpjegim tjetër bazohet në karakterin gjithnjë e më shoqëror të prodhimit kapitalist. Ky shpjegim thekson ndarjen në rritje të punës brenda dhe ndërmjet ndërmarrjeve kapitaliste, specializimin në rritje të çdo njësie kapitali e pune dhe, për pasojë, fleksibilitetin dhe përshtatshmërinë në zbritje të kapitalit dhe punës për përdorime alternative. Së treti, është argumentuar se shkatërrimi periodik i pjesëve të mëdha të vlerës nëpërmjet krizave të pakontrollueshme ekonomike përbën në vetvete një mekanizëm ekonomik të shëndetshëm, i cili do të rrisë gjasat që vlerat e mbetura të ‘sillen’ si mallra. Sipas kësaj pikëpamjeje, konflikti shoqëror i lidhur me ‘thithjen’ e vlerave të tepërta priret të marrë karakter shpërthyes në masën që këta mekanizma automatikë krizash bllokohen nga ndërhyrja shtetërore dhe politikat kejnesiane.

    Cilido qoftë shpjegimi korrekt dhe i plotë, ka plot prova të përditshme që tregojnë se fuqia punëtore dhe kapitali përjashtohen nga forma e mallit dhe se besimi liberal që ato do të riintegrohen automatikisht në marrëdhëniet e shkëmbimit është i pabazuar.

    Maksimizimi i mundësive të këmbimit

    Emëruesi i përbashkët më abstrakt dhe përfshirës i politikave shtatore në shoqëritë e kapitalizmit të vonë është sigurimi marrëdhënieve të këmbimit midis aktorëve ekonomikë individualë. Prapëseprapë kjo nuk do të thotë se shteti kapitalist ruan interesat e një klase të caktuar; në fakt, ai sanksionon interesin e përgjithshëm të të gjitha klasave mbi bazën e marrëdhënieve kapitaliste të këmbimit. Për shembull, do të ishte gabim të argumentohej se politikat shtetërore të arsimimit dhe trajnimit janë menduar për t’u siguruar industrive fuqinë e domosdoshme punëtore, pasi askush, aq më pak burokracia shtetërore, nuk ka ndonjë informacion të besueshëm lidhur me llojin, kohëzgjatjen dhe vëllimin e aftësive që u duhen kapitalistëve. Këto politika mendohen për të siguruar një maksimum mundësish këmbimi si për punën, edhe për kapitalin, në mënyrë që individë nga të dyja klasat të hyjnë në marrëdhëniet kapitaliste të prodhimit. Në mënyrë të ngjashme, politikat e kërkimit dhe zhvillimit shkencor që hartohen e financohen nga shteti, nuk drejtohen assesi drejt përfituesve konkretë, si për shembull industritë që mund të përdorin teknologjitë pasuese. Në fakt këto politika synojnë të hapin tregje të reja dhe të mbrojnë ekonominë vendase nga futja e konkurruesve të huaj; shkurtimisht, të krijojnë dhe universalizojnë formën mall të vlerës, në mungesë të të cilës vlerat zhduken në një shoqëri kapitaliste.

    Rimallëzimi administrativ

    Përparësia e ruajtjes së formës mall të vlerës në të gjitha politikave shtetërore përbën një fenomen relativisht të ri. Në disa shtete kapitaliste, si SHBA, kjo çështje bart ende kundërthënie politike e ideologjike thelbësore. Cilat janë strategjitë alternative në dorë të shtetit për t’u marrë me problemin strukturor të vlerave që nuk ia dalin të sillen si mallra? Strategjia ‘klasike’ kërkon thjesht mosveprim, d.m.th. të mbash shpresë te veprimi i mekanizmit vetëkorrektues të tregut, si pasojë e të cilit ato njësi vlere që janë përjashtuar nga forma e mallit supozohet se do të kthehen në treg. Sipas këtij supozimi, sa më i pakënaqshëm të jetë përdorimi (i punës apo kapitalit), aq më shpejt pronarët e këtyre vlerave do të kthehen në treg. Sidoqoftë gabimi i kësaj logjike qëndron në supozimin se pronarët e vlerave nuk kanë  tjetër opsion përveç kthimin në formën e mallit. Përkundër supozimeve të ideologjisë borgjeze, ata kanë opsione të tjera, ku emigrimi, krimi dhe revolta politike përbëjnë disa prej shembujve historikë.

    Alternativa e dytë për politikat shtetërore ka të bëjë me mbrojtjen e subvencionuar të vlerave. Në këtë rast, pronarët e fuqisë punëtore dhe kapitalit që nuk mund të marrin më pjesë në marrëdhëniet e këmbimit, lejohen të mbijetojnë në kushte të krijuara artificialisht nga shteti. Ekzistenca e tyre ekonomike është e mbrojtur, ndonëse ata kanë dalë jashtë formës së mallit ose parandalohen ‘artificialisht’ për të dalë jashtë për shkak se u sigurohen të ardhura (për shembull transferta pagesash) që vijnë prej burimeve të ndryshme nga shitja e vlerës. Problemi i kësaj strategjie ‘shteti social’ për prodhimin e vlerave ‘të çmallëzuara”, qëndron në faktin se bëhet tejet e kushtueshme nga ana fiskale, duke përkeqësuar kësisoj krizën fiskale të shtetit. Subvencionimi i pronarëve të vlerave që janë bërë të padobishme si mallra është veçanërisht i kushtueshëm për shtetin sepse bëhet fjalë për një kategori shpenzimesh që nuk vetëfiancohen assesi. Këto shpenzime nuk e rritim, por e reduktojnë bazën e të ardhurave të ardhshme shtetërore.

    Bazuar në këto konsiderata teorike, duam të argumentojmë se që prej mesit të viteve 1960 strategjia gjithnjë e më mbisunduese dhe ekskluzive e shtetit kapitalist është ta zgjidhë problemin e padobishmërisë së formës së mallit përmes krijimit politik të kushteve në të cilat subjektet ligjore dhe ekonomike mund të funksionojnë si mallra. Më specifikisht, kjo strategji zhvillohet në tri drejtime: së pari, shitshmëria e fuqisë punëtore ndihmohet përmes masave dhe programeve të drejtuara kah arsimimi, trajnimi, lëvizshmëria rajonale dhe përshtashmëria e përgjithshme e përmirësuar e fuqisë punëtore. Së dyti, shitshmëria e kapitalit dhe mallrave të manifakturuar ndihmohet përmes integrimit transkombëtar të kapitalit dhe tregjeve të produkteve, politikave të kërkimit e zhvillimit shkencor, politikave të zhvillimit rajonal etj. Së treti, sektorët ekonomikë (të identifikueshëm sipas industrive, rajoneve dhe segmenteve të caktuara të tregut të punës) që nuk mund të mbijetojnë me forca e tyre brenda formës së mallit lejohen, sipas planit, të bien pre e presionit të tregut. Njëkohësisht këtyre sektorëve u kërkohet të modernizohen, d.m.th. të transformohen në mallra ‘të tregtueshme’. Sugjerojmë se termi ‘rimallëzim administrativ’ do të ishte etiketa e duhur për këtë strategji të kohëve të fundit të shtetit kapitalist; ai është në thelb i ndryshëm edhe nga strategjia laissez-faire, edhe nga ajo e ‘mbrojtjes nga shteti social’ që kemi diskutuar më lart.

    Instrumente të politikave shtetërore

    Politikat që kanë për qëllim të përgjithshëm riorganizimin, ruajtjen dhe përgjithësimin e marrëdhënieve të këmbimit në treg mbështeten mbi një sekuencë specifike instrumentesh politike. Këto instrumente të rregullimit politik mund të kategorizohen sipas mënyrave në vijim. Së pari ka rregullime dhe nxitje financiare që janë projektuar për të kontrolluar konkurrencën ‘shkatërrimtare’ dhe për t’i bërë konkurrentët t’u nënshtrohen rregullave që mundësojnë mbijetesën ekonomike të partnerëve të tyre përkatës në treg. Zakonisht këto rregullime kanë të bëjnë me masa dhe ligje që përpiqen të mbrojnë palën ‘më të dobët’ në marrëdhënien e këmbimit, ose që e mbështesin këtë palë nëpërmjet nxitjeve të ndryshme. Së dyti, ka një kategori të gjerë investimesh infrastrukturore publike të cilat janë projektuar për të ndihmuar kategori të caktuara të pronarëve të mallrave (sërishmi: edhe të punës, edhe të kapitalit) për t’u përfshirë në marrëdhënie këmbimi. Shembuj tipikë të këtyre të fundit janë shkollat, lehtësitë në transport, uzinat energjetike dhe masat për zhvillim urban e rajonal. Së treti, që është edhe e kohëve të fundit, kemi përpjekje për të futur skema të vendimmarrjes së përbashkët dhe bashkëfinancimit. Këto janë projektuar për t’i shtrënguar partnerët në treg drejt dakordësimit në mënyrë të organizuar mbi kushtet e këmbimit të pranueshëm reciprokisht jashtë procesit të këmbimit, në mënyrë që rezultatet të jenë të parashikueshme për të dyja palët. Këto skema të sanksionuara nga shteti mbi akomodimin reciprok të shoqatave dhe aktorëve kolektivë (që së fundmi përshkruhet si neokorporatizëm) mund të hasen jo vetëm në sferën e negociatave mbi pagën, por edhe në ato të strehimit, arsimimit dhe mbrojtjes mjedisore.

    Kontradiktat strukturore të kapitalizmit të vonë

    Këto përpjekje për stabilizimin dhe universalizimin e formës së mallit dhe procesit të këmbimit përmes instrumenteve politike e administrative shpien në një sërë kontradiktash strukturore specifike brenda shoqërive kapitalisto-shtetërore, të cilat nga ana e tyre shndërrohen në fokusin e konfliktit shoqëror dhe luftës politike. Këto kontradikta mund të hasen në nivelet ekonomike, politike e ideologjike të shoqërisë. Në nivelin ekonomik, bash politikat shtetërore të projektuara për të ruajtur dhe zgjeruar marrëdhëniet e këmbimit shpeshherë sjellin për pasojë vënien në rrezik të vazhdimësisë së këtyre marrëdhënieve. Kjo ndodh për shkak se të tri instrumentet e politikëbërjes shtetërore që përmendëm më sipër (rregullimet, investimet infrastrukturore dhe akomodimi reciprok) i zhveshin pronarët e kapitalit nga vlera në shkallë të ndryshme – ose në trajtën e kapitalit që ‘taksohet’, ose në trajtën e fuqisë punëtore, ose në trajtën e lirisë së tyre për t’i përdorur të dyja këto në mënyra nga më fitimprurëset. Edhe pse politikat shtetërore të ‘rimallëzimit administrativ’ janë ‘efektive’, ato ua hedhin barrën pronarëve të kapitalit. Nga ana e saj, kjo e fundit ka efektin paradoksal të rrezikimit të efektivitetit të politikave shtetërore. Përderisa në një shoqëri kapitaliste të gjitha marrëdhëniet e këmbimit varen nga vullneti i pronarëve të kapitalit për të investuar, d.m.th. për të këmbyer kapitalin para me kapital konstant dhe kapital variabël; përderisa ky vullnet varet nga fitimi i pritshëm i investimit dhe përderisa të gjitha politikat shtetërore të rimallëzimit kanë për efekt anësor empirik zhveshjen e kapitalit ose nga kapitali, ose nga fuqia punëtore, ose nga liria për t’i përdorur këto të dyja në mënyra fitimprurëse, ilaçi rezulton të jetë më i dëmshëm se sëmundja. Prandaj politikat reformiste të shtetit kapitalist nuk u ‘shërbejnë’ aspak në mënyrë joekuivoke interesave kolektivë të klasës kapitaliste: shpeshherë ato përballen me rezistencën dhe kundërshtinë politike më të fortë nga ana e kësaj klase. Konfliktet shoqërore dhe luftërat politike, sidomos ato me potencial socialist, nuk lindin automatikisht prej kësaj kontradikte sistematike midis politikave shtetërore dhe ‘interesave’ të kapitalit. Këto luftëra zhvillohen zakonisht prej forcave politike që kanë vullnetin dhe aftësinë për të mbrojtur dhe përdorur në mënyrë të ndërgjegjshme politikat reformiste të shtetit kapitalist kundër pushtetit dhe rezistencës obstruksioniste të vetë klasës kapitaliste.

    Kontradikta e dytë strukturore lidhet me strukturat pushtetore organizative që krijohen nga strategjitë shtetërore reformiste. Studiuesit liberalë e marksistë kanë vërejtur shpesh se, në kushtet e kapitalizmit të vonë, sektorët e ekonomisë që nuk kontrollohen drejtpërdrejt nga mekanizmat e tregut priren të përthithin një pjesë gjithnjë e më të madhe të sasisë së përgjithshme të fuqisë punëtore dhe produktit shoqëror. Shembulli më i dukshëm i kësaj është administrata publike dhe të gjitha agjencitë e krijuara e të kontrolluara prej saj (si për shembull shkollat, infrastruktura e transportit, zyrat e postës, ushtria etj.). Si shpjegohet rëndësia në rritje e këtyre organizmave? Thjesht, për shkak se përpjekjet shtetërore për të ruajtur dhe universalizuar formën e mallit kërkojnë organizma mënyra e veprimit të të cilave nuk i nënshtrohet më formës së mallit.  

    Kjo mund të vërtetohet në rastin e mësuesve. Ndonëse është e vërtetë që fuqia e tyre punëtore këmbehet me pagën, nuk ndodh që qëllimi i drejtpërdrejtë i fuqisë së tyre punëtore është të prodhojë mallra për fitim në treg (si në rastin e ndërmarrjeve kapitaliste). Në fakt qëllimi i punës është të prodhojë vlera përdorimi (njohuri, aftësi etj.), të cilat u mundësojnë punëtorëve të shesin fuqinë e tyre punëtore në treg. Shkollat nuk i shesin ‘produktet’ e tyre, ndonëse mund të ndihmojnë në ruajtjen dhe përmirësimin e shitshmërisë së mallrave (fuqisë punëtore) që janë marrëset e ‘produkteve’ të tyre. ‘Produktet’ e punës së mësuesve u shpërndahen marrësve nëpërmjet kanaleve të ndryshme nga ato të këmbimit. E njëjta gjë është e vërtetë për fusha si autoritetet e strehimit publik, spitalet publike, sistemi i transportit, burgjet dhe të tjera degë të aparatit shtetëror. Ndonëse tarifat nominale (si të kundërta nga çmimet) luajnë një rol ndërmjetës në shpërndarjen e këtyre produkteve e shërbimeve, mekanizmi kryesor shpërndarës nuk është shitja, por pretendimet ligjore, rregullat e detyrueshme, nevojat e njohura ose thjesht e drejta e përdorimit falas. Kësisoj nuk është për t’u çuditur që një prej çështjeve më kundërthënëse e të pazgjidhura në fushat e ekonomisë publike dhe shkencës politike liberale merret me mekanizmin e prodhimit dhe shpërndarjes së ‘të mirave publike’, i cili nuk mund të zëvendësohet nga mekanizmi i këmbimit tregtar që nuk zbatohet në fushën e prodhimit publik – një fushë në rritje prodhimi që ka për qëllim ruajtjen dhe universalizimin e formës mall të pronës.

    Kjo strategji e ruajtjes së formës së mallit ka si parakusht rritjen e formave të prodhimit të organizuara nga shteti, të cilat janë të përjashtuara nga forma mall. Sërishmi, kjo përbën një kontradiktë vetëm në një kuptim strukturor – një burim i mundshëm konfliktesh dhe zhvillimesh destabilizuese, të cilat nga ana  e tyre varen nga veprimi politik dhe organizimi i ndërgjegjshëm që drejtohen në ‘hallkat më të dobta’ në botën e marrëdhënieve të këmbimit. Ndonëse shumë marksistë të cilët e quajnë veten ‘ortodoksë’ nuk e kuptojnë, është e qartë se konfliktet shoqërore dhe luftërat politike kryesore në SHBA dhe Evropën Perëndimore gjatë viteve 1960 nuk kanë ndodhur brenda marrëdhënieve të këmbimit midis punës dhe kapitalit. Në fakt ato kanë qenë konflikte për kontrollin e organizmave të prodhimit shoqëror që i shërbejnë formës së mallit pa qenë vetë pjesë e serisë së mallit. Shembuj të tillë gjenden në konfliktet në shkolla, universitete, burgje, organizma ushtarakë, autoritete strehimore dhe spitale. Ne sugjerojmë që shpjegimi i këtij konflikti mund dhe duhet bazuar në konsideratën se këto organizma administrativë përfaqësojnë formën më të përparuar të erozionit të formës mall brenda marrëdhënieve të këmbimit kapitalist.

    Kontradikta e tretë mund të gjendet në nivelin ideologjik, ose në ‘infrastrukturën’ normative e morale të shoqërisë kapitaliste. Funksionimi i formës së mallit ka si kusht dy norma të ndërlidhura me të cilat duhet të zbatohen nga të gjithë aktorët individualë. Së pari, ata duhet të dëshirojnë t’i përdorin mundësitë që u paraqiten dhe të përpiqen vazhdimisht për të përmirësuar pozicionin e tyre relativ në procesin e këmbimit (posesivizmi). Së dyti, ata duhet të pranojnë çfarëdo rezultati material që lind prej marrëdhënieve të tyre të veçanta të këmbimit – sidomos nëse ky rezultat është i pafavorshëm për ta. Me fjalë të tjera, këto rezultate duhet t’u atribuohen ose ngjarjeve të natyrshme, ose virtyteve dhe dështimeve të individit (individualizmi).

    Që një ekonomi kapitaliste e bazuar te malli të funksionojë, sindroma normative e individualizmit posesiv duhet të jetë bazë edhe e sjelljes së aktorëve, edhe e interpretimeve të tyre mbi sjelljes e tashme dhe të ardhshme të të tjerëve. Ne mendojmë se kontradikta e kapitalizmit të shtetit social në nivelin ideologjik sjell për pasojë shkatërrimin e sindromës së individualizmit posesiv. Kur marrëdhëniet e këmbimit nuk merren më si ‘të natyrshme’, por krijohen dhe mbahen përmes strategjive shtetërore politike e administrative të dukshme, vlera e këmbimit të çdo njësie pune ose kapitali në treg mund të konsiderohet si e përcaktuar po aq nga masat politike, sa nga menaxhimi individual i pronës dhe burimeve vetjake. Këto burime individuale konsiderohen si rezultat i masave politike apo të varura prej tyre. Konsiderata për faktin nëse individët mund ta shesin apo jo fuqinë e tyre punëtore dhe sa do të përfitojnë prej saj, bëhet gjithnjë e më shumë – në nivelin e orientimit normativ dhe vetëkuptimit të aktorëve – çështje e politikave shtetërore të përshtatshme ose të papërshtatshme në fusha si arsimi, trajnimi profesional dhe zhvillimi ekonomik rajonal. Po ashtu, për pronarët e kapitalit suksesi në treg varet më pak nga faktorë si vullneti për të rrezikuar, investueshmëria dhe aftësia për t’u paraprirë ndryshimeve në kërkesë, dhe më shumë nga politikat shtetërore në fusha si taksimi, tarifat, kërkimi e zhvillimi shkencor dhe investimi në infrastrukturë. Dobësimi strukturor i fibrave normative e morale të një shoqërie kapitaliste të bazuar te malli – që shkaktohet bash nga përpjekjet për të stabilizuar dhe universalizuar formën e mallit përmes politikave shtetërore – sërishmi nuk nënkupton ndonjë prirje automatike drejt krizave apo ‘shkatërrimin’ e kapitalizmit. Sidoqoftë ai mund të bëhet fokusi i konfliktit shoqëror dhe luftërave politike që orientohen drejt tejkalimit të formës së mallit si parim organizues i riprodhimit shoqëror. /Teza11/

    E përktheu Arlind Qori

    Marrë nga libri i autorit “Contradictions of the Welfare State”

    Imazhi: Diego Rivera

    Lajmi Paraprak

    Vazhdojnë akuzat ndërmjet Izairit dhe Sejdiut për rezultatin e zgjedhjeve lokale në komunën e Zhelinës

    Lajmi i rradhës

    A shtuam në peshë gjatë pandemisë?

    Lajme tjera

    Kirovi

    EDISON YPI Kishin filluar të dukeshin televizionet private italiane. Njerëz që u ishte bërë shpirti zeher duke pritur…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë