Thjesht çështje emrash?

    Edmond Tupja 

    Të mërkurën që shkoi, zoti Internet më mësoi me modestinë më të madhe se fjala “Turkey”, pra, në shqipe, “Turqi”, në gjuhën angleze paska edhe kuptimin “pulë deti”. Sigurisht, kjo nuk ndodhi për arsye që lidhen me artin e të gatuarit, aq më tepër se festat e fundvitit sapo kaluan dhe se askujt nuk i vete mendja më për gjel  apo pulë deti, të paktën deri në fund të dhjetorit të ardhshëm; kjo nuk ndodhi as për arsye gjuhësore, sepse nuk jam duke mësuar anglishten, as duke përkthyer ndonjë libër prej kësaj gjuhe. Ja, pra, si qëndron çështja:

    Salomé Robles, pikërisht në Yahoo France, shkruante më 26 janar se presidenti turk po negocion me autoritetet e OKB-së, të cilave u ka kërkuar, në fillim të janarit (sipas gazetës franceze “Le Figaro”), që vendit të vet t’i ndryshohet zyrtarisht emri në anglishte sepse “Turkey” (Turqi) në po këtë gjuhë i thënkan edhe “pulës së detit”. Kjo situatë, sipas presidentit turk, i ngatërruaka gjërat dhe mund t’i bëjë dëm emrit të mirë të vendit të tij në skenën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, emri “Turkey”, sipas tij, duhet zëvendësuar me emrin “Türkiye”, pra, siç e quajnë turqit atdheun e tyre. Gjithmonë sipas atij, fjala “Türkiye” përfaqëson e shpreh më së miri kulturën, qytetërimin dhe vlerat e kombit turk. Ç’është e vërteta, ka disa vite që presidenti turk këmbëngul në këtë drejtim, ndaj kjo kërkesë zyrtare përfaqëson një hap të rëndësishëm për atë që përpiqet përherë e më shumë të ndikojë në diplomacinë botërore.

    Ndryshe nga presidenti turk, kryeministrit Rama, mikut të tij të ngushtë “strategjik”, as nuk i shkon mendja ta zëvendësojë emrin “Albania” me emrin që përdorin vetë shqiptarët në gjuhën e tyre, pra me “Shqipëri”, që vjen nga fjala “shqipe”, pra “shqiponjë”. Përse vallë kështu? A nuk do të ishte bukur sikur fjala anglishte “eagle” (shqipe, shqiponjë) të kombinohej me fjalën po anglishte “land” (tokë, vend) për të zëvendësuar pikërisht emrin “Shqipëri” në fjalorin e organizatave ndërkombëtare me fjalën “Eagland”, toka, vendi i shqipeve, i shqiponjave?

    Miqtë e mi socialistë të thekur Françek Armadhi dhe Namik Arvogli, që janë gati të japin jetën për liderin (me “r”, aspak me ”rr” kjo fjalë!) e Partisë Socialiste, nuk e pranuan idenë time të emrit “Eagland”, duke arsyetuar si vijon: “Sikur kërkesa e presidentit Erdogan dhe ajo e kryeministrit Rama për ndryshimet e mësipërme të bëheshin të pranishme në anglishten e ndërkombëtarizuar, do të plaste gazi në rrjetet  sociale të gjithë vendeve të botës!  Po, po, anembanë rruzullit tokësor! Sepse rrezik të dalë ndonjë humorist apo karikaturist gjenial (si, për shembull, miku im Bujar Kapexhiu) që, me  pulat e detit turke dhe shqiponjat shqiptare mund të na kujtojë se dikur hordhive të sulltanëve osmanë u ngeci sharra në gozhdë me trupat e Skënderbeut shqiptar, por sot shqiponjat që fluturojnë lart janë të zonjat, nën penelin e tij, t’u sulen pulave të detit turke dhe… dhe vazhdimin nuk e di ngaqë nuk jam as humorist, as karikaturist si miku im i sapopërmendur, por, sidoqoftë, një gjë e marr me mend: sado të fryhen gjelat e detit para pulave të detit, ata, gjelat, nuk janë fare të zotët t’i mbrojnë ato, pulat, nga shqiponjat! Gjithsesi, me që ra fjala, gjelat e detit të kujtojnë shumë burra shteti, të djeshëm e të sotëm, sepse thuajse tërë këta burra – veçanërisht kryeministrat – kanë momente që fryhen pikërisht si gjela deti, por edhe si bretkosa e fabulës së La Fontenit, sidomos kur në kabinetin e tyre qeveritar (me “t” kjo fjalë, aspak me “k” në vend të saj!) ka prani të brishta apo të mishta femërore, por me vështrime që herë pas here të kujtojnë vështrimet e pulave të detit në  prag të festave të fundvitit… Përse kështu? Sepse ashtu si pulat e detit që e ndiejnë turbullazi se pronarët e tyre, pasi t’i kenë majmur, do t’i therin për t’i shitur, ashtu edhe pranitë femërore e sapopërmenduara e dinë se do t’u vijë edhe atyre radha të largohen nga qymezi qeveritar me përgëzimet e kryegjelit detar.

    Së fundi, por jo më së paku, në këtë histori apo, më saktë, në këtë paralelizëm pulash e gjelash deti, pa harruar shqipet apo shqiponjat, ka një notë erotizmi të nënkuptuar, të cilën lexueset e lexuesit e mi të sotëm mund ta pikasin më qartë nëse krahasojnë emrat “Turqi” dhe “Shqipëri” nga pikëpamja fonetike; e thënë më shkoqur, këta dy emra, për ne shqiptaret e shqiptarët, kanë disa shkronja të përbashkëta, të cilat janë, sipas rendit alfabetik, “i”, “q” dhe “r”, veçse dy prej këtyre formojnë të njëjtën rrokje: “q” + “i” = “qi”; me këtë të fundit fillojnë në gjuhën tonë amtare dy fjalë të huazuara me prejardhje turke: “qibër” (d.m.th. sqimë) dhe “qibar” (d.m.th. sqimatar), fjalë këto që i lidhin, puqin, përputhin e i saldojnë për mrekulli me njëri-tjetrin dy miqtë tanë strategjikë, pra, Erdoganin me Ramën. Mirëpo, fatkeqësisht, ja si e përkufizon “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) fjalën “qibër”  në kuptimin e saj të dytë: “prirje për t’u dukur e për të dalë mbi të tjerët, vlerësim i tepruar i vetes; mendjemadhësi”. A nuk ju duket, o lexueset e lexuesit e mi, që ky kuptim u përshtatet edhe dy miqve tanë strategjikë? Kurse përsa i takon fjalën “qibar”, ju lutem të mos e ndani në rrokje (qi-bar), sepse e para do të shpaloste pa pikë turpi erotizmin e saj vulgar, ndërsa e dyta do të na shtynte pa pikë ngurrimi drejt drogës!

    Sigurisht, ekziston në shqipe edhe fjala “qiell”, sidomos ai i shtati, ku Erdogani ëndërruaka natë e ditë ta shpjerë popullin e vet dhe, natyrisht, popullin e Ramës. Por, për fat të keq, në shqipe ekzistuaka edhe fjala “qivur” (d.m.th. arkëmort, arkivol), me prejardhje nga greqishtja e lashtë, e cila, pavarësisht ngarkesës së saj të dyfishtë erotike, na kujton se vdekja nuk bën përjashtim për asnjeri, qoftë ky president apo kryeministër i adhuruar deri në çmenduri mazohiste. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Paga minimale do të vazhdojë të rritet”

    Lajmi i rradhës

    Zhbalancimi pro “Foltores” i Edi Ramës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë