Tragjedia e pasme e Eskilit

    LEONARD DEMI
    DËSHTIM

    Planet fillestare të Presidentit rus për të pushtuar Ukrainën dështuan. Ai synonte të merrte Kievin nga veriu dhe më pas të rrëzonte qeverinë e Presidentit Zelensky për 48 apo 72 orë, ose brenda një jave, por zoti Putin u përpoq për gjashtë javë me radhë dhe nuk mundi të shkatërrojë aftësinë mbrojtëse të Ukrainës. Faza e parë e luftës qe një disfatë vendimtare.

    Forcat ukrainase përdorën taktika inteligjente të stilit gueril për t’u zënë pritë autokolonave, që përparonin. Ata ishin shumë më të pakët në numër se rusët, por armatimet e reja u dhanë një përparësi të veçantë, ndërsa pushtuesit rusë dështuan të integronin të gjithë elementët tokësorë, duke treguar habitshëm se sa të papërgatitur ishin në të vërtetë. Të dëshpëruar, përdorën edhe mjetet më vdekjeprurëse konvencionale si “bombat vakum”, një nga sistemet më të frikshme të Rusisë, të cilat thithin oksigjenin dhe krijojnë shpërthime me temperaturë të lartë, që tret trupin e njeriut.

    Presidentit rus nuk i kishte vajtur kurrë në mendje se do të detyrohej të ridislokonte, rigruponte, ripajiste, të riarmatoste forcat e veta luftarake dhe të thërriste në ndihmë milicë sirianë apo çeçenë në ditën e dyzetë të luftës së tij në Ukrainë.

    Të goditur dhe të rraskapitur, rusët braktisën tanket, artilerinë, mjetet luftarake të këmbësorisë dhe, ndërsa po tërhiqeshin me nxitim nga periferitë e Kievit, vranë dhe dogjën trupat e qindra banorëve në Buka, që përpiqeshin t’u shpëtonin. Disa ditë më vonë sulmuan me raketa stacionin e trenit në Kramatorsk, ku gjetën vdekjen dhjetëra qytetarë, që po përpiqeshin të largoheshin përpara fillimit të ofensivës tjetër. Këto krime tragjike kanë rrëqethur mbarë njerëzimin dhe të tmerruar pyesim: si arrijnë njerëzit e zakonshëm të kryejnë mizori të tilla?

    Ukraina po përgatitet për një betejë tjetër, që ka të ngjarë të jetë një sulm masiv. Sidoqoftë, disa elementë duken qartë: parashikimet e strategëve rusë ishin të gabuara, ushtria ukrainase luftoi për të mbrojtur tokën e vet në një fushëbetejë, që historianët ushtarakë do ta analizojnë për vite me radhë, por, tani, ajo do të ketë nevojë për armë më të fuqishme.

    OFENSIVA TJETËR Presidenti Putin dhe gjeneralët e tij po kërkojnë të shpëtojnë fytyrën nga një dështim mbarëkombëtar, që qe një katastrofë, e cila ekspozoi keqas dobësinë e makinerisë së planifikimit dhe të luftës të Moskës.

    Rusia, tani, po bëhet gati për një fushatë, që synon të kontrollojë një pjesë të Ukrainës, e cila shtrihet nga Donbasi në lindje deri në Odesë, në skajin perëndimor të bregut të Detit të Zi dhe, në qoftë se ia del, mund të ndajë vendin, por një suksesi i Ukrainës do të zbehte përgjithmonë ambiciet e zotit Putin.

    Rusia e ka kundërshtuar sovranitetin ukrainas të Rajonit të Donbasit që kur aneksoi Krimenë, më 2014, para se të nxiste kryengritjet separatiste në Donetsk dhe Luhansk. Të dyja provincat kanë qenë nën kontrollin e përfaqësuesve rusë dhe, disa ditë përpara se të niste pushtimin e Ukrainës, Presidenti Putin i njohu si republika të pavarura, nën maskën e një “operacioni ushtarak special” për të mbrojtur të drejtat e tyre.

    Rusia ka mobilizuar rreth 60,000 rezervistë dhe po grumbullon njësi të reja luftarake për të zëvendësuar ato që humbi javët e fundit, por, sidoqoftë, do të duhet kohë për t’i pajisur dhe trajnuar. Rusia, në dështimin e parë, angazhoi 75 për qind të forcave të veta të gatshme luftarake, si dhe trupat më të mirë. Shumë syresh janë të rraskapitur dhe të demoralizuar pas gati shtatë javë betejash.

    Imazhet satelitore tregojnë se qindra automjete ushtarake lëvizin nga qyteti verilindor Velykyi Burluk drejt jugut, me qëllimin e dukshëm për të nënshtruar Kramatorskun, kryeqytetin e Donetskut dhe për të nxjerrë jashtë luftimit disa nga luftëtarët më të vendosur ukrainas.

    Ofensiva ruse në Donbas do të jetë, pothuajse, në përputhje me doktrinën ruse, me stërvitjet e viteve të fundit, si dhe të epërsisë numerike të Rusisë në tanke dhe mjete të blinduara, të cilat nuk ishte në gjendje t’i shfrytëzonte plotësisht në sulmin kundër Kievit. Kësisoj, Gjenerali Mark Milley, kryetar i Shtabit të Bashkuar të Forcave Ushtarake Amerikane, i tha Kongresit se, në juglindje, terreni është shumë më i hapur se në veri dhe i jep mundësi të dy palëve të kryejnë operacione sulmuese me mekanizma të blinduar dhe mund të kemi një konflikt shumë të zgjatur.

    Kjo luftë, sido që të vazhdojë, do të jetë shkatërruese, vëren ish-sekretari i mbrojtjes Robert Gates. “Është një situatë humbjehumbje. Sa më gjatë të vazhdojë, aq më keq do të jetë për të dyja palët. Mund të përfundojë me rënimin e ekonomisë ruse dhe shkatërrimin e qyteteve të Ukrainës; mund të përfundojë, gjithashtu, me një përshkallëzim rus, ndoshta në formën e sulmeve kibernetike apo edhe të armëve taktike bërthamore”.

    Zyrtarët ukrainas u kërkojnë qytetarëve të shfrytëzojnë shansin e tyre të fundit për t’u larguar nga rajoni juglindor i Donbasit, ndërsa forcat ruse po grumbullohen dhe po godasin objektiva në perëndim të Donbasit dhe, me sa duket, kanë shkatërruar aeroportin në Dnipro, që ka shërbyer si një qendër logjistike për ushtrinë ukrainase në atë rajon.

    NATO

    Ministrat e Jashtëm të NATO-s, në takim e 6-7 prillit, ranë dakord të rritin mbështetjen për Ukrainën. Aleatët po ofrojnë ndihma më të mëdha ushtarake, humanitare, financiare, si dhe pajisjet të posaçme kundër kërcënimeve kimike dhe biologjike. Implikimet e pushtimeve të Rusisë janë globale dhe afatgjata.

    Ministri Kuleba i tha Këshillit të Atlantikut të Veriut se betejat për lindjen do të ngjanin më shumë me Luftën e Dytë Botërore, me operacione në shkallë të gjerë me mijëra tanke, automjete të blinduar, avionë dhe artileri sesa me manovrime të shkathëta si ato, që mundën Rusinë në veri të vendit. Ai tha se axhenda e tij në Bruksel qe “armë, armë, armë” dhe bëri një apel urgjent për lloje të reja dhe të ndryshme, duke ripërsëritur kërkesën për një zonë ndalim-fluturimi të vendosur nga NATO.

    NATO dhe Aleatët e kanë mbështetur Ukrainën për shumë vite dhe janë të gatshëm të bëjnë ende më shumë, duke i ofruar lloje të ndryshme armatimesh. Sekretari i Përgjithshëm mbështeti thirrjet e Ukrainës drejtuar aleatëve perëndimorë për të mënjanuar dallimin midis armëve mbrojtëse dhe sulmuese, d.m.th., të mos ketë kufizim në llojin e armatimeve. “Ukraina tani po mbrohet nga një pushtim dhe dallimi midis armës sulmuese dhe mbrojtëse është pak i çuditshëm, sepse flasim për sigurimin e armëve për një vend, që mbrohet dhe vetëmbrojtja është një e drejtë e përfshirë në Kartën e OKB-së. Gjithçka, që bën Ukraina, është mbrojtëse”, tha ai.

    ALEATËT Ukraina i tejkaloi të gjitha parashikimet se do të ishte në gjendje të mbante ushtrinë ruse për njëfarë kohe, derisa të kalonte në luftë guerile. Arritjet e deritanishme dëshmojnë efikasitetin e strategjisë të mbështetjes ushtarake dhe të sanksioneve ekonomike. Tani, planifikuesit po përpiqen të pajisin Ukrainën për, pothuajse, një luftë konvencionale. Forcat ukrainase ende kanë nevojë për pushkë, dronë, granatahedhës, armë individuale (supi) kundërtanke dhe kundërajrore, por për luftimet e ardhshme, më të rëndësishëm do të jenë tanket, mjetet e blinduara, artileri, dronë modernë, raketa tokëajër me rreze të gjatë veprimi dhe raketa kundër anijeve për të përmbajtur flotën ruse të Detit të Zi etj.

    Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët transatlantikë po përgatiten t’u dërgojnë forcave ukrainase armët, që u nevojiten për të luftuar për një kauzë, që nuk u përket vetëm atyre, por kujtdo, që beson në rendin ndërkombëtar, vetëvendosjen dhe të drejtat e njeriut.

    Pajisja e Ukrainës me armë të tilla është urgjente. Transporti i tyre nga vendet e NATO-s, që kufizohen me Ukrainën, duhet të jetë më i lehtë tani, kur shumica e forcave ruse janë larguara nga veriu dhe perëndimi i vendit. Rusët mund të përpiqen të bombardojnë autokolonat e furnizimit, por ish-sekretari Gates vëren se kushdo, që mendon se do të jetë e lehtë të ndërpresë furnizimet e armatimeve të kalojnë kufirin e gjatë të Ukrainës, harron trafikun e pandalshëm të armatimeve përgjatë shtegut Ho Chi Minh në Luftën e Vietnamit (Një sistem i përpunuar shtigjesh malore dhe në xhungla, që Vietnami i Veriut shfrytëzoi për të dërguar trupa dhe furnizime luftarake në Vietnamin e Jugut, Kamboxhia dhe Laos gjatë Luftës së Vietnamit nga viti 1960-1975. Bombardimet e përsëritura nuk arritën të pengonin trafikun ose e dëmtuan pak atë).

    Megjithatë, këtu lind një problem: forcat ukrainase janë mësuar me armatime ruse dhe Aleatët e NATO-s në Europën Lindore mund të ndihmojnë më shumë, duke dërguar armë, që mbetën në inventarët e tyre pas rënies së Bashkimit Sovjetik, të cilat, thotë zoti Sullivan, mund të përfshijnë “sisteme kundërajrore me rreze më të gjatë, sisteme artilerie dhe sisteme të mbrojtjes bregdetare”. Sllovakia, p.sh., do të sigurojë një sistem për mbrojtje ajrore me rreze të gjatë veprimi S300, por shembullore janë ofertat e Britanisë për të dërguar automjete të blinduara Mastiff dhe armë kundër anijeve, si dhe vendimet e Republikës Çeke për të dërguar tanke T-72 të prodhimit sovjetik dhe mjete luftarake të këmbësorisë.

    Përpjekja e Presidentit rus, Vladimir Putin, për të pushtuar Ukrainën, ka nxitur dy luftëra. E para është konflikti i përgjakshëm ushtarak tek fqinji i vet. E dyta është një luftë më e gjerë, që ka pushtuar zemrat dhe mendjet e të gjithë europianëve nga Rrethi Arktik deri në Mesdhe, të cilët dënojnë si agresionin rus, ashtu edhe axhendën ideologjike joliberale ruse. Por, siç vazhdojnë të përsërisin zyrtarët e vendeve mike, vetëm Presidenti Zelensky mund të marrë vendimet përfundimtare për luftën dhe paqen. U takon ukrainasve të vendosin se çfarë janë të gatshëm të pranojnë dhe sa rrezik janë të gatshëm të durojnë. Por, në qoftë se ukrainasit janë të vendosur për të zmbrapsur pushtuesit, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë aleatët transatlantikë e dinë se kanë një detyrë morale: të bëjnë gjithçka, që munden, për t’i ndihmuar të kenë sukses siç po e bëjnë pa ngurrim. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Basha: Berisha ka rinisur sulmet ndaj meje dhe Alibeajt, drejtësia ta lexojë mirë raportin e DASh

    Lajmi i rradhës

    Nedellkov: Sjellje jonjerëzore, presion dhe mobing nga drejtorët e çerdheve

    Lajme tjera

    Në hije

    LEONARD DEMI Këtë verë, vendi ynë ka qenë arenë e sulmeve të disa shërbimeve, që synonin të krijonin…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë