Universitetet dhe betejat (para) politike për kapjen e tyre

    Bekim Baliqi

    Universitetet luajnë rol kyç në krijimin dhe ruajtjen e stabilitetit politik, kohezionit social, rendit juridik dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Përmes nxitjes së mendimit kritik, hulumtimeve shkencore dhe debateve akademike, ato promovojnë demokracinë dhe forcojnë tolerancën në shoqëri.

    Megjithatë, universitetet në demokracitë e brishta shpeshherë i nënshtrohen ndërhyrjeve dhe ndikimeve politike e parapolitike, sepse perceptohen si burim esencial i pushtetit. Kështu, kontrolli i tyre është edhe një betejë mes grupeve e klaneve të ndryshme (para)politike. Kështu ato shndërrohen në katalizatorë si në formimin, ashtu edhe transformimin e pushtetarëve. 

    Në studimin mbi formimin e elitave, Tony Bennett (2005) konsideron se në parim ekzistojnë dy lloj elitash. Nga njëra anë, janë elitat tradicionale, të bazuara në lidhje familjare, status fetar dhe social. Ndërsa në anën tjetër, janë elitat e reja, formimi dhe rekrutimi i të cilave bazohet në kualifikimin akademik, aftësitë ndërmarrëse apo kulturore.

    Rëndësia e universiteteve në procesin e formimit të elitës rrjedh edhe nga fuqia e tyre simbolike, të cilën Pierre Bourdieu (1993) e përkufizon si kapital simbolik, të lidhur ngushtë me kapitalin ekonomik, social dhe kulturor. Universiteti si kapital simbolik, ka të bëjë me reputacionin dhe vlerën e personave të perceptuar dhe pranuar nga të tjerët si të tillë. Prandaj, ky lloj kapitali legjitimon hyrjen në qarqet elitare të anëtarëve të tjerë dhe krijon bazën për pushtet më të gjerë në shoqëri.

    Nëse elita buron nga kontrolli dhe zgjerimi i burimeve të kapitalit simbolik dhe njohurive, atëherë padyshim Universiteti i Prishtinës (UP) kishte dhe vazhdon të ketë ndikim thelbësor në formimin e elitës (para)politike të Kosovës.

    Në rastin e UP-së, por edhe të universiteteve tjera publike, kontrolli dhe ndikimi nuk bëhet nga elita të formuara mbi bazë të meritokracisë, integritetit akademik dhe arritjeve shkencore, e aq më pak nga menaxhmentet e dala nga zgjedhjet e brendshme vërtet demokratike, por nga klanet (para)politike të lidhura ngushtë për interesa partikulare e të organizuara shpesh përtej dallimeve partiake, ideologjike e politike.

    Këto klane, të cilat për nga niveli shkencor dhe akademik janë mediokër, i përcaktojnë rregullat e lojës dhe procedurat duke riprodhuar llojin e vet, pra elitën e pushtetarëve. Nga emërimi e ‘zgjedhja’ e anëtarëve të Këshillit Udhëheqës të universiteteve, rektorëve dhe dekanëve të fakulteteve, e deri te pozitat kyçe në administratë dhe organizatat studentore, imponohen kryesisht nga këto klane pushtetarësh.

    Nga ana tjetër, një pjesë e elitës politike përzgjidhen në poste të larta qeveritare apo institucionale pas përfundimit të mandatit të tyre në drejtimin e universiteteve. Në këtë kuptim, universitetet tona shpesh shërbejnë si trampolinë për pushtetarët dhe anasjelltas. Pra, pas funksioneve politike ata kthehen në universitete për të vegjetuar të pa penguar.

    Kështu, për një demokratizim të mirëfilltë dhe luftim të klientelizmit e nepotizmit në Kosovë, duhet së pari nisur nga universitetet, ku edhe fillimisht riprodhohen pushtetarët dhe promovohen kundërvlerat.

    Ngjashëm sikur me sistemin e drejtësisë ku përmes vettingut synohet njëlloj pastrimi nga keqpërdorimet eventuale dhe ngritje të cilësisë e efikasitetit, ashtu edhe në Arsimin e Lartë duhet të ndodhë njëlloj rivlerësimi i stafit akademik, duke filluar nga kontrollimi antiplagjiat i doktoratave, punimeve shkencore për avancim, e deri te mbikëqyrja e mësimdhënies dhe aktiviteteve tjera arsimore e shkencore.

    Mirëpo, kush duhet ta bëjë këtë? Debatet dhe propozimet por këtë proces mund të vijnë edhe nga universitetet, por nuk mund të e presim nga universitet, që me strukturat udhëheqëse dhe gjendjen aktuale, të e kryejnë atë në mënyrë objektive dhe të duhur.

    Mirëpo, ky lloj vettingu do të mund të bëhej nga ndonjë departament e Këshillit Shtetëror të Cilësisë ose njësi në kuadër të MASHTit, zyrtarët e së cilës dëshmojnë kualifikim, integritet dhe përkushtim që këtë proces ta shtyjnë përpara përkundër presioneve a përpjekjeve për ndërhyrje eventuale. Mbase për ndonjë skeptik ky tingëllon si mision tejet i vështirë, por marrë parasysh që është më se e domosdoshme, duhet filluar sa më parë.

    Ashtu sikurse procesi i akreditimit u kundërshtua fillimisht, por që me kohë arriti të nxjerrë standarde të larta e funksionale, edhe ky proces do të mund të rikthente besimin në universitete dhe për më tepër do të rriste të dukshëm cilësinë e arsimit në vend. /Sbunker/

    Lajmi Paraprak

    Finlanda konfiskon 865 vagonë mallrash të firmave ruse

    Lajmi i rradhës

    Psikologjia e së kundërtës

    Lajme tjera

    I duam fëmijët

    LEONARD DEMI Aktiviteti i plogët strategjik i ushtrisë ruse i prishi planet Presidentit të Rusisë dhe kjo e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë