Të vërtetat e hidhura shqiptare në Parlamentin Europian

    GENC POLLO

    Një vit më parë në shënimin “Të vërtetat e hidhura shqiptare sot në Parlamentin Evropian” komentoja mbi rezolutën “Shqipëria 2021” të miratuar nga eurodeputetët. Këtë muaj rezoluta “Shqipëria 2022” e votuar me konsensus të gjerë në Strasburg konfirmon sërish se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian, e vlerëson pozitivisht ndër të tjera linjëzimin 100% të Tiranës me politikat e masat e Brukselit kundrejt agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Por ashtu si një vit më parë rezoluta rreshton probleme që nuk janë të denja për një shtet kandidat, i cili prej një viti negocion anëtarësimin në BE; madje të krijojnë përshtypjen se jemi diku midis shtetit të dështuar (failed state) e shtetit të kapur (captured state). Në kontrast me këtë radiografi të qartë ishte fjalimi optimist i përfaqësuesit të Komisionit Evropian në seancë plenare. Po për këtë problem do të kemi një shënim më vete.

    Për të ndihmuar informimin e publikut po listoj këtu pasazhet relevante të rezolutës:

    1- Shkeljet e rregullores në Kuvend.

    Shpreh keqardhjen për konfrontimin e qëndrueshëm politik, veprimet përçarëse dhe retorikën nxitëse nga politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë përfshi këtu shkeljet e rregullores parlamentare;

    2-Cungimi i rolit të opozitës parlamentare.

    Shpreh shqetësimin e tij për zvogëlimin e hapësirës për rolin mbikëqyrës parlamentar të opozitës;

    3-Refuzimi i komisionit hetimor parlamentar për çështjen McGonigal.

    Duke përfshirë refuzimin e komisioneve hetimore parlamentare, respektimi i të drejtave dhe përgjegjësive të opozitës;

    4- Moslejimi i PD-së reale të garojë në zgjedhjet lokale

    U bën thirrje autoriteteve të garantojnë lirinë e asociimit, duke përfshirë partitë politike, dhe lirinë për të kandiduar në zgjedhje;

    5- Votëblerja e probleme të tjera me zgjedhjet.

    Shpreh keqardhje për faktin që partitë kryesore politike nuk kanë arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore; u bën thirrje autoriteteve shqiptare të zbatojnë urgjentisht ndryshimet e pazgjidhura në kuadrin e financimit të zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias; u bën thirrje autoriteteve të garantojnë lirinë e organizimit, duke përfshirë partitë politike, dhe lirinë për të kandiduar në zgjedhje, duke përfshirë të gjitha pakicat dhe të gjitha seksionet e opozitës, pa ndërhyrje shtetërore ose të tjera të panevojshme, duke përmirësuar më tej aksesin dhe integritetin zgjedhor dhe duke parandaluar blerjen e votave dhe keqpërdorimin e burimeve administrative, duke përfshirë dixhitalizimin, mbrojtjen e të dhënave dhe aksesin e barabartë në media, në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i drejtë, i hapur dhe transparent;

    6- Kundër amnistisë fiskalo-kriminale dhe pasaportave të arta.

    Mbështet heqjen e dispozitave të projektligjit për amnisti fiskale dhe penale dhe skemën e propozuar të nënshtetësisë për investim (“pasaporta e artë”) që janë të papajtueshme me normat dhe politikën e vizave të BE-së dhe që mund të paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, korrupsionin dhe krimin e organizuar; vë në dukje, në këtë drejtim, pezullimin e shpallur të skemës “nënshtetësi për investim” dhe synimin e qeverisë shqiptare për të kërkuar ekspertizë të BE-së për rishikimin e projekt-amnistisë fiskale dhe penale.

    Thekson detyrimin e autoriteteve për të garantuar transparencë dhe konkurrencë në prokurimin publik, kontratat qeveritare, privatizimin, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesionit; thekson nevojën për të forcuar masat mbrojtëse, transparencën dhe kushtëzimin në kuadër të një procesi të shqyrtimit strategjik të investimeve të huaja dhe për të ndjekur penalisht incidentet e korrupsionit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, duke luftuar njëkohësisht evazionin fiskal, ndërtimet e paligjshme dhe anashkalimin e sanksioneve; rikujton se procedurat e dhënies së kontratës për projektet e infrastrukturës;

    7- Kundër aferës Al Abaar me Portin Durrës.

    Projekti lidhur me Portin e Durrësit, duhet të jetë në përputhje me standardet e BE-së për prokurimin publik sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit;

    8- Problem me marrëveshjet jo-viza që qeveria Rama bën me të tretët.

    Inkurajon Shqipërinë të rrisë përpjekjet për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit e saj dhe për të harmonizuar më tej politikën e saj të vizave me listën e vendeve të treta të BE-së që kërkojnë vizë;

    9- Dënon patronazhistët.

    Dënon përdorimin e paautorizuar të të dhënave private të qytetarëve, përfshirë nga partitë politike, dhe u bën thirrje autoriteteve të marrin masa urgjente për të parandaluar rrjedhjet e të dhënave dhe për të përshpejtuar përafrimin me acquis të BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale;

    10- Beleri burgoset që qeveria të kapë pronat në Himarë.

    Shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të Komunës së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve komunale të majit, i cili cenoi prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryebashkiakun e zgjedhur të marrë detyrën, pasi ai mbetet i burgosur edhe sot e kësaj dite. Nënvizon se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën komunale dhe akuzat për zaptim nga shteti;

    11-Përkeqësim i thellë i lirisë së medias e të shprehjes:

    o Shpreh keqardhje për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe përkeqësimin e situatës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias; thekson rolin e qeverisë shqiptare dhe liderëve politikë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për realizimin e këtyre lirive;

    o Dënon përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe për të fshehur në mënyrë arbitrare informacionin publik, të tilla si vendimet për të ndaluar pjesëmarrjen e gazetarëve në konferencat e shtypit të qeverisë, si dhe dështimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe organeve të medias; dënon çdo dhunë ndaj tyre;

    o Shpreh shqetësimin e tij për retorikën e qëndrueshme nxitëse, duke përfshirë politikanë të nivelit të lartë, zyrtarë publikë dhe figura të tjera publike; bën thirrje për hetime për të gjitha sulmet kundër mediave kritike dhe që autoritetet të nxjerrin para drejtësisë autorët e sulmeve kundër gazetarëve;

    o Dënon çdo përpjekje rregullatore për të rritur kontrollin politik mbi institucionet e medias; mirëpret, në këtë kontekst, tërheqjen e projektligjit kundër shpifjes në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias;

    o Nxit Qeverinë Shqiptare të sigurojë pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias dhe transparencën e pronësisë së medias, financimit dhe reklamimit publik, si dhe shpreh keqardhje për faktin se shumicës së mediave shqiptare u mungojnë modele të qëndrueshme biznesi dhe financim transparent;

    o U kërkon të gjithë aktorëve dhe autoriteteve politike që të ndalojnë përdorimin dhe të dënojnë gjuhën e urrejtjes, fushatat e shpifjeve dhe ngacmimet e organizatave të pavarura të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe të sigurojnë që autorët të sillen para drejtësisë;

    12-Problemet e financave me hidrocentralin Skavicë e Aeroportin e Vlorës.

    Për përmirësimin e transparencës, sjelljes, zbatimit dhe monitorimit të vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik mjedisor, veçanërisht, për projektet me pasoja të mëdha mjedisore dhe socio-ekonomike, si projekti i hidrocentralit të Skavicës; shpreh shqetësimin e tij për ndikimin ekonomik dhe mjedisor të projekteve zhvillimore jokonkurruese të financuara nga jashtë; si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës dhe ndalimi i zhvillimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Mexhiti: BDI është kundër heqjes së 20%

    Lajmi i rradhës

    Mundeni në mënyrë elektronike të aplikoni për dokumente personale, por për termin bëhuni gati të klikoni qindra herë

    Lajme tjera

    Diferenca

    MIMOZA AHMETI Para së gjithash, diferenca mbahet në një strukturë. Struktura rrënjon në mënyrën e sjelljes. Funksione kryhen…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë