Artan Limani, Kesi L. Barnhard (Cassie L. Barnhardt), Xhef Lai (Jeff Lai) dhe Solomon Fenton-Miler (Solomon Fenton-Miller)
Aktualisht, disa projekte ose iniciativa në Maqedoni përqendrohen në mënyrën se si universitetet i përgatisin studentët për përgjegjësi sociale dhe statusin qytetar.
Arsimi universitar është element thelbësor për paqen dhe prosperitetin e një vendi. Kjo paraqet burim për zhvillimin ekonomik në kuadër të një vendi dhe rajoni. Është thelbësore që arsimi i lartë, gjithashtu, të kultivojë mendimin kritik dhe inovativ, ndërsa mendimi i tillë është i nevojshëm për të aktivizuar ndërgjegjësimin kolektiv qytetar.
Ndërgjegjësimi qytetar është shkalla në të cilën populloi përkatësisht njerëzit e një vendi posedojnë njohuri dhe tregojnë përkushtim dhe sjellje që i inkurajon ata të jenë qytetarë aktivë, të angazhuar dhe të përgjegjshëm. Këto atribute qytetare u mundësojnë njerëzve të punojnë dhe të jetojnë së bashku në mënyra të dobishme për të gjithë, duke arritur konsensus për problemet në komunitet, pjesëmarrje dhe vlerësim të proceseve demokratike për vendimmarrje dhe institucione dhe fitimin e motivim për mbështetjen e anëtarëve të komunitetit, të cilët janë me prejardhje të ndryshme.
Republika e Maqedonisë së Veriut aspiron drejt statusit të anëtares së Bashkimit Evropian. Kriter i rëndësishëm në procesin e aderimit është sigurimi i dëshmive se institucionet sociale të shtetit, kultivojnë pjesëmarrjen demokratike dhe angazhimin qytetar të qytetarëve të vet. Konkretisht, Këshilli i Bashkimit Evropian thekson “promovimin e qytetarëve aktiv” si qëllim të rëndësishëm të sistemit arsimor në Evropë. Deri më sot, projektet dhe strategjitë të krijuara në këtë mënyrë, do të nxisin angazhimin qytetar në Maqedoninë e Veriut kanë punuar për të krijuar dhe institucionalizuar infrastrukturën themelore të demokracisë – qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, anti-korrupsioni dhe transparenca, mbështetja zgjedhore dhe shërbimet publike. Është me rëndësi thelbësore që kjo punë të adresojë angazhimin e të rinjve, me programe të hartuara për forcimin e organizatave në komunitet dhe ndjenjën e përkatësisë. Mirëpo, më pak theks vihet mbi rolin e sistemit arsimor në mbështetjen e demokracisë, qytetarisë dhe vlerave qytetare.
Mësimi dhe edukimi qytetar
Arsimi që mbështet kultivimin dhe mirëmbajtjen e idealeve dhe praktikave demokratike, siguron njohuri që studentëve u nevojiten në mënyrë që të jenë qytetarë të informuar. Shembull për këtë është ndërgjegjësimi për të drejtat dhe detyrat e qytetarëve, historinë dhe kulturën e shtetit dhe kuptimin e sistemeve ligjore dhe zgjedhore. Arsimi i bazuar në parimet demokratike duhet t’u sigurojë studentëve aftësi për dialog, kritikë, bashkëpunim, ndërtimin e besimit dhe zgjidhjen e konflikteve. Faktorë të ndryshëm mund të ndikojnë në aftësitë qytetare (p.sh. familja, identiteti, vendndodhja gjeografike), por hulumtimi vazhdimisht tregon se qasjet dhe metodat që përdorin mësuesit në klasë, formojnë mësimin qytetar të nxënësve.
Hulumtimet e deritanishme krahasuese mbi mësimin qytetar i analizojnë aftësitë qytetare të nxënësve të shkollave të mesme, por shumë më pak vëmendje i kushtohet mësimit qytetar në arsimin e lartë. Përveç kësaj, hulumtimet kanë treguar se arsimi i lartë luan një rol kryesor në ndihmën për të rinjtë, të jenë me orientim qytetar. Në esencë, arritjet arsimore kanë kohë që lidhen me votimin, përkatësisht procedurat zgjedhore; është më e mundshme ata me arsim më shumë vjeçar të marrin pjesë në zgjedhje. Ndërsa votimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mbrojtjen e vlerave demokratike, ai është vetëm një epilog mjaft sipërfaqësor, qytetar i lidhur me arsimin.
Aktualisht, një numër i vogël i projekteve ose iniciativave në Republikën e Maqedonisë së Veriut përqendrohen në mënyrën se si universitetet i përgatisin studentët për përgjegjësi sociale dhe statusin qytetar. Sigurisht, programet akademike kultivojnë ekspertizën e studentëve, veçanërisht në disa fusha specifike të njohurive dhe aftësive (inxhinieri, punë publike, arsim, biznes, komunikime, etj.). Megjithatë, fushat të tilla të veçanta të njohurive dhe aftësive janë vetëm fillimi i asaj që njerëzit e një vendi duhet të dinë. Në të gjitha fushat e studimit akademik, studentët kërkojnë njohuri dhe aftësi në lidhje me bashkëpunimin konstruktiv, trajtimin etik dhe bujar ndaj të tjerëve, dëgjimi dhe vlerësimi i këndvështrimeve të ndryshme dhe kuptimi i nevojave të komunitetit të gjerë. Për të inkurajuar mësimin demokratik, ligjëruesit e universitetit duhet t’i ndihmojnë studentët të mendojnë në mënyrë kritike, të përfshihen në diskutime domethënëse dhe të reflektojnë mbi implikimet praktike për lëndën e mësuar. Pikërisht këto aftësi u japin studentëve kapacitet të zgjidhin probleme kolektive me inovacion dhe kreativitet ose të ngrehin zërin e tyre kur institucionet ose udhëheqësit e zgjedhur nuk justifikojnë besimin kolektiv të publikut.
Kompetencat qytetare do të jenë të nevojshme në të ardhmen
Të dhënat për pjesëmarrje qytetare ngrenë pikëpyetje në lidhje me suksesin e praktikave demokratike dhe angazhimin qytetar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas “Fridom haus (Freedom House), Maqedonia e Veriut është vend me ekonomi në tranzicion përkatësisht kalimtare dhe sistem politik. Demokracia e saj është e paqëndrueshme, me rezultat prej 3,75 nga 7. Aktorët kryesorë politikë dhe qytetarët po luftojnë për të krijuar gjyqësor funksional, të luftojnë korrupsionin dhe për të liruar institucionet shtetërore nga ndikimi partiak. Vendi ka numër relativisht të vogël të organizatave të shoqërisë civile: gjithsej 10 171, me 1 645 të punësuar në marrëdhënie pune të rregullt në sektor. Për kontekst dhe krahasim, Finlanda ka regjistruar 130,000 organizata joqeveritare me një total prej 15 milion anëtarë, gjatë çka mesatarisht, çdo qytetar i takon tre organizatave. Sipas Salberg (Sahlberg), organizatat e shoqërisë civile finlandeze plotësojnë sistemin arsimor duke u ofruar studentëve mundësi për përmirësimin e aftësive të tyre sociale, mënyrat për zgjidhjen e problemeve dhe udhëheqjen, që e mësojnë.
Studentët e sotëm të universitetit, mijëvjeçarët dhe qytetarët e Gjeneratës Z, e shohin botën si fshat global ku kulturat e ndryshme duhet të gjejnë mënyra për të jetuar së bashku. Qendra për Ardhmërinë e Demokracisë (Center for the Future of Democracy) raporton që brezat e rinj ndjehen të frustruar me institucionet demokratike sepse nuk i kanë përmbushur ende premtimet e tyre për çështje të tilla si pabarazia dhe ndryshimet klimatike. Për të rinjtë, vetëdija dhe lidhja e duhur me botën e globalizuar sjellin gjithashtu me vete ekspozim të vazhdueshëm ndaj provave të pabarazisë dhe aksesit të pabarabartë në të mirat e zakonshme. Këto realitete mund të jenë jashtëzakonisht demotivuese, përkatësisht mund të jenë shkak i pasigurisë për të rinjtë në ndjekjen e ëndrrave të tyre. Një pjesë e zgjidhjes për të kapërcyer këto zhgënjime është krijimi i një sistemi universitar i cili jo vetëm përgatit studentët për tregun e punës, por gjithashtu ofron mundësi për të frymëzuar idetë qytetare të studentëve në lidhje me aftësinë e tyre për angazhim në komunitetet e tyre përmes bashkëpunimit, duke përdorur krijimtarinë dhe empatinë. Këto cilësi janë të domosdoshme që studentët të kuptojnë se si të jenë qytetarë që do të përmirësojnë shoqërinë dhe do ta bëjnë demokracinë realitet, në vend të qëllimit drejt të cilit synojmë.
Universitetet mund të marrin rolin e iniciatorit duke promovuar rezultatet qytetare
Si një vend që aspiron anëtarësimin në BE, Maqedonia e Veriut duhet të organizojë realizimin e programeve të saj të studimit për arsimin e lartë në mënyra që inkurajojnë përgjegjësinë sociale dhe angazhimin qytetar midis studentëve, për të siguruar harmonizim me vlerat qytetare evropiane. Për ta arritur këtë, universitetet do të duhet të zbatojnë në mënyrë të pavarur programe mësimore inovative për të motivuar të diplomuarit të angazhohen në shoqërinë civile: organizata arsimore, fetare, jofitimprurëse dhe jo-qeveritare. Programi mësimor do të duhet të pasqyrojë qëllime më të gjera, siç janë zhvillimi i qëndrueshëm dhe idealet e tjera të theksuara në magna hartën e shtetësisë globale të shekullit njëzet e një.
Për të ardhmen, programi mësimor universitar duhet të përqendrohet në qytetarinë aktive, në mënyrë që studentët të fitojnë ndjenjën e përkatësisë dhe përgjegjësisë ndaj komuniteteve lokale dhe globale. Kuptimi i tyre për komunitetin duhet të tejkalojë kategoritë etnike, duke theksuar pikat e lidhjes së përbashkët dhe pikat e përbashkëta në mesin e dallimeve personale dhe grupore në identitetin. Me fjalë të tjera, një program universitar me cilësi të lartë dhe gjithëpërfshirës është program që u ofron studentëve aftësinë të përfshijnë komunitete të shumta në mënyrë që të promovojnë paqen, të drejtat e njeriut, multikulturalizmin, diversitetin dhe përfshirjen. Vetë nocioni i komunitetit mbështetet në vazhdimësinë e afërsisë nga ajo lokale në atë kombëtare dhe deri në atë globale. Lëndët dhe leksionet duhet të ndihmojnë studentët e universitetit të mendojnë dhe planifikojnë të ardhme për përgjegjësi më shumë shtresore, ndërvarësinë dhe përgjegjësitë përkatëse të komuniteteve të shumta që përputhen dhe përbëjnë jetët e tyre personale dhe profesionale.
Që programi mësimor të përparohet, drejtuesit e universiteteve duhet të jenë të guximshëm dhe vizionarë. Ata duhet t’i shohin qëllimet e arsimit të lartë si të shumanshme, transformuese dhe gjithëpërfshirëse. Më konkretisht, përqafimi i vizionit qytetar të arsimit të lartë u kërkon universiteteve të shohin detyrën e tyre si përgatitje të mendjeve ë të jenë nxitës lokalë në përpjekjet kolektive, për çrrënjosjen e ngrohjes globale, varfërinë, dhunën kundër të shtypurve dhe ndalimin e rritjes së ekstremizmit dhe përjashtimit politik. Në ditët e sotme, të punosh globalisht nuk do të thotë domosdoshmërisht të largohesh nga qyteti ose vendi i banimit. Përkundrazi, krijimi i ndikimit global mund të nënkuptojë thjesht përmbushjen e detyrave tona qytetare në shtëpi, që të sigurojë angazhim lokal nëpër qytetet dhe vendet, në përputhje me qëllimet kolektive globale. Tani është koha të ndryshojmë mënyrën e funksionimit të universiteteve, me qëllim zhvillimin e kompetencave qytetare të studentëve, për të promovuar një të ardhme më të mirë për Maqedoninë e Veriut dhe të ndihmojmë në adresimin e sfidave tona shoqërore të qëndrueshme.
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.