Vetëm kontestime apo edhe nisma ligjore?

    PËLLUMB NAKO

    Disa deklarime publike të Kryeministrit ditët e fundit të japin idenë e qartë se një periudhë e vështirë po troket në dyert e qytetarëve modestë të vendit. Nga ana e saj opozita vazhdon të argumentojë dhe të denoncojë publikisht hapin e pritshëm të qeverisë për ngritjen e çmimit të energjisë. Por a mjafton i vetëm ky hap opozitar? Nga ana e saj, shoqëria civile qytetare dhe jo ajo e OJF-ve të sponsorizuara, zhvilloi manifestimin e saj të parë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve duke njoftuar ndërkohë edhe manifestimin e radhës. Opozita e përkrahu dhe i bëri thirrje militantëve të saj të marrin pjesë. Në këtë atmosferë emërohet edhe Drejtori i ri i Policisë së Shtetit. Opozita nuk e kontestoi këtë zëvendësim dhe as e paragjykoi.

    Në fakt, Drejtori i ri i Policisë së Shtetit është një figurë, e cila u përket individëve që ecin para me shpatullat e tyre, pa u mbështetur në koniunktura. Njohja e disa gjuhëve të huaja prej tij dëshmon për një profil të hapur për dijen dhe ndryshimin. Por ndërkohë dihet se detyra e tij është shumë e kushtëzuar nga legjislacioni në fuqi. Nga ana e saj, qeveria i ka të përcaktuara përparësitë e saj në raport me rendin dhe sigurinë publike duke specifikuar ndërtimet pa leje, kultivimin e kanabisit dhe pastrimin e parave.

    Po opozita? Në kushtet e rritjes së pritshme katastrofike të çmimeve, në kushtet e rritjes së manifestimeve publike të shoqërisë civile, në kushtet kur edhe në manifestimin e fundit, mediat thanë se pati të arrestuar, ka opozita ndonjë strategji parlamentare përveç asaj të denoncimeve me zë, me figurë, me prova, me fakte, me shifra?

    Detyra e opozitës nuk është vetëm denoncimi i bëmave qeveritare, as mobilizimi i militantëve nëpër protesta, për të cilat kurrë nuk kanë munguar t’i përgjigjen asaj në kohë me shi, në të ftohtë, natën, ditën, me sakrifica, duke u përballur me gazin lotues dhe shkopin e gomës. Detyra e opozitës nuk përfundon as me mbështetjen e qytetarëve të thjeshtë në manifestimet e tyre kontestuese siç ishte rasti i fundit.

    Duke qenë se qeverisja i ka paraqitur përparësitë e saj në fushën e sigurisë dhe të rendit publik dhe nuk e ka parë të arsyeshme të rregullojë kuadrin ligjor, i cili normon qartë marrëdhëniet e saj me tubimet publike kontestuese dhe të manifestuesve të popullit opozitar, i takon opozitës që brenda kornizave të parlamentarizmit të ndërmarrë nisma ligjore që korrektojnë apo të pasurojnë ato në fuqi. Asaj i duhet urgjentisht të ndërmarrë nisma ligjore për të mbrojtur popullin opozitar që në manifestimet e pritshme të jetë më i mbrojtur ligjërisht nga burgimet e palegjitimuara dhe fizikisht nga forca qorre e Policisë. Dhe popull opozitar nuk janë vetëm militantët e opozitës politike.

    Në qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj nr.24. datë 4.05.2021, rrëzoi nenin 262 të Kodit Penal që parashikonte se organizatorët e një tubimi duhet të njoftojnë paraprakisht Policinë para se të mblidhen. Gjykata vendosi që nuk do të ketë njoftim të tillë. Ndryshimi i këtij neni është fitore e madhe e lirisë. Ndër vite, ai ka futur në burg jo pak persona majtas dhe djathtas. Edhe në manifestimin e para disa ditëve u fol për persona të ndaluar dhe për të tjerë organizatorë në kërkim. Kush është më e interesuar dhe duhet ta marrë nismën për të bërë rregullimin e këtij neni në Kodin tonë Penal? Opozita. Qeveria mund të presë dhe ca kohë sa të mbushen 6 muaj. Ajo nuk e ka me nxitim dhe ndërkohë qelitë mbushen me popullin opozitar, të cilin opozita e inkurajon të dalë në manifestime dhe i kërkon ta mbështesë.

    Para disa ditëve, në disa nga komisionet e Kuvendit u diskutua për një projektligj i cili parashikon që në armatimin e Gardës së Republikës të bëjë pjesë dhe gazi nervo-paralizues. Ky i fundit është bërë objekt i sa e sa debateve publike dhe parlamentare me akuza se kush e hodhi i pari e kush më pas, kush e hodhi majtas e kush e hodhi djathtas, pa i shkuar asnjë ligjvënësi ndërmend që diçka e tillë duhet diskutuar në parlament duke u rregulluar me ligj nëse do të përdoret apo do të ndalohet. Nëse do të lejohet të përdoret, atëherë të përdoret duke hartuar një ligj transparent të debatuar nga mbarë shoqëria civile, ku të parashikohet lloji i gazit që do të përdoret, cila njësi policore do ta përdorë, situatat kur do të përdoret dhe mënyra sesi do të hidhet mbi manifestuesit. Gjithë kjo përgjegjësi të mos lihet në dorën e një rregulloreje policore që askush nuk e njeh.

    Kush mund të kërkojë më shumë hartimin e një ligji të tillë përveçse opozitës aktuale që u helmua me gaz këto vite të fundit?

    Në komisione parlamentare u diskutua për Garda e Republikës dhe askush nuk sheh paradoksin sharlatan ligjor. Garda kërkon ta ketë në paisjet e saj edhe gazin nervo-paralizues me ligj, kurse policia që e përdor masivisht,e hedh atë pa asnjë teklif dhe e ka të parashikuar vetëm në rregullore.

    Qeverisja ka dëshmuar se e ka më me dëshirë shtetin e fortë, edhe në kurriz të lirive themelore të individit, opozita duhet t’u dalë në mbrojtje jo vetëm duke denoncuar, por duke u krijuar kushtet e duhura ligjore manifestuesve të mos keqtrajtohen pikërisht për shkak të mungesës së një legjislacioni të qartë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Një lojë e rrezikshme me shanset dhe me zjarrin

    Lajmi i rradhës

    Dy mandate dhe emrat e komunizmit nuk u ndryshuan!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë