U bëmë për 1 lek

    LUTFI DERVISHI

    Lajmi se Bordi i Transpar encës ka ulur çmimin e litrit të naftës me 1 lek, ose 0.008 euro, kapi të papërgatitur ekspertët, analistët vendas dhe të huaj, shoqatat e biznesit dhe të turistëve dhe sigurisht edhe opozitën dhe popullin opozitar! Edhe vetë qeveria mbeti pa fjalë”.

    Shoqatat e Turizmit në Shqipëri njëzëri e përshëndetën vendimin e bordit për të ulur çmimin e naftës me 1 lek dhe e quajtën lajmin më të mirë të sezonit. Tanimë, edhe Jugu i vendit që ka paSur një sezon të vështirë, do të rigjallërohet. Me 1 lek më shumë në xhepat e tyre turistët vendas do të shpenzojnë më shumë.

    Më herët, Banka e Shqipërisë, ndërsa përshëndeti vendimin e Bordit si një vendim historik me implikime pozitive në spiralin e pritshëm të rritjes ekonomike, bërë një sqarim të detajuar në një përpjekje për të mos mbiçmuar lekun dhe për të mos e dëmtuar më tej euron dhe dollarin.

    Deri dje, kur flisnim për 1 lek, sqaroi një zyrtar i Bankës, kishim ne mendje monedhën me peshë 3.00 gr, me diametër 18 mm, me formë të sheshtë që është prej materiali përzierje bakër-zink (çelik i veshur me bakër) dhe që është në qarkullim në Shqipëri prej vitit 1997. Por sot me vendimin e Bordit të Transparencës, flasim për një monedhë që merr vlerën e arit të zi. Sot, motorët e ekonomisë shqiptare janë vënë në lëvizje dhe janë gati për një hop cilësor”.

    “Kjo është shenja më e sigurt se ne tani po dalim nga kriza që ka kapur gjithë botën. Për këtë arsye qeveria tërhiqet nga paketa e dytë mbështetëse që kishte planifikuar për pensionistët dhe bizneset, sepse thjesht tani nuk është më nevoja. Ky lajm i bordit, – tha një zëdhënës i qeverisë,- është edhe një shuplakë për opozitën që na është qepur me gurë në trastë dhe na ka bërë për një lek në sytë e shqiptarëve”.

    Agjencitë turistike raportuan për një lum kërkesash për të ardhur në Shqipëri! “Nuk ka më dhoma të lira deri në fund të shtatorit”, tha kryetari i shoqatës së agjencive turistike.

    Konfindustria e cilësoi lajmin si ogur të mbarë për ekonominë e vendit dhe një garanci më shumë për investitorët e huaj që pritet të vërshojnë në Shqipëri.

    “Klima e biznesit e rënduar nga konflikti i tejzgjatur politik, dhe akuzat krejt të pabaza për korrupsion në çështjen e inceneratorëve, është përmirësuar në nivelin e vendeve nordike”.

    Turistët e ndodhur në Shqipëri, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me të mësuar lajmin se nafta është ulur me 1 lek, u dyndën në 1370 pikat e karburantit në gjithë vendin, duke bllokuar qarkullimin për disa orë. Bllokim të përkohshëm pati edhe në pikat e kalimit kufitar, pasi shtetas të vendeve fqinjë nxituan të furnizoheshin me naftë në Shqipëri!

    Tronditja që kaploi Shqipërinë u pasua menjëherë nga një tërmet i fortë në tregjet financiare dhe në vetë bursën e naftës. Euro dhe dollari pësuan rënien më të madhe karshi lekut që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Për shkak të mbylljes së bursave aziatike, jeni japonez doli më pak i dërrmuar pas këtij vendimi befasues të Bordit të Transparencës.

    Çmimi i naftës në bursë ra 8.7 USD për fuçi.

    Komisioni Europian, G-7 dhe G-20 me një deklaratë të përbashkët, përshëndetën vendimin e Bordit dhe vlerësuan kontributin e ekonomisë shqiptare “në këtë kohë kur nga fronti i ekonomisë në përgjithësi dhe energjisë në veçanti marrim vetëm lajme shqetësuese”.

    Një burim i komisionit të BE-së, në kushtet e anonimatit, pranoi se me këtë lëvizje Shqipëria “ka bërë aq sa për të hapur dhe mbyllur 15 kapituj menjëherë”.

    Vëzhguesit e jetës politike shqiptare nga Brukseli thanë se “1-lekëshi” pritet që të ulë temperaturat e larta politike në vend.

    “Protestat që po planifikonte, shoqëria civile dhe partitë e opozitës tashmë mund të quhen të asgjësuara, dhe në anën tjetër, temë debati në ditët e nxehta të gushtit, pas vendimit historik të Bordit, nuk pritet të jenë më as zjarret, as skandalet e supozuara, as akuzat për korrupsion. Të gjithë tani do të flasin për 1-lekëshin. Të jemi të sinqertë deri në fund, Shqipëria me këtë vendim na ka bërë për 1 lek!”.

    P.S. Me rastin e vendimit historik të Bordit të Transparencës, qeveria do të organizojë më 13 gusht një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Raporti i DASh | Jaço: Shqipëria, e vështirë për investitorët e huaj

    Lajmi i rradhës

    Rrethi vicioz i fajit nga Gërdeci në Himarë

    Lajme tjera

    Një mot tjetër

    LEONARD DEMI Pushtimi gjakderdhës e barbar rus i Ukrainës është një shkelje e egër e ligjit ndërkombëtar dhe…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë