Vetmia, qeveritë dhe pleqëria…

    KRISTO MËRTIRI 

    Nëpër mediat e mestetorit u publikua një lajm jo pak trishtues: Mbi 30 mijë gra e burra të moshuar jetojnë të vetmuar në qytete e fshatra. Pritëm ndonjë reagim serioz nga institucionet shtetërore e private, nga OJF-të a OJQ-të lumë, nga intelektualë me grada e pa grada shkencore, që janë kurdoherë gati të ligjërojnë nëpër ekrane deri edhe për qentë e macet. Por, nuk pipëtiu asgjë përballë kësaj drame sociale që pikon dhimbje e mjerim.

    E ritheksojmë: mbi 30 mijë të vetmuar! Por, ka pasur edhe një shifër tjetër drithëruese tre vjet më parë. Informacionin alarm e dha Njësia e Kombeve të Bashkuara(ILO): 91 mijë qytetarë të moshës mbi 65 vjeç kishin nevojë për përkujdesje sociale afatgjatë. Ku është fshehur vallë dinjiteti i pleqërimit? Vetëm te heshtja e rëndë e flokëbardhëve, që punuan e sakrifikuan një jetë të tërë në shërbim të atdheut, familjes e shoqërisë? Apo te hapat e tyre pa zhurmë përballë kafeneve, duke numëruar qindarkat e rralluara në xhep?! Kam parë heronjtë e vërtetë të hidrocentraleve e minierave, të bujqësisë e blegtorisë etj.(personazhet e dikurshme të shkrimeve të mija) dhe më ka pushtuar një trishtim jo i zakontë. Sikur i mbulon një mjegullnajë kur lexojnë çmimet e kripura nëpër dyqanet ushqimore e supermarkete; te perimet e frutat e stinës që shpesh ua bëjnë me sy.

    Dikush merr ca kokrra. Të tjerë largohen e mërmërinë me veten, duke u ndalur si të pagojë te sportelet e bukës. Nuk mungojnë edhe listat në fletoret e shitësve. “Borxhe” që duhen shlyer në fund të muajit. Kur të marrin pensionin “sa një kokërr hudhër” në qesen e fukarallëkut. Në ato përçapje tronditëse përmes bollëkut në tezga, në ato “lista urie” ulëritëse nuk gjen asnjë emër politikani, deputeti, zyrtari të lartë e të mesëm, biznesmeni a drejtues të OJF-ve e OJQ-ve. Nuk po flasim hiç për dyqanet luksoze ku nuk kanë hyrë asnjëherë pensionistë të tillë, që mund të kullosin vetëm vështrimin nga vitrinat verbuese. Një lloj largimi i frikshëm e pikëllues.

    Pa llogaritur këtu qiratë a kreditë e shtëpive, ujin, energjinë elektrike dhe ilaçet e mafies farmaceutike që rrjepin të gjallë e të vdekur; laboratorët e analizave të ndryshme mjekësore, klinikat dentare të pamëshirshme përballë gojëve masive mazgallë pa dhëmbë e dhëmballë etj..

    Po ata qindra të vetmuar (çift ose jo) që nuk kanë asnjë burim ndihme nga fëmijët këtu dhe në emigracion? Po për ata që jeta dhe fati i ka lënë pa pasardhës?! Cila Bashki dhe Njësi Administrative në qytete e në fshatra i ka evidentuar me emra e mbiemra dhe sa përkujdesen praktikisht me ndihma financiare e materiale? Pasqyra të tilla emergjence, mendoj se duhet t’i ketë mbi tavolinat e punës çdo zyrtar i pushtetit lokal e qendror. Sepse nuk është vetëm faji i uljes së lindjeve, i jetëgjatësisë apo i plagës së pambyllur të emigracionit.

    Qeveritë vijnë e shkojnë, por politikat e tyre sociale, në fund të fundit nuk peshohen e as maten me lartësitë e kullave dhe me milionat e objekteve qiellgërvishëse. Përballë kësaj shtrese që ka dhënë shumë mund e djersë për Shqipërinë tonë, duhet të ulin kokën pasanikët me pushtet e pa pushtet, çdo zengjin i pacipë që shet leksione me okë për demokracinë e kapitalizmin. Ka një tabor jo të vogël me nëpunës, specialistë, me sociologë e psikologë që i bëjnë hyzmet borderosë personale duke gatuar raporte, fjalime, evidenca memece dhe teorizime pa brumë.

    Së pari, shifrat e INSTAT-it (pa vlerësuar e verifikuar vërtetësinë e thatë të tyre) duhet të ngrenë në këmbë Administratën Shtetërore. Administratë që qeveria “Rama” po ia plotëson me të drejtë mjaft kërkesa e ankesa, duke filluar me rrogat; banesat me zero përqindje kredie etj.. Por, hendeku i madh në raport me mbi 30 mijë të moshuar e të vetmuar nëpër Shqipërinë tonë hallemadhe, vetëm barkplotëve e zemërgurëve nuk ua bën dot qejfin qeder…

    Asnjë konferencë shtypi nuk jepet për publikun. As formalisht. I ka gllabëruar Polit(h)ika, interesat private. Bashkë me shumicën e ekraneve në metropol që bombardojnë pa pushim me të njëjtat lajme për liderët e vjetër e të rinj. Me orë të tëra torturohen kameramanët e gazetarët, duke u ngujuar në dyer partish e gjykatash. Sikur presin xhevahire a hatara nga qielli e toka! Pra si gjithnjë, brenda Unazës kryeqytetase. Se ç’bëhet nëpër rrethina nga Veriu në Jug apo si e shtyjnë ditën, javën e muajin “shtresat në nevojë”, kujtohen rrallë e për mall. Ndizen e fiken shpejt përmes mjegullnajës politike. Asnjë seancë parlamentare e posaçme për fakirfukarenjtë dhe sidomos për mijëra pleqtë e vetmuar.

    Nuk thoshte kot G. Markes: “Nuk kam frikë nga vdekja, por nga pleqëria…”. Por pushtetarë, opozitarë e të kamur harrojnë të nderojnë pleqërinë. Na duken si “pa shpirt njeriu”. Harrojnë se ajo moshë është e ardhmja e secilit me kolltuk e pa kolltuk. Mijëra të thinjur e të heshtur në vetminë vrastare, “janë në mjerim të plotë pasi pensioni mesatar në vend është më i ulët se kufiri i rrezikut për të qenë i varfër”. Dhe shifrat tronditëse nuk po i lëvizin hiç politikëbërësit socialë në mazhorancë e në opozitë. Ndonjë protestë spontane si ajo për statusin e minatorit, i ngjan flakës së kashtës.

    Shumë pyesin: Ç’u bënë drejtuesit “rebelë” të sindikatave të djeshme, pse kanë humbur si kripa në ujë? Disa prej tyre paskan rrëmbyer djersën e punëtorisë, shtëpitë e pushimit në mal e në det, fabrika, mensa, zyra, galeri, hotele etj.. Kur të merret seriozisht shteti i së drejtës me këta kusarë, mjaft të moshuar do kenë ikur nga kjo botë e trazuar. Do të kenë ikur me ëndrra dëshpëruese e zhgënjyese tepër të hidhura. Tani po i mbajnë sytë, veshët dhe mendjen te SPAK-u, që më në fund guxoi të prekë të paprekshmit, bejlerët dhe agallarët e tranzicionit “demokratik”.

    Pastë udhën e mbarë! Sepse e vërteta mund të zhytet, por nuk mbytet… Pleqëria vjen me kusure! E tha bukur poeti e këngëtari popullor nga nahija ime. Pleqërimi me dinjitet, të mos mbetet si një parullë joshëse e kapitalizmit shqiptar të egër. Por edhe fondet jo të pakta nga europerëndimorët për OJF-të e OJQ-të, të mos majmin drejtuesit e tyre pehlivanë, siç ka ndodhur shpesh në praktikë. Ose sekuestrimet me miliona e miliarda para të pista, a do u shërbejnë shtresave në nevojë? Kjo pyetje po qarkullon tani vonë te këta njerëz e veçanërisht te mijëra të vetmuar.

    Përgjigjet institucionale nuk duhet të mungojnë. Pa pritur daullet e vjetra e të reja elektorale. Dritëroi ynë i madh, te kapitulli “Vjersha të hidhura”, na ka lënë mjaft vargje gjithnjë aktuale, drithëruese e emocionuese për moshën e tretë.

    “E di se pleqtë e shkretë aspak s’i doni,/ Megjithatë ruajini kockat e tyre të forta;/ Një ditë mbase do t’i kërkoni/ T’i bëni lugë apo lloze për porta”… Po për vetminë e nëmur të mbi 30 mijë flokëbardhëve që nuk kanë njeri as “t’u shtrydhë në buzët limonë”, a do të lëvizin shpejt strukturat shtetërore? Shumica e tyre janë nga ai brez i artë që bëri e mbajti Shqipërinë në këmbë. Me djersë e ndershmëri, me dinjitet e atdhetari të pashoqe! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Bosnjë-Hercegovina dhe konflikti në Lindjen e Mesme

    Lajmi i rradhës

    Edhe lumenjtë na i pastron Zvicra! Në Jegunovc nisi pastrimi i shtratit të Vardarit

    Lajme tjera

    Pacientja serbe

    MIMOZA DAJÇI Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikanë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë