Viagra për PUSHTetarë?

    EDMOND TUPJA

    Dihet që, deri më sot, nuk ekziston ndonjë ilaç për të shëruar dikë të prekur nga sëmundja e Alzaimerit, por, siç më mësoi para rreth një jave zoti Internet përmes një shkrimi të zonjës Johanna Anselem, këto kohët e fundit shumë studime kanë konfirmuar se na qenka e mundur ta vonosh shfaqjen e kësaj sëmundjeje duke ndikuar tek një sërë faktorësh si rreziqet kardiovaskulare, të ndenjurit gjatë pa lëvizur në zyrë, në shtëpi apo në të tjera mjedise të mbyllura, mungesa e gjumit, stimulimet intelektuale, lidhjet sociale etj., etj.

    Duke lexuar radhët e mësipërme, më shkoi në çast mendja te PUSHTetarët tanë të të gjitha ngjyrave, të cilët lodhen, stërmundohen, drobiten e rraskapiten ditë e natë për fatet e atdheut tonë të dashur kapitalist dhe për të mirën e pakufishme të popullit tonë, i cili i adhuron ata verbërisht e pa kushte aq sa është gati të japë jetën që ata të mbretërojnë e të jetojnë sa malet (me “m”, aspak me “h” kjo fjalë!).  Më shkoi mendja pikërisht tek zotërinjtë e sapopërmendur sepse ata rrinë tërë kohën e kohës të kyçur në zyrat e tyre duke projektuar të ardhmen tonë sa vjen e më të ndritur, çka shton për ata rreziqet kardiovaskulare; rrinë mbyllur dhe gati pa gjumë se mendjen e kanë vetëm te populli ynë, truri i tyre përballon lloj-lloj stimulimesh intelektuale (pa “h” kjo fjalë midis shkronjave “u” dhe “a”!); rrinë gjerë e gjatë dhe lart e poshtë në lidhje të pandërprerë me të gjitha shtresat sociale (pa “h” edhe kjo fjalë midis shkronjave “i” dhe “a”!), sidomos me të varfrit, të sëmurët, invalidët, handikapatët etj., etj. për t’ua përmirësuar kushtet e jetesës.

    Mirëpo, pa mend më la vazhdimi i shkrimit në fjalë, sipas të cilit disa shkencëtarëve amerikanë kanë arritur në përfundimin se Viagra, ky produkt afrodiziak fort i suksesshëm, mund të përdoret edhe për të kuruar sëmundjen e Alzaimerit. Në fakt, studiuesit e “Cleveland Clinic”-ës kanë konstatuar se, çuditërisht, përdoruesit e Viagrës rrezikojnë 69 % më pak t’i kapë sëmundja në fjalë në krahasim me ata që nuk marrin Viagra. Oh, ç’mrekulli! Oh, numri 69, numri më erotik që ekziston deri më sot! Oh, Viagra, e konceptuar dhe e realizuar falë përpjekjeve të një shqiptari nga një Maqedonia! Ja, pra, ilaçi çudibërës që do t’i shpëtojë PUSHTetarët tanë nga sëmundja e Alzaimerit! Oh, ç’pret Komiteti i Çmimit Nobel, pse nuk ia ka dhënë këtë çmim bashkëkombësit tonë nga Maqedonia? Oh, ç’pret Papa, përse nuk e ka shenjtëruar atë?  Oh, ç’pret Presidenti i Republikës Masturbuese të Shqipërisë, përse nuk i ka dhënë atij titullin e lartë “Nderi i Kombit”? Oh, ç’pret Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, përse nuk e ka ftuar  atë në Pallatin e Qelqtë për t’i shprehur mirënjohjen e mbarë planetit Tokë, si edhe të planeteve të tjera të sistemit tonë diellor? Oh, ç’pret Kryeministri ynë i përjetshëm, përse nuk jep urdhër që të gjitha ministreshat e të gjithë ministrushët e tij të përdorin Viagra duke filluar kështu më shpëtimtaren e kurave (pa “v” kjo fjalë midis shkronjave “r” dhe “a”!) aq të domosdoshme për të qëndruar sa më gjatë përkrah tij?

    Nga ana tjetër, në mënyrë që PUSHTetarët tanë – që jetojnë me qira dhe të mbytur në borxhe – ta përfitojnë falas këtë ilaç fantastik, përdorimi i rregullt i të cilit do t’ua rrisë atyre imunitetin dhe qëndresën ndaj sëmundjeve kardiovaskulare, ndaj mungesës së gjumit, ndaj trysnisë së stimulimeve intelektuale, ndaj dendurisë së lidhjeve sociale etj., etj., duhet patjetër që, në kuadrin e reformës në drejtësi, Kushtetuta e Republikës Eksituese të Shqipërisë të amendohet urgjentisht me synimin që ligji t’u garantojë përjetësisht atyre, pra PUSHTetarëve tanë, qofshin socialistë apo demokratë, të drejtën e pamohueshme për t’u viagrazuar në dobi (pa “ç” në fund kjo fjalë!) të atdheut tonë të adhurueshëm dhe për të mirën (me “m”, aspak me “q” kjo fjalë!) e popullit tonë aq të lumtur midis poleve (me “p”, aspak me “b” kjo fjalë!) të PUSHTetarëve të tij të përjetshëm! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Gatimet më të kërkuara në Google për vitin 2021

    Lajmi i rradhës

    Ish-ambasadori Halili: Gjuha bullgare është më e ngjashme me rusishten sesa me maqedonishten

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë