Viti i ngecjes së njerëzve të fortë

    Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
    Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

    Vitin e kaluar në këtë kohë, po ia jepja dorën e fundit një libri. Në përpjekjen për ta përfunduar “Epokën e njeriut të fortë”, me një dozë të optimizmi të duhur, shkrova: “Sundimi i njeriut të fortë, në thelb është formë e qeverisjes së paqëndrueshme dhe me të meta. Në fund të fundit, do të shembet … Por, mund të ketë shumë trazira dhe vuajtje, përpara se t’i dorëzohet përfundimisht historisë”.

    Dy muaj më vonë, Vladimir Putini pushtoi Ukrainën. Vendimi i tij ishte demonstrim i të metave të sundimit të njeriut të fortë. Pas dekadave në pushtet, udhëheqësit shpeshherë priren ndaj megalomanisë ose paranojës dhe janë të preokupuar me vendin e tyre në histori. Ata zakonisht i kanë eliminuar të gjitha burimet e kundërshtimit efektiv. Nëse përcaktohen për një rrugë të veprimit katastrofik, askush dhe asgjë nuk i ndalon.

    Putini erdhi në pushtet në natën e Vitit të Ri 1999 dhe krijoi shpejt stilin e ri të udhëheqjes së njeriut të fortë të shekullit XXI – duke pozuar për fotografët me gjoksin e tij të zhveshur. Prapa pozave maço, kishte dhunë të vërtetë. Kundërshtarët vendas u burgosën, u detyruan në largohen ose u vranë. Fushatat brutale ushtarake u zhvilluan në Çeçeni dhe në Siri. Udhëheqësi rus u pozicionua gjithashtu si udhëheqësi i një reagimi global kundër liberalizmit perëndimor, duke i thënë Financial Times-it, më 2019: “Ideja liberale është e vjetruar”.

    Udhëheqësit tjerë të fortë u spikatën përmes admirimit. Klubi i tifozëve të liderit rus përfshinte Xi Jinpingun nga Kina, Rodrigo Duterten nga Filipinet, Mohammed bin Salmanin nga Arabia Saudite, Viktor Orbánin e Hungarisë dhe Donald Trumpin. Ish-presidenti amerikan madje i përshkroi kërcënimet e Putinit ndaj Ukrainës si një akt gjenial – vetëm disa ditë para se Rusia të niste pushtimin.

    Por, ky kult i Putinit nuk do ta mbijetojë debaklin brutal në Ukrainë. Stili i lidershipit të njeriut të fortë gjithashtu mund të humbasë një pjesë të joshjes globale.

    Regjimet autoritare që mbështesin Putinin e kanë pasur gjithashtu një vit të keq. Teokracia iraniane, e cila i erdhi në ndihmë Rusisë përmes dronëve ushtarakë, po përballet me protestat më rezistente popullore – që nga revolucioni iranian i vitit 1979. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, është 83 vjeç dhe i sëmurë. Vdekja e tij do të shtojë rrezikun për regjimin. Sistemet jodemokratike gjithmonë luftojnë me tranzicionet politike.

    Në Kinë, Xi ka armatosur goxha shumë rrugën e tij për një mandat të tretë në pushtet dhe po gërmon për të sunduar përjetësisht. Por, centralizimi i tij i pushtetit ka çuar në një përkeqësim të ndjeshëm të qeverisjes kineze. Xi ka gabuar në politikën e jashtme dhe ekonomike – dhe politikat e tij të paqëndrueshme për zero-Kovid provokuan protestat e papara. Problemet me të cilat përballet Kina janë ashiqare të dukshme në një sistem politik në të cilin pushteti dhe autoriteti janë përqendruar në një lider të vetëm, pothuajse perandorak – gjykimi i të cilit nuk mund të sfidohet në mënyrë të sigurt.

    Trump, një autoritar i pavetëdijshëm, së fundmi lavdëroi Xinë për qeverisjen e Kinës me “grusht të hekurt”. Por, vetë flluska e Trumpit duket se po shfryhet me shpejtësi, pas performancës çuditërisht të dobët të partisë republikane në zgjedhjet afatmesme. Rënia e tij tregon një dallim thelbësor midis politikave të njerëzve të fortë në demokraci dhe në sistemet autoritare. Në vendet ku institucionet demokratike mbeten të fuqishme, është e mundur që një njeri i fortë të bie nga kutia e votimit.

    Kjo u demonstrua në Brazil, këtë vit, ku Jair Bolsonaro – ndonjëherë i përshkruar si “Trumpi i tropikëve” – humbi shansin e vet për rizgjedhje. Duterte, njeriu i fortë filipinas, u detyrua gjithashtu të jepte dorëheqjen këtë vit – megjithëse vajza e tij tani është nënkryetare e Ferdinand Marcos Jr-it. Në Britani, Boris Johnsoni i cili u etiketua si “Trumpi britanik” nga ish-presidenti amerikan, u detyrua gjithashtu të largohet nga zyra. Kryeministri i ri, Rishi Sunak, mbështetet shumë më pak se Johnsoni te karizma personale dhe te retorika populiste.

    Por, udhëheqësit e fortë mund t’i rifitojnë gjithashtu zgjedhjet. Në Hungari, Orbáni, i cili mbetet hero për ekstremin e djathtë të ShBA-së, fitoi shumë lehtë në rizgjedhje. Në Izrael, Benjamin Netanyahu është gati të kthehet si kryeministër, duke udhëhequr koalicionin më të djathtë në historinë izraelite – duke përfshirë këtu një ministër të sigurisë kombëtare, Itamar Ben-Gvir, me një histori simpatie për terrorizmin e ekstremit të djathtë.

    Në Arabinë Saudite, Princi Mohammed ka rifituar besimin dhe autoritetin, së bashku me rritjen e çmimit të naftës. Në Indi, Narendra Modi ka qenë në gjendje të lë mënjanë kritikat për faktet për të mbi liritë civile dhe ai vazhdon të dominojë politikisht. Në Meksikë, presidenti populist Andrés Manuel López Obrador, i njohur si Amlo, po shkon përpara me ndryshimet që do të gërryejnë monitorimin e pavarur të zgjedhjeve.

    Makinacionet e Amlos tregojnë se edhe vendet me zgjedhje të lira nuk janë të sigurta prej instinkteve antidemokratike të një sundimtari të fortë. Veprimi i rëndomtë është sulmi ndaj institucioneve të pavarura – dhe përfundimisht individëve – që kërcënojnë pushtetin e tyre. Në Turqi, kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, i cili vitin e ardhshëm pritej të kandidonte për Presidencë kundër Recep Tayyip Erdoğanit, sapo është dënuar me më shumë se dy vjet burg, me akuzën për fyerje të zyrtarëve publikë.

    Në mënyra të ndryshme, Erdogani, Putini dhe Xi tregojnë se teksa sundimtarët e fortë shpeshherë bëjnë gabime të tmerrshme, ata mund të jenë ende tmerrësisht të vështirë për t’u larguar.

    Por, edhe në Turqi, sundimi i njerëzve të fortë është në rënie – ashtu siç është në Rusi dhe ndoshta në Kinë. Ka mundësi që ky stil malinj i politikës të ketë arritur kulmin. Këtu ka shpresë. 

    Lajmi Paraprak

    Messi dhe C. Ronaldo – Të vetmet qëndrime të tyre janë ato që ua jep FIFA të gatshme dhe reklamat mbi fanellat e tyre

    Lajmi i rradhës

    A ka mjaftueshëm buxhet Komuna e Tetovës?

    Lajme tjera

    E MIRA S’KA FUND

    ANDRRAT PËR KOSOVËN QË I TRAJTON TË GJITHË BARABARTË. Relacioni jem me Kosovën është goxha kompleks. Herë e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë