Vrasje, kanun dhe kulturë mafioze

    PELLUMB NAKO

    Ndodh shpesh që në raporte të ndryshme të organeve të ligjit në disa vende perëndimore ku ka një numër shqiptarësh aktivë në kriminalitet, të krijohet një lloj lidhje ndërmjet krimit aktual shqiptar dhe traditave kanunore të vendit tonë. Kjo lloj lidhje cilësohet më pas, me lehtësinë më të madhe, si mafia shqiptare. I përdorur shpesh mediatikisht dhe politikisht, termi duket se ka zënë një vend jo pak të rëndësishëm në opinion. Ndërkohë në vendin tonë nuk është askush që këto dy aspekte t’i shohë dhe t’i analizojë nëse nuk ekzistojnë të lidhur me njëri tjetrën apo jo. Dhe për më tepër cilësimi mafie shqiptare nuk pranohet gjerësisht. Kjo e fundit përdoret rëndom si akuzë me natyrë politike në debate të kësaj kategorie Në fakt, nëse do të shihej me vëmendje ngjarja e rëndë e kohëve të fundit, ku në qytetin e Shëngjinit u vra një biznesmen pas një atentati në lokalin që ai kishte në pronësi, profili i tij me lidhje të shumëfishta tregojnë për një botë ku sundon paligjshmëria edhe si formë kriminale, edhe si formë kanunore, pra me mungesa të referencave ndaj autoriteteve ligjore të vendit.

    Nga ato që shkruhen në media, i ndjeri nuk duket se ishte një individ me karakteristika të një kategorie individësh, por pjesë një shtrese sociale, për fat të keq të krijuar tashmë në Shqipëri. Bëhet fjalë për një shtresë që sa vjen e ngurtësohet dhe që fuqizohet gjithmonë e më shumë ekonomikisht dhe që është krijuar në kohë si rezultat i shtetit të dobët, i mungesës së tij të herëpashershme si dhe fenomeneve të tjera negative, sidomos të drejtësisë. Në tërësi shtrati ku ka lindur kjo shtresë karakterizohet nga dy drejtime themelore, nga njëra anë janë krijuar kushte për rritje kriminaliteti dhe mungesë ndëshkueshmërie dhe nga ana tjetër konstatohet rritje e pushtetit kanunor apo informal në qeverisjen e konflikteve dhe sidomos të atyre të vogla.

    Kjo shtresë sociale dominohet e gjitha nga individë me të kaluar kriminale ( të dënuar ose jo), të transformuar në sipërmarrës ekonomikë private, ( pra biznesmen), politikisht aktivë dhe me lidhje politike të niveleve drejtuese, si edhe me ndikim të dukshëm në zonën ku jetojnë e ushtrojnë aktivitetin ekonomik. Të gjitha këto tipare i bëjnë të lakmueshëm nga një krah i politikës që i ka me vete, dhe të frikshëm nga krahu tjetër i politikës që nuk gëzon përkrahjen e tyre. Dhe për aq kohë sa mbarë klasa politike do të mbështetet në këtë shtresë, krimet në fushatat zgjedhore nuk do të pushojnë, përfshi edhe vrasjet, edhe blerjet e votave.

    Përse kjo shtresë ka kaq ndikim të madh në një zonë të caktuar të vendit ? Forca ndikuese e një individi mbi të tjerët zakonisht lidhet ose me pushtetin që ka ky i fundit dhe natyrshëm njerëzit i frikësohen forcës së pushtetit të tij, ose është një personalitet i shquar publik human të cilit njerëzit i binden vullnetarisht dhe pranojnë ndikimin e tij pasi janë të ndërgjegjshëm që i shërben të mirës së tyre. Viktima e atentatit në Shëngjin sigurisht nuk ishte përfaqësues i përmasave të një intelektuali human. Atëherë nga rrjedh autoriteti i tij, ndikimi që ushtron ai te njerëzit dhe sidomos në një moment fushate elektorale? Sigurisht te frika. Edhe autoriteti zyrtar ngjall frikë, edhe frika ndaj tij krijon bindje. Vendi ynë e jeton përditë këtë fakt. Por personazhi për të cilin po flasim nuk ka asnjë post zyrtar. Ai nuk ka asnjë funksion publik. Një gjë e tillë e bën autoritetin e tij në zonë të jetë paralel me autoritetin e shtetit. Në këto kushte nuk jemi përball një mafie sigurisht, por e sigurt është që jemi në kushtet e një kulture mafioze. Dhe një gjë e tillë nuk është pak. Në rast se i ndjeri në Shëngjin kishte kaq ndikim sa të kushtëzonte fitoren e një krahu politik, pushteti vendor do të kishte në themel të tij ekzaktësisht kulturën mafioze.

    Djemtë e të ndjerit, kohë më parë kishin rrahur paq me shkop bejsbolli djalin e dikujt tjetër. Babai i viktimës i çon fjalë për ta zgjidhur çështjen ndërmjet tyre sipas kanunit. Përgjigja ishte tipike e dikujt, i cili e di që ia kanë frikën. Gjithmonë sipas medies, dëshmia e të atit të viktimës tregon se në rastin e viktimizimit të të birit, atij nuk i shkoi ndërmend fare ankimimi në rrugë ligjore te autoritet e shtetit. Jemi përsëri përball mungesës së besimit ndaj institucioneve ligjore. Dhe në mungesë të tyre, në këtë rast konkret, zgjidhjen e jep kanuni duke i dërguar fjalë prindit të autorit, megjithëse fëmijët ishin bërë për spital.

    Një akt tjetër i viktimës së Shëngjinit ishte edhe ndërmjetësimi i kryer prej tij me qëllim qetësimin dhe shuarjen e sherrit ndërmjet dy grupimeve në konflikt, në zonën ku ai ka autoritet. Sigurisht proçesi u krye sipas kanunit në kishë dhe as që bëhet fjalë për të ndjekur rrugën ligjore. Një akt i tillë, përveç frikës, ngjall dhe admirim te vegjëlia. Një përzierje e tillë ndërmjet frikës dhe admirimit e forcon pushtetin e individit. Por në rastin tonë jemi jashtë kornizave ligjore. Në kushtet e një shoqërie si ajo shqiptare me profil social e cila autoritetin e njeh te dikush që përdor forcën apo që ka bindjen se do të përdorë forcën dhe jo tek dikush autoriteti i të cilit buron nga ligji, figura të tilla kthehen në të gjithëpushtetshme. Dhe ky profil social sigurisht krijohet në kushtet edhe të mungesës së shtetit, edhe të drejtësisë, edhe te mungesa e besimit ndaj tyre. Këto mangësi forcojnë kanunin, pushtetin kriminal dhe automatikisht autoritetin e shtresës për të cilën po flasim. Kjo bën që pushteti zyrtar të konkurrohet nga kanuni dhe autoriteti informal. Këto dy të fundit, në mjaft zona të vendit kanë filluar të bashkohen.

    A ISHTE VRASJA E TIJ KANUNORE, MAFIOZE APO EDHE POLITIKE?

    Sigurisht përgjigjen për këtë e japin dhe do ta japin organet e drejtësisë. Nuk është habi të mos zbulohet kurrë dhe kjo jo vetëm për neglizhencë apo mungesë vullneti nga organet ligjzbatuese. Komentet mediatike flasin për vrasës profesionist. Pistat e hetimit flasin për hakmarrje. Gjithçka është e mundur. Edhe vrasjet me natyrë mafioze kanë disa specifika të tyre. Koha për të vrarë viktimën zakonisht zgjidhet e tillë që ajo të flasë për një motiv që duket dhe jo për motivin e vërtetë. Përzgjedhje e tillë bëhet kur viktima është kundërshtar dhe me emër në publik. I tillë ishte rasti kur në vitet ‘80 “Cosa Nostra” vrau një të ri komunist si kundërshtar të saj, por vendin dhe kohën e përzgjodhi të tillë që të jepte përshtypjen se ishte një terrorist i majtë.

    Në thelb, në rastin fatkeq të viktimës ndodhemi përball një gërshetimi të rrethanave të një individi me aktivitete të shumta me themel paligjshmërinë dhe që ushtronte autoritetin e tij në një mjedis social të qeverisur më shumë nga kanuni sesa institucionet ligjore si dhe me lidhje politike të lëvizshme. Pra kemi ekzaktësisht një prodhim social të përfituar nga mungesa e shtetit dhe që politika e kërkonte për ta ndihmuar në ndërtimin e shtetit.

    Thjesht paradoks i dhimbshëm. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Urani mbetet tabu | Pse ka grindje në BE për uranin rus

    Lajmi i rradhës

    Francezët me zjarr, shqiptarët me fishekzjarr

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë