Zjarret, emergjencat dhe Kosova

    PËLLUMB NAKO

    Historia e zjarreve në kohë të nxehta sigurisht mbetet diçka që përsëritet vit pas viti në vendin tonë, megjithëse askush nuk është në gjendje të bëjë një bilanc të përgjithshëm. Edhe vetë Kryeministri hera-herës njofton publikun e gjerë se gjëra të tilla po ndodhin edhe në shumë vende të tjera të mbarë rruzullit, duke na e ilustruar njoftimin e tij me foto të një cilësie vërtet për t’u pasur zili me domethënien e saj bindëse si një dëshmitar i thirrur nga shefi i qeverisë për t’u bërë bisht përgjegjësive.

    Megjithatë, pavarësisht se çfarë ndodh në botë, të paktën këtë vit, në vendin tonë, piromanëve partizanë të kullotave u janë shtuar edhe piromanët e kanabisit. I pranishëm sa gjatë e gjerë në burim të shumë pasojave të rënda sociale, në mjaft aspekte të jetës sonë, sidomos në procesin e zgjedhjeve, më se natyrshëm kanabisi nuk kishte arsye të mos bëhej edhe shkak i disa zjarreve ku janë përfshirë madje zona të mbrojtura. Raste këto si në malësinë ndërmjet Beratit dhe Skraparit ku zjarret vazhduan për javë rresht dhe nuk u krye asnjë ndërhyrje.

    Megjithatë, duke qenë plotësisht dakord me njoftimet e Kryeministrit, lidhur me globin që ka marrë flakë, problemi nuk qëndron thjesht në faktin se kudo ka zjarre, por në aspektin se sa emergjente janë shërbimet tona të emergjencës. Sa të gatshme janë të gjitha nivelet e qeverisjes për të përballuar situatën. Pa folur këtu për pajisjet e duhura. Të dyja problemet janë bërë gjerësisht të pranishme në media.

    Çfarë ka ndodhur sivjet me qeverisjen, ndryshe nga fatkeqësitë e tjera natyrore të viteve të mëparshme? As Kryeministri nuk u duk gjëkundi. As ministri i Brendshëm nuk e prishi terezinë e pushimeve. Dhe të mendosh që pak kohë më parë një deputete socialiste e sapozgjedhur e Shkodrës u bëri thirrje tifozëve shkodranë t’ia dinë për nder Kryeministrit që në kushtet e Covid-it hapi dyert e stadiumit për tifozët në fjalë. Një Kryeministër që para ekranit ndodhet kudo, vendos për gjithçka, këtë radhë nuk e bëri qejfin qeder për të marrë kamerat e për të dalë në ballë të punëve, por preferoi të vazhdojë të marrë abronzaturën e rrezeve të arta të diellit magjepsës jonian.

    Përgjigjja është e thjeshtë: këtë radhë nuk kishte asnjë gjë me interes për të përfituar politikisht. Zgjedhjet sapo kanë mbaruar dhe gjithë të mëdhenjtë e majtë janë në procesin e tretjes së fitores. Kur të vijë radha pasuese e zgjedhjeve do të ketë përmbytje të tjera e po ashtu zjarre. Do të ketë plot raste më vonë për të qenë pranë popullit, llërëpërveshur para kamerave, të shqetësuar, por sidomos të vrenjtuar duke fërkuar fytyrën me duar për bëmat e paraardhësve. Ndërsa tani duhet shijuar fitorja elektorale aq relaksuese buzë detit po aq relaksues si fitorja.

    Edhe kreu i Emergjencave po kështu mendoi për një moment deri sa disa ditë më pas, kur zjarret kishin marrë dhenë, edhe ai gjeti ca kamera dhe para tyre, me ton të prerë dhe në mënyrë mjaft operative, filloi t’u japë urdhra disa qyqarëve aty pranë për të marrë kazma, lopata, motosharra për të kufizuar zjarret. Menaxhim ky tipik sipas vargjeve folklorike të zonës:

    “Por me se lëfojnë vallë? Me sëpata e me hanxharë, dyfekun lidhur me gjalm e mbajnë”

    Madje ai përmendi edhe Zotin për të drejtën e tij të kishte ca ditë pushim për një sebep.

    Nëse një qëndrim i tillë i kreut të Emergjencave apo edhe indiferenca e pjesës tjetër të qeverisë do të ndodhte pas ditëve të tërmetit, burgu do të ishte si një lule për të gjithë. Tërmeti i marsit 2020 ishte po ashtu një tragjedi, pavarësisht se jo me përmasat e zjarrit, por ai gjeti rastin dhe e shkundi vendin në një kohë tepër të papërshtatshme. Pak para zgjedhjeve. Ndaj dhe askush nga qeveria nuk përtoi të dalë para kamerave. Sidomos Kryeministri që mori rrugën deri në Torino për të takuar Ronaldon bashkë me dy fëmijë.

    E megjithatë edhe në atë kohë Emergjencat e vendit tonë u kritikuan si dhe sot për mungesë pajisjesh. Por para kamerave, kjo qeveri është në gjendje t’i sjellë secilit prej nesh gjithë botën në duar. Nuk vonoi dhe pak më pas kudo në median vizive u paraqit si lajmi më kryesor zhvillimi i një konference vizualisht mbresëlënëse lidhur me vizionin qeveritar të modernizimit bashkëkohor e sidomos të pandalshëm të Emergjencave civile të Shqipërisë. Gjithçka mbeti virtuale, sepse ndërkohë zgjedhjet sapo mbaruan. Populli nuk ka nevojë as për propagandë të talentuar tani.

    Në konferencën e Shkupit lidhur me “Ballkanin e Hapur”, Kryeministri tha se Serbia ishte e para që mbërriti në Durrës për të na ndihmuar kur ra tërmeti. Janë të shumtë ata që e dinin se ishin emergjencat kosovare ato që mbërritën të parat. Por edhe në mos të parat, ç’rëndësi ka. Ky moment është mjaft emocionues edhe për një individ të vakët në ndjesitë e tij kombëtare, sepse është ndihma e parë që Kosova si shtet i dha Shqipërisë. Pra, ishte shteti i Kosovës në krah të shqiptarëve. Por ky fakt u anashkalua. Smirë ndaj shtetit të ri, apo ndryshim strategjik i politikës rajonale të qeverisë sonë? Apo inat ballkanik, sepse Kosova “guxoi” të dalë jashtë paternitetit të politikës së Tiranës dhe të kundërshtojë nismën e “Ballkanit të Hapur”, duke i prishur liderit tonë imazhin e një lideri me përmasa rajonale?

    Nuk kaloi shumë kohë dhe mosmirënjohja qeveritare me rastin e tërmetit këtë herë i ka lënë radhën banalitetit të ndonjë figure periferike, e cila me një mënyrë të pafalshme arrin e të deklarojë se “kur erdhi ndihma nga Kosova, ne e kishim neutralizuar, në vatrat e tjera duhet helikopter”. Edhe nëse kjo gjë është e vërtetë, nuk duhej shprehur një falënderim? Një fjalë e mirë? Emergjencat kosovare mbërritën në vendin tonë kot se nuk kishin ç’të bënin në vendin e tyre dhe thanë të dilnin një herë këtej nga Shqipëria apo i thirrëm ne për ndihmë? Nuk ka një fjalë falënderimi për gatishmërinë?

    Edhe sot, si një vit më parë, emergjencat e vendit tonë nuk arritën dot të bëhen emergjente./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Cilat janë vendet që kërcënohen me zhdukje për shkak të ndryshimit të klimës?!

    Lajmi i rradhës

    Pse shumica e shqiptarëve e shohin me dylbi drejtësinë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë