Janë të pavërteta pretendimet se vaksina shkakton modifikim gjenetik

    Dezinformimi në rrjetet sociale vazhdon të mbetet në nivel shqetësues. Shpërndarja e një informacion të pavërtetë ose të pa-verifikuar cenon të drejtën e tyre për tu informuar në mënyrë të drejtë dhe korrekte. Shembull konkret i këtij fenomeni është edhe përmbajtja që recensojmë më poshtë.  

    Mjekët Gjermanë Alarmojne: ‘Zgjohuni Veproni’ Mos Pran.oni Të V Aksin,oheni, Ja Çfarë Fshihet..! është titulli që dezinfromon. Përmbajtja me titull bombastik fillimisht është publikuar në një portal me emrin “Drejtpërdrejt”, ndërsa më pas është shpërndarë në “Facebook” nga një faqe me emrin “Ndëgjo Kuran- Shqip“. Është mjaftë shqetësues interaksioni që ky postim ka marr në rrjetet sociale, vetëm në pak ditë postimi është pëlqyer nga 1300 persona, është komentuar nga mbi 300 persona dhe është shpërndarë nga 670 përdorues tjerë të “Facebook”.

    Edhe përkundër titullit sensacional, me disa pretendime shqetësuese, teksti i përmbajtës që dezinformon është shumë i varfër me “informacion” dhe shumë vështirë për tu kuptuar si pasojë e mangësive drejtshkrimore e gramatikore. Në paragrafin e parë, përmbajtja pretendon se ka një numër të madh ekspertësh në botë të cilëve media nuk u jep hapësirë, megjithatë lexuesit nuk i ofrohet as edhe një emër nga këto “ekspertë të shumtë” të anashkaluar nga mediat.

    Në paragrafin e dytë pretendohet se vaksina do të ndikojë në ndryshimin e ADN-së. Në një mënyrë të paqartë thuhet se vaksina “nuk do të jetë e dëmshme vetëm për 700 mijë raste por shumëfish më shumë nga rastet që deklaron Gates”!

    Më poshtë autori i përmbajtjes na flet për dy ekspertë të cilët nuk ngurojnë të shprehen haptas kundër vaksinës, megjithatë përmendet vetëm emri i një mjeku gjerman, Uolfgang Uodrad.

    “Ja dy shembuj, të dy eksp ertëve që reagojnë dhe nuk ngurojnë të shprehen hapur:

    Mjeku Wolfgang Wodarg është një specialit i mushkërive, kreu i Departamentit të Shëndetit Publik për shumë vite në Gjermani, Anëtar i Bundestag-ut Gjerman prej vitit 1994 deri në vitin 2009, për një kohë të gjatë Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Bundestag-un gjerman, iniciator i “Komitetit të Investigimit të Gripit Swine”. Si mjek dhe si politikan i çështjeve të shëndetit ai thotë: “Kjo vaksinë gjenetikisht vendos në alert personin e vaksinuar. Jemi të shqetësuar për bimët e modifikuara gjenetikisht, edhe për kafshët e modifikuara. Tani më, jemi ne njerëzit që duhet të mofidikohemi gjenetikisht nga ky vaksinim.

    A mundet të shkaktojë vaksina modifikim gjenetik?

    Shkencëtarët thonë se është i pavërtetë pretendimi se vaksina anti-COVID shkakton modifikim gjenetik tek njeriu. Këto vaksina janë dizajnuar që ti stimulojnë proteinat të krijojnë përgjigje imunitare kundër COVID-19, duke përdorur gjene të virusit. Ekspertë botëror deklarojnë për Reuters se teoria në fjalë është një mit që përhapet në të gjithë botën nga aktivistë të anti-vaksinimit me qëllim që të krijohet konfizion në opinion:

    “Modifikimi gjenetik do të përfshinte futjen e qëllimshme të ADN-së së huaj në bërthamën e një qelize njerëzore, vaksinat nuk e bëjnë këtë gjë. Vaksinat funksionojnë duke trajnuar sistemin imunitar për të njohur një patogjen kur përpiqet të infektojë trupin – kjo bëhet kryesisht nga injektimi i antigjeneve virale ose viruseve të dobëta të gjallë që stimulojnë një përgjigje imune përmes prodhimit të antitrupave. ADN-ja [në vaksinat e ADN-së] nuk integrohet në bërthamën qelizore kështu që ky nuk është modifikim gjenetik”-  shpjegon Mark Lynas nga grupi “Aleanca për Shkencën” në Universitetin Cornell.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ADN vaksina përfshin futjen e saj drejtpërdrejtë në indet e përshtatshme të një plazmidi që përmban sekuencën e ADN-së, e cila kodifikon antigjenin (et) kundër të cilave kërkohet një përgjigje imune. Pra, me fjalë tjera një vaksinë e ADN-së përfshin injektimin e një pjese të vogël të kodit gjenetik të virusit (ADN ose ARN) për të stimuluar përgjigjen imune në një pacient pa infeksion.

    Kjo procedurë nuk krijon një organizëm të modifikuar gjenetikisht, të cilin Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) e përcakton si “një organizëm në të cilin një ose më shumë gjene ( transgene) janë futur në materialin e tij gjenetik nga një organizëm tjetër duke përdorur teknologjinë e ADN-së rekombinante”.

    Vaksinimi është një nga mënyrat më efektive për parandalimin e sëmundjeve. Vaksina i ndihmon sistemit imunitar që ti njoh dhe ti luftojë patogjenët (faktorët që shkaktojnë sëmundje) si viruset ose bakteret. Nuk është hera e parë që populli në mbarë botën vaksinohet për të mbrojtur nga një sëmundje. Dimë historikisht se njerëzit ndër vite janë përballur me pandemi të ndryshme dhe vaksina ka qenë zgjidhje.

    Duhet theksuar se imunizimi është një histori globale e suksesit për shëndetin dhe zhvillimin, duke shpëtuar miliona jetë çdo vit. Vaksinat zvogëlojnë rrezikun e marrjes së një sëmundjeje duke punuar me mbrojtjet natyrore të trupit tuaj për të krijuar mbrojtje.

    Kur merrni një vaksinë, sistemi juaj imunitar përgjigjet. Sot kemi vaksina për të parandaluar më shumë se 20 sëmundje kërcënuese për jetën, duke ndihmuar njerëzit e të gjitha moshave të jetojnë jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Aktualisht imunizimi parandalon 2-3 milionë vdekje çdo vit nga sëmundje si difteria, tetanozi, pertusis, gripi dhe fruthi. Bëjnë të ditur fakte të OBSH-së.

    Kush është mjeku gjerman Uolfgang Uodrag?

    Është e vërtetë se Uolfgang Uourd është mjek dhe politikan i cili praktikën mjekësore e ka braktisur në vitin 1994, madje është një figurë mjaftë prezente në media. Ai me theks të veçantë u bë i njohur gjatë diskutimit publik rreth pandemisë COVID-19 kur argumentoi se SARS-CoV-2 ishte vetëm një nga shumë viruse të parëndësishme i cili vetëm shkakton infeksione sezonale të frymëmarrjes. Vëmendje të madhe të opinionit publik, Uolfgang Uodrag  bashkë me një ish punonjës të kompanisë Pfizer, tërhoqi dhjetorin e vitit të kaluar kur përhapën teorinë se vaksina anti-COVID do të shkaktojë sterilitet tek femrat. Kjo teori u mohua nga shkencaëtarët tjerë megjithatë shumë njerëz u ndikuan nga këto komente dhe frikësoheshin të vaksinohen. Tash pas gati një viti, me fakte reale kjo teori spekuluese ra poshtë, ka një numër të madh grash të cilat kanë mbetur shtatzëna dhe kanë lindur edhe pasi janë vaksinuar.

    Uolfgang Uodrag njihet dhe për komente tjera kontroverse rreth pandemisë COVID-19. komente të cilat u kritikuan ashpër nga komuniteti i shkencëtarëve, politikanët dhe mediat. Sipas kritikëve, pretendimet e Uodarg binin në kundërshtim me faktet e verifikueshme. Disa nga deklaratat e tij nuk kishin asnjë bazë verifikuese dhe shpesh faktet e paraqitura nga Uodarg nuk kishin asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

    Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

    Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

    Lajmi Paraprak

    Ndarja e ministrive në RMV ka nxitur debate, por edhe gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale

    Lajmi i rradhës

    Osmani: Bullgaria tashmë ka qeveri, janari mundësi për zgjidhjen e kontestit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë