Autizmi, injoranca, keqkuptimet dhe mungesa e shqetësimit shoqëror

    Autizmi është çrregullim zhvillimor, mjaft i përhapur, i cili tek shumica e personave të tillë vazhdon edhe në moshën madhore. Është konsideruar si çrregullim psikiatrik respektivisht emocional.

    Prof. ass. Ardita A. Devolli, dr. sci.
    Logopede

    Në mesin e 10.000 fëmijëve, 4 deri 5 fëmijë atakohen nga autizmi, dhe atë më shumë meshkuj se sa femra. Rastet e autizmit tek femrat janë më të rënda. Disa fëmijë reflektojnë vetëm sjellje autistike. Autizmi shpesh ndërlidhet me retardimin mental.

    Çrregullimet e komunikimit janë karakteristika të rëndësishme të autizmit. Në përgjithësi, mungesa e interesimit ndaj njerëzve dhe komunikimit janë karakteristika dominuese.

    Sa i përket faktorëve etiologjik, autorët e ndryshëm kanë dhënë teori të ndryshme të cilat ende plotësisht nuk janë të përkrahura. Sipas tyre etiologjia e autizmit është: e panjohur; e ndikuar nga faktorët gjenetik; me bazë neurologjike.

    Karakteristikat e autizmit janë:

    – paraqitja e shenjave të para autistike përgjatë foshnjërisë apo fëmijërisë;
    – komunikimi pa ndjenja apo emocione me njerëzit tjerë;
    – mosinteresimi për ndjenjat e të tjerëve;
    – mosinteresimi për zërin e nënës apo të kujdestares;
    – kërkimi i shkallës jashtëzakonisht të lartë të komoditetit gjatë sëmurjes;
    – mungesa e lojës apo loja bizare;
    – mosinteresimi për shokët dhe për kontakte njerëzore;
    – mungesa e interesimit për lojë imagjinare;
    – lëvizjet stereotipie të trupit (p.sh. përkundja e pafund);
    – preokupimi me pjesët e objekteve apo të trupit;
    – insistimi në rregullin e njëjtë të jetës tërë kohën;
    – këmbëngulja në një apo dy aktivitete;
    – parapëlqimi i të mbeturit vetëm;
    – parapëlqimi i zërit mekanik (i pa interesuar për zërin njerëzor);
    – ngurrimi nga përqafimi, shtrëngimi apo prekja;
    – prania e sjelljeve vet-lënduese, tek disa fëmijë;
    – prezenca e talenteve të jashtëzakonshme në matematikë dhe muzikë, tek disa fëmijë.

    Çrregullimet e të komunikuarit që ndërlidhen me autizmin janë:

    – mosinteresimi për komunikim;
    – mungesa apo varfëria e përgjigjeve përgjatë të folurit;
    – përvetësimi më i vonshëm i tingujve foljorë;
    – disa çrregullime të artikulimit;
    – përgjigje më të mira përgjatë tingujve të pastër se sa stimuluesve të folurit;
    – mosinteresimi për pyetjet e parashtruara apo për tregimin e gjërave të emërtuara;
    – të folurit stereotip apo të pakuptimtë;
    – përvetësimi i ngadalshëm i të folurit;
    – mësimi më i lehtë i emrave të objekteve se sa i fjalëve që shprehin emocione apo ndjenja njerëzore;
    – mësimi më i lehtë dhe me i shpejtë i fjalëve konkrete se sa atyre abstrakte, ndonëse ndodh që disa autist ti përvetësojnë më shpejtë fjalët abstrakte;
    – të kuptuarit e ngushtë të fjalës (mungesë e të kuptuarit të gjeneralizuar);
    – mungesa e lidhjes së koncepteve (p.sh. paaftësia e lidhjes së fjalëve “gjilpëra” dhe “peri”);
    – humbja e përemrave;
    – prodhimi i fjalëve të thjeshta dhe të shkurta;
    – strukturat e gabuara të sintaksës, duke përfshirë radhitjen e gabuar të fjalëve;
    – mungesa e morfemave gramatikore;
    – gjuha e papërshtatshme;
    – problemet pragmatike të gjuhës, duke përfshirë mungesën e kontaktit përmes syve, lëvizjeve të kokës si dhe e prezencën e vërtitjeve përgjatë konverzimit;
    – vështirësitë në të kuptuarit e gjuhës;
    – përsëritjet e pakuptimta të folurit e dëgjuar;
    – të folurit me intensitet të lartë dhe monoton;
    – eholalia (përsëritja e fjalëve të dëgjuara nga të tjerët).

    Objektivat e vlerësimit nga ana e logopedit kanë të bëjnë me vlerësimin e: çrregullimeve të komunikimit të ndërlidhura me autizmin; rrethit familjar me qëllim të përkrahjes së komunikimit; përparësive dhe dobësive të fëmijës.

    Mënyrat e trajtimit të personave me autizëm janë:

    – përdorimi i objekteve e jo i vizatimeve, si material stimulues;
    – mësimi i përmbajtjeve të ndryshme gjuhësore;
    – mësimi në mjedise të ndryshme;
    – reduktimi i eholalisë, apo i përsëritjes së fjalëve të dëgjuara nga të tjerët;
    – dhënia e trajtimit të drejtpërdrejt dhe intensiv;
    – përqendrimi i vëmendjes në gjeneralisimë;
    – mësimi i komunikimit joverbal, nëse është e domosdoshme;
    – bashkëpunimi i ngushtë me ekspertët tjerë dhe me anëtarët e familjes.

    Prognoza e rehabilitimit të personave me autizëm varet nga llojllojshmëria e sjelljeve autistike. Megjithatë, shumica e fëmijëve me autizëm përfiton nga rehabilitimi i tillë. 

    Lajmi Paraprak

    Elektranat shtetërore arsyetohen për parregullsitë e konstatuara në raportin e Revizionit Shtetëror

    Lajmi i rradhës

    PËRSHPEJTO IFTARIN

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë