Elektranat shtetërore arsyetohen për parregullsitë e konstatuara në raportin e Revizionit Shtetëror

    Elektranat shtetërore arsyetohen për parregullsitë e konstatuara në raportin e Revizionit Shtetëror. Nga EMV thanë se ky është raporti i parë i revizionit pas vitit 2007 dhe pretendimet në të kanë të bëjnë me projekte që zvarriten prej vitesh. Ka pasur edhe projekte nga ndarja e ESM-së së vjetër kur kompania drejtohej nga menaxherë të tjerë.

    “Bëhet fjalë për gjëra kumulative në një periudhë të gjatë kohore dhe projekte komplekse me implikime juridike dhe ekonomike dhe pengesa teknike që ndërlikojnë dhe ngadalësojnë nivelin e realizimit dhe përfundimit. Të njëjtit, shënohen si projekte të hapura në të gjitha raportet vjetore për funksionimin e SH.A EMV… “, thonë nga SH.A Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV).

    Revizioni në punën e Elektranave shtetërore zbuloi një sërë parregullsish ndërsa si person përgjegjës figuron drejtori aktual Vasko Kovaçevski. Për 9 vite EMV ka shpenzuar kot mbi 40 milionë euro për projekte që nuk funksionojnë dhe rreth 11 milionë për shërbime juridike. Alsat pyeti edhe Qeverinë se çfarë do të ndërmarrin si institucion me propozimin e të cilit Kovaçevski u bë drejtor i EMV-së.

    “Pasi raporti të jetë në procedurë qeveritare do të shqyrtohet në seancë. Në varësi të rekomandimeve në raport, Qeveria do të veprojë në përputhje me rrethanat … “, thonë nga Qeveria.

    EMV më shumë para ka dhënë për gjoja modernizimin e Bllokut të parë në Kombinatin energjetik “TEC MAnastiri”.

    Për këtë janë paguar 21 milionë euro dhe që nga viti 2011 nuk ka pasur asgjë nga modernizimi. EMV ka investuar 21.5 milionë euro edhe në projekte të papërfunduara edhe në pajisje që nuk përdoren.

    Të tilla projekte janë hidrocentralet Boshkov Most dhe Llukovo Pole, të cilat janë ndërprerë, pastaj ndërtimi i objektit të ri administrativ të EMV, si dhe rikonstruksioni dhe zgjerimi i fasadës së objektit të vjetër.

    Revizioni gjithashtu ka konstatuar se ka mospërputhje në sasinë e mazutit të regjistruar në kontabilitet dhe atë të paraqitur në listat e regjistrimit, që është një diferencë që kalon një milion euro./ Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pushteti dhe opozita me akuza të ndërsjella, kush kujdeset më shumë për qytetarët në kohë krize

    Lajmi i rradhës

    Autizmi, injoranca, keqkuptimet dhe mungesa e shqetësimit shoqëror

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë