Një pritje që zgjati 20 vite më në fund përfundon me festë të madhe në Haraçinë. Shkëndija siguron ngjitjen në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut, pas një fitoreje të madhe ndaj Osogovës në ndeshjen vendimtare të balotazhit të zhvilluar në Kavadar.
Me shumë mund dhe sakrifice Shkëndija e Haraçinës ka realizuar ëndrrën duke u rikthyer aty ku e ka vendin – në Ligën e Dytë të futbollit vendor. Nën drejtimin e trajnerit Erkan Murseli, ekipi nga periferia e Shkupit tregoi karakter të fortë dhe shpirt gare, duke mposhtur Osogovën me rezultat 2:1 në një ndeshje plot intensitet dhe emocione.
Goli i parë erdhi me autor Aleksandar Gjorgjievskin, i cili i dha epërsi skuadrës kuqezinjve me një goditje precize, ndërsa më pas ishte Bujar Iljazi që vulosi fitoren me një tjetër realizim të bukur. Ky sukses shënon një kthesë historike për klubin nga Haraçina e Shkupit, i cili ka kaluar vite të tëra në ligat e ulëta, por që kurrë nuk e humbi shpresën për rikthim.
Shkëndija tashmë është gati për sfidat e reja në Ligën e Dytë, duke synuar që të ndërtojë një ekip të denjë për vazhdimësi dhe suksese të mëdha. Përveç Shkëndijës së Haraçinës, ngjitjen në Ligën e Dytë e siguruan gjithashtu edhe Slloga Vinica dhe Teteksi.