RAINHARD KLOUCEK
Kur nëna e shtatë fëmijëve (Ursula von der Leyen) u bë ministre për Çështjet e Familjes në qeverinë federale gjermane, shumë shpresonin për një politikë të orientuar drejt familjes. Më kot. Kur më vonë u ajo bë ministre e Mbrojtjes, sipas mandatit të dhënë asaj nga shefja e qeverisë, një ish-funksionare e rinisë komuniste në RDGJ (Merkel), ndodhi reduktimi pothuaj në zero i aftësisë operacionale të Bundeswehr-it (Forcat e Armatosura në Gjermani). Si shpërblim, ajo u emërua Presidente e Komisionit Evropian nga dy miqtë e Putinit, Angela Merkel dhe Viktor Orban – dhe shumë ndihmës të tjerë në parti politike të ndryshme. Duhet të ishte një Komision Europian gjeopolitik.
Ligji i Zinxhirit të Furnizimit, Green Deal dhe shumë masa të tjera burokratike dhe etatiste kanë çuar në një dobësim masiv të bazës industriale të Evropës. Qëllimi i taksonomisë të imponuar nga Komisioni ishte të diktonte se cilat investime janë të qëndrueshme dhe kështu t’i bënte të pamundura investimet e tjera. Presidentja e Komisionit ka luajtur një rol të madh në shkaktimin e dobësisë së Evropës, të cilën dobësi ajo tashti pretendon se dëshiron ta kapërcejë. Edhe tani, tre vjet pas fillimit të pushtimit shkatërrues të Ukrainës nga regjimi terrorist i Moskës, më shumë se dhjetë vjet pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, bankat, për shkak të rregulloreve të ndryshme të BE-së, kanë pengesa kur duan të financojnë industrinë e armatimit.
Kur dëgjon Ursula von der Leyen, teksa bën njoftime madhështore për mbështetjen e Ukrainës, për riindustrializimin e BEsë, për restaurimin e aftësive mbrojtëse të Evropës, të krijohet përshtypja se ajo nuk kishte të bënte fare me politikën e mëparshme të dobësimit dhe shkatërrimit të Evropës. Sigurisht, nuk është vetëm faji i znj. von der Leyen që Evropa është në këtë situatë. Praktikisht të gjitha qeveritë e vendeve të BE-së kanë gisht gjithashtu. Shumë nga këta shkatërrues të Evropës (qoftë qëllimisht, apo thjesht nga injoranca apo paaftësia) ende mbajnë ofiqe të rëndësishme. Do të duhen vite para se një brez i ri politikanësh të ketë një shans për të ndryshuar gjërat.
*Autori, President i Lëvizjes Paneuropiane në Austri
Shkrimi posaçërisht për gazetën “Panorama”