Tërstena: duhet disiplinë, suksesi nuk vjen brenda natës / Boll shpallëm heronj pa fitore!

    40 vjet më parë, kur ishte vetëm 19 vjeç, Shaban Tërstena fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Los Angjelos, në kategorinë 52 kg në mundje. Në vitin 1984 u shpall mundësi më i ri në botë që fitonte një medalje të artë olimpike, dhe sot e kësaj dite vazhdon ta mbajë këtë rekord.

    Për të kujtuar këtë fitore të madhe të tij, sportisti i shekullit, ditë më parë solli në Shkup një ekspozitë sportive me 40 fotografi nga ndeshjet që kanë shënjuar karrierën e tij.

    “Për t’u bërë kampion, duhet t’i mposhtni kampionët e mëdhenj”, kjo ka qenë motoja e cila e ka udhëhequr Tërstenën.

    Në një intervistë për Nistori-n, ai rrëfen mes të tjerash, për ëndrrën e madhe që kishte dikur, për vullnetin e hekurt, por ndau gjithashtu edhe zhgënjimet e tij.

    “Unë doja të bëhesha si Muhamed Ali, të bëhesha kampion sportiv, edhe pse isha i varfër, nuk kisha kushtet minimale dhe sakrifikoja shumë. Por ia dola, dhe jam krenar për arritjet dhe faktin që në piedestal është ngritur gjak arbëror. “ – thotë Tërstena.

    “Nuk jam i paarritshëm, e vërtetë që kam shumë medalje, por secili mund të arrijë sukses, jo vetëm në sport, por duhet disiplinë, pa vullnet, pa motiv, pa sakrificë, nuk mundet. Suksesi nuk vjen brenda natës, pa djersë! Nuk është e vështirë ti fitosh amerikanët, rusët dhe të tjerët. Kur unë fitova pa pasur kushtet minimale, edhe të tjerët munden, me punë dhe vullnet. Mos u dorëzoni, unë nuk u dorëzova. Nuk mora asgjë si këmbim, por vazhdova. I jam falënderues popullit tim në Maqedoni që dijnë të më vlerësojnë, përndryshe për Shqipërinë, për Kosovën, jam i panjohur”- shprehet Tërstena për Nistori-n.

    I pyetur për pjesëmarrjen e sportistëve të vendit tonë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, Tërstena shprehet i zhgënjyer dhe revoltuar me performancën e tyre. Nuk mund të shpallesh hero pa fitore, thotë ai.

    “Deri kur ky popull do të mashtrojë, që 34 vjet akoma nuk kemi norma olimpike. Vazhdojmë t’i shpallim heronj, edhe pse pa asnjë fitore, të ranguar të parafundit,vetëm sepse kanë marrë pjesë. Ky është turp i madh! Kosova për 12 vjet ka arritur 5 medalje olimpike,tre medalje të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë. Përveç kësaj kanë edhe 40 medalje botërore dhe evropiane, kjo është krenari. Duhet të përfundojë kjo gjë sepse nuk mund të jesh hero pa asnjë fitore, sepse harxhohen miliona para nga arka e popullit për sport. Faji është tek ata që udhëheqin, jo tek sportisti. Gjithmonë kemi pasur kampionë për pionerë, kadetë, ku janë ata talentë, ku janë medalistët, kanë ngelur nëpër rrugë, duhet të ketë komplet reformë dhe të vijnë në krye njerëz që ja duan të mirën vendit, popullit dhe sportit.”

    Gjatë karrierës së tij ai u përball në 741 ndeshje, fitoi 715 prej tyre dhe pësoi vetëm 26 humbje. Mori pjesë në 42 turne botërore, duke fituar 30 medalje të arta, 8 medalje evropiane, dy nga Kampionati Botëror, tre medalje ballkanike dhe tre medalje të arta nga Lojërat Mesdhetare.

    Lajmi Paraprak

    Shkupi vazhdon të jetë i mbuluar nga mbeturinat e pa transport publik!

    Lajmi i rradhës

    Si të eliminoni mykun në mënyrë natyrale në shtëpinë tuaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë