Tri klube të mëdha europiane deklarohen kundër Superligës

    Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mbi Superligën Evropiane nuk ka gjetur përkrahje nga të gjithë, pasi tashmë kanë filluar të dalin kundër idesë disa klube të mëdha evropiane.

    Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur që UEFA dhe FIFA kanë vepruar kundër ligjit kur ndaluan Superligën Evropiane dy vjet më parë, që do të thotë se është e hapur rruga për themelimin e një gare të re evropiane jashtë juridiksionit të organizatave kryesore të futbollit në botë.

    Megjithatë, me vendimin nuk është se janë pajtuar të gjithë dhe tashmë kanë dalë kundër formimit tri klube të mëdha evropiane si Bayern Munich, Manchester United dhe Atletico Madridit.

    Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në lidhje me Superligën, Jan Christian Dreesen, drejtor i Bayernit dhe Zëvendëskryetar i Shoqatës së Klubeve Evropiane u deklarua kundër idesë së Superligës.

    “Ne kemi marrë parasysh vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon qëndrimin e FC Bayern dhe ECA se një garë e tillë do të ishte një sulm ndaj rëndësisë së ligave kombëtare dhe strukturës së futbollit evropian. Bundesliga është themeli i FC Bayern, ashtu si të gjitha ligat kombëtare janë themeli i klubeve të tjera evropiane të futbollit. Prandaj është detyra jonë dhe bindja jonë e thellë t’i forcojmë, jo t’i dobësojmë. Ne jemi të përkushtuar edhe në garat evropiane të klubeve nën ombrellën e UEFA-s. Kështu që më lejoni ta bëj shumë të qartë edhe një herë se dera e Superligës mbetet e mbyllur në FC Bayern”, ka thënë Dreesen.

    Pas Bayernit, edhe klubi i madh anglez, Manchester Unitedi u deklarua kundër Superligës Evropiane.

    “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj pjesëmarrjes në garat e UEFA-s dhe bashkëpunimit pozitiv me UEFA-n, Ligën Premier dhe klubet e tjera përmes ECA-s për zhvillimin e vazhdueshëm të lojës evropiane”, thuhet në komunikatën e Unitedit.

    Klubi i tretë i madh evropian që mohoi përfshirjen në Superligën Evropiane është Atletico Madrid me anë të një komunikatë me tri pika kryesore.

    “1.Rezoluta në lidhje me kornizën për autorizimin paraprak të garave të tjera i referohet statuteve të vjetruara të UEFA-s që janë ndryshuar tashmë në qershor 2022”.

    “2.Shoqata Evropiane e Klubeve (ECA) dhe UEFA kanë krijuar një partneritet që e bën të pakuptimtë konsiderimin e UEFA-s si monopol. Nëpërmjet marrëveshjeve brenda kësaj sipërmarrjeje të përbashkët, klubet vendosin 50% për shitjen e të drejtave të sponsorizimit dhe televizionit, shpërndarjen e të ardhurave dhe formatet e konkurrencës”.

    “3.Komuniteti evropian i futbollit nuk e mbështet Superligën Evropiane. Superligën e kundërshtojnë Gjermania, Franca, Anglia, Italia, Spanja (përveç Real Madridit dhe Barcelonës) etj. Ne mbrojmë mbrojtjen e familjes më të gjerë të futbollit evropian, ruajtjen e ligave vendase dhe sigurimin e kualifikimit për garat evropiane përmes performancës në fushë çdo sezon”, thuhet në komunikatë. 

    Lajmi Paraprak

    Pesë kombinimet alarmante të ushqimeve dhe ilaçeve që duhet t’i shmangni

    Lajmi i rradhës

    Vuçiqi pretendon se “një vend i rëndësishëm” ndërhyri në zgjedhjet në Serbi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë