Fëmijëve u bën mirë loja në gjelbërim edhe në dimër, i mbron nga sëmundjet

    Në dimër është ftohtë dhe tundimi për të qëndruar në shtëpi dhe për t’i lënë fëmijët të luajnë në vapë dhe në ambiente të mbyllura bëhet i fortë. Ekziston edhe frika se mund të sëmuren dhe në kohë pandemie na tremb edhe një ftohje e thjeshtë ose një dhimbje fyti. Tashmë është vërtetuar shkencërisht e kundërta, përkatësisht se loja në natyrë jashtë, madje edhe në parqe dhe kopshte të qytetit, mund të ndihmojë edhe në forcimin e sistemit imunitar të fëmijëve.

    Më pak betonizim dhe më tepër gjelbërim

    Ky është rezultati i një studimi, të publikuar në revistën Science Advances, i kryer nga ekspertë të Universitetit të Helsinkit, i cili analizoi gjithsej 75 fëmijë të moshës nga tre deri në pesë vjeç, të regjistruar në dhjetë kopshte të ndryshme në Finlandë. “Literatura ekzistuese – shpjegon Aki Sinkkonen nga Universiteti i Helsinkit – mbështet hipotezën se jeta në qytet lidhet më lehtë me një sistem imunitar më të dobët, për shkak të ekspozimit më pak të shpeshtë ndaj mikrobiotës, gjë që mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të problemeve si p.sh. alergjitë, astma, ekzema, sëmundjet inflamatore të zorrëve, skleroza e shumëfishtë dhe diabeti i tipit 1”. Ekipi ka modifikuar hapësirat e lojës në natyrë të katër çerdheve në Finlandë, duke i bërë oborret e mbuluara më parë me beton, rërë ose zhavorr më të gjelbëruara dhe duke futur bar, shkurre, bimë të vogla dhe tokë natyrale. Për 28 ditë, nxënësit kaluan një orë e gjysmë çdo ditë në oborr duke luajtur dhe duke iu përkushtuar kopshtarisë.

    Ndryshon mikrobiotën

    “Fëmijët që luanin në gjelbërim – vazhdon eksperti – mbajtën një mikrobiotë më të larmishme të lëkurës dhe zorrëve, gjë që duket se kontribuon në rregullimin më të mirë të sistemit imunitar. Këto rezultate sugjerojnë se mbrojtja e trupit të fëmijëve që jetojnë në qytet mund të forcohet duke siguruar akses të përditshëm në hapësirat e gjelbra dhe këndet e lojërave”. Studimi zbuloi se ekspozimi ndaj mjedisit më natyror dhe ndaj tokës promovon rregullimin e sistemit imunitar, duke stimuluar rrugët imunoreguluese. “Ne u befasuam shumë nga këto të dhëna – thotë shkencëtari – pas vetëm 28 ditësh ndryshimi në përbërjen e mikrobiotës ishte i dukshëm. Unë besoj se studimi ynë mund të veprojë si një pararendës për praktikat e reja parandaluese të afta për të luftuar epidemitë e ardhshme të ndërmjetësuara nga imuniteti”.

    Komenti i imunologut

    “Unë mendoj se është një punë e mrekullueshme – komenton imunologu Graham Rook, në University College London – shumë nga shqetësimet që po rriten në popullatat urbane perëndimore janë për shkak të dështimit të mekanizmave që kontrollojnë sistemin imunitar dhe ky hulumtim tregon se ekspozimi e fëmijëve në një mjedis natyror biodiversal rrit disa biomarkera të mekanizmave thelbësorë të kontrollit. Autorët kanë arritur një rezultat të jashtëzakonshëm aplikimi”.

    Në vendin tonë, besimi (i gabuar) se i ftohti na sëmur është ende shumë i fortë. Në realitet, është saktësisht e kundërta: fëmijët që luajnë jashtë edhe në dimër (të mbuluar mirë sigurisht) janë më të shëndetshëm. Në fakt, nuk është i ftohti ai që të sëmur por viruset dhe bakteret që qarkullojnë dhe shumohen veçanërisht në mjedise të mbyllura dhe shumë të ngarkuara (kushdo që ka një fëmijë në çerdhe e di se çfarë do të thotë!). Pikërisht këtu falë teshtitjes, kollitjes dhe shkëmbimit të lëngjeve trupore si pështyma, mikrobet mund të kalojnë lehtësisht nga një person te tjetri./Pernenat/

    Lajmi Paraprak

    Faton Islami flet rreth platformës “Gley”: Të gjithë filmat shqiptarë dhe ndërkombëtarë në “Gley”

    Lajmi i rradhës

    LDK-ja del partia më e votuar në nivel vendi

    Lajme tjera

    Stresi nxit nepsin

    Stresi ose ankthi e nxisin njeriun ta shohë ushqimin si ngushëllim. Në shumë raste, ushqimi mund të ketë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë