Mendime në rrjedhën e jetës…

    Foto: News24 Albania

    Gjergj Meta

    Përfytyroni një takim të gjithfarëllojshëm njerëzish: një meshë, një falje në xhami, një ndeshje në stadium, një miting elektoral, një konferencë mbi ngrohjen globale fjala vjen etj. Thjesht një grup njerëzish të mbledhur tok për një qëllim çfarëdo: të rinj, gra, burra, fëmijë, pleq. Pavarësisht se për çfarë janë mbledhur, secili prej tyre sjell në atë vend historinë e tij, të kaluarën e tij, ngarkesat e së tashmes dhe shpresat e së ardhmes. Janë të gjithë të rrëmbyer nga përjetimet e tyre, nga vuajtjet dhe gëzimet, udhëkryqet në të cilat gjenden.

    Kur jam mbi altar apo përballë njerëzve duke udhëhequr meshën, shpesh mendoj se sa shumë lumenj njerëzorë janë mbledhur në atë moment aty, se sa jetë njerëzore janë bashkë dhe se si e gjitha kjo është jetë, jeta jonë. Mendoj se kushedi në sa fusha, kodra, shkrepa, kaskada, kanë kaluar ato lumenj për t’u mbledhur aty. Kushedi se sa kanë ecur natën, ditën, në shi e nën diellin përvëlues. Kushedi sa plehra e helme janë hedhur në rrjedhën e tyre pa pikë përgjegjësie; kushedi sa diga janë ndërtuar mbi to apo kushedi se si për një arsye a një tjetër iu është devijuar rrjedha. Por, në atë moment gjenden aty përpara meje, janë me mua e unë jam me to.

    Edhe unë vetë jam njëri prej lumenjve, me historinë time, me ngarkesat e rrjedhën time. Dhe, nuk ndihem vetëm. Sikur ta mendonim dhe ta përjetonim jetën sadopak kështu do të mateshim shumë para se të gjykonim, paragjykonim apo përçmonim jetën e tjetrit. Nuk do të hidhnim rrjeta dhe dogma “morale” njësoj për të gjithë. Ashtu sikur dëshirojmë delikatesën e të tjerëve ndaj nesh, ashtu edhe do ta ushtronim ndaj të tjerëve.

    Po ashtu asnjëri prej nesh nuk do të ndihej vetëm, por bashkë me të tjerët, edhe në çastet më të rrëmbyeshme, më të vështira apo edhe në ato më të lumturat.

    Gjithnjë e më shumë mendoj se ai/ajo, ata njerëz përballë meje janë të dashur prej Zotit pafundësisht, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, nga bindjet e tyre, nga ajo çfarë kanë bërë apo cilit besim i përkasin, çfarë orientimi seksual kanë e çfarë mendojnë për ngrohjen globale. Zoti thjesht i do pafundësisht!

    Ajo jetë që gjendet për pak çaste aty, e mbledhur tok, na çon drejt horizontesh të tjera, kontekstesh, jetësh e universesh të tjera. Nga aty, nga ajo botë e jetës, nis sadopak një reflektim i cili nuk mbaron kurrë, por përtërihet çdo herë që përballë teje gjendet një jetë, një jetë çfarëdo, e kujtdo, thjesht një jetë.

    E mandej shikon se sa i/e vogël je dhe se si ajo jetë e madhe të përpin në pafundësinë e saj, të përqafon ashtu sikur universi përqafon galaksitë e planetet …

    Lajmi Paraprak

    Kasami thotë se Lëvizja Besa është e hapur për koalicion me partitë shqiptare për zgjedhjet lokale

    Lajmi i rradhës

    Xhaka largohet nga Arsenali?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë