Enisa Elezi Hamiti
Psikologe, psikoterapiste në edukim
“Merre kohën e nevojshme për veten”, ishte fjalia që më qendërzoi, më vuri me këmbë në tokë për të parë fillimisht veten, për ta njohur dhe pranuar ashtu siç është. Kjo ishte fjalia që u vendos në grep për të peshkuar tërë copëzat e mia të cilat gjatë vrapimit jetësor vetëdijshëm e pavetëdijshëm i kisha hedhur e shpërndarë gjithandej.
“Merre kohën e nevojshme për veten”, ishte fjalia që doli nga goja e trajneres time psikoterapeute, e cila më konfirmoi që psikoterapia gestalt ishte qasja apo drejtimi i duhur që do ndiqja në studime, studim ky që e kisha vendos në pritje për të bërë më të mirën e mundshme. Ishte pikërisht kjo përvoja që më vonë më dha mësimin më të rëndësishëm se asgjë nuk ndodh rastësisht dhe gjithçka ndodh në kohën dhe momentin e duhur, mësime të cilat fetarisht i dija, por që nuk arrija t’i ndjeja.
Kështu në këtë rrugëtim fillohet me procesin e vetëzhvillimit psikoterapeutik, rrugë jo e lehtë, me eksplorim të tërë ndjesive e përjetimeve, ndarje e tyre dhe pranim. Ky rrugëtim në vetëzhvillim është rrugëtimi më i bukur dhe investimi më i dobishëm që kam realizuar, sepse aty mori kuptim shumëçka, aty u krijua hapësirë për të ndjekur dhe vazhduar edukimin dhe më tutje që të mund të jem në shërbim të tjetrit.
Meqë jemi në muajin e Ramazanit, ajo që dua të ndaj ka të bëjë me njërin nga shumë kuptimet e arrira përmes vetëzhvillimit, e ai është qartësimi dhe kuptimi i besimit dhe fesë sime.
Në librin e shenjtë Kuranin, kemi shumë vargje, të cilat na ftojnë ne të hulumtojmë mbi veten tonë, të njohim veten tonë që të arrijmë deri te njohja e Zotit. Nga ana tjetër njohja e vetes është njëri nga qëllimet kryesore të psikoterapisë: të njohim veten do të thotë të njohim anët tona të forta dhe të dobëta, t’i njohim ndjesitë tona, mendimet, kapacitetin tonë që posedojmë, t’i pranojmë të njejtat dhe t’i vendosim në shërbimin tonë me qëllim që të jetojmë jetën plotësisht, me çdo përvojë që ajo sjell. Kur ne do të arrijmë ta njohim veten do të thotë që do ta arrijmë dhe ta kuptojmë veten, e rrjedhimisht do arrijmë të shfaqim më shumë mirëkuptim për tjetrin, më shumë pranim të tjetrit e kështu i krijojmë bazat për një shoqëri më tolerante, për një shoqëri me më pak paragjykime, më pak fajësim e më pak zili.
A nuk është pikërisht kjo ajo që feja na mëson se shoqëria do ndryshoj kur do të ndryshoj individi?
Megjithatë ku qëndron problemi që ne nuk arrijmë ta përvetësojmë këtë mësim fetar apo që nuk arrijmë të trokasim te dera e psikologut/psikoterapistit për të njohur veten, për t’ia mundësuar vetes të jemi versioni më i mirë? A thua vallë skemi kapacitet për t’u përballur me veten?
Unë mendoj jo që skemi kapacitet, por ne ngurojmë ta njohim kapacitetin që kemi, e një nga arsyet është se jemi të zënë me të jetuarit e jetës së lumtur, gjegjësisht iluzionin e jetës së lumtur, e cila promovohet çdo ditë e më shumë në mediat sociale. Ne garojmë se cili do ta injorojë ‘përvojën negative’ më shumë dhe do të arrijë të tregojë se jeton jetën i përsosur. Duke vrapuar pas kësaj lloj jete ku nuk është fokusi te përjetimi, por vetëm tek imitimi, ne zhytemi në botën e shqetësimeve psikologjike, të cilat dijnë të shfaqen edhe në formën e sëmundjeve psikosomatike.
Kur arrijmë në këtë nivel, ne vendosim të durojmë, sepse të kërkosh ndihmë për gjëra të tilla – gjykohesh se ‘të kan vrarë të mirat’, andaj durojmë duke e ngushëlluar veten se gjithçka që ‘është shkruaj nga Zoti’ duhet ta mbajmë, duke u zhytur edhe më thellë te shqetësimet psikologjike. Nga kjo gjendje lind pyetja: cili është Ai Zot që dëshiron ta shohë krijesën e vet duke vuajtur? Apo mos vallë ne nuk arrijmë ta përjetojmë mëshirën e Zotit? Ose nuk arrijmë ta shohim atë edhe në forma tjera si shqetësimi apo dhimbja? Të gjitha këto sinjale të shqetësimeve psikologjike na vijnë për të na treguar se dikund e ngatërruam kthesën, apo për të na vetëdijsuar se në atë moment të caktuar jetësor ajo ishte kthesa më e përshtatëshme e që nuk do të thotë të vazhdojë gjithë jetën i njëjti drejtim. Këto situata jetësore na ftojnë që ne t’i hapim sytë për të parë dhe kthesat tjera, mundësitë tjera, po edhe për të lënë diçka që vazhdojmë ta mbajmë si ngarkesë te vetja gjatë jetës. Të thellohemi në reflektim të këtyre situatave ne nuk gjejm gjë tjetër veç se mëshirë të Zotit i cili na fton të kthehemi te vetja, tek autenticiteti ynë. Feja dhe besimi ynë na mëson se ne skemi pse tentojmë të marrim rolin e Zotit, për të gjykuar se sprova e caktuar na ka ardhur si dënim apo si shpërblim, por të mundohemi që çdo sprovë ta shfrytëzojmë si mjet për të arritur kuptim dhe njohje. Ky aspekt fuqishëm mbështetet nga psikoterapia ku individi shihet si tërësi dhe tentohet të njihet, të pranohet ashtu siç është, e në asnjë mënyrë të gjykohet si ka mund të jetë jeta e individit apo vet ai.
Rëndësia e të kërkuarit ndihmë, përputhet shumë bukur me mesazhin që Muhamedi a.s na mëson përmes këshillës që ia ka dhënë njeriut që së pari të lidh devenë e pastaj të mbështetet te Zoti. ‘Lidhja e devesë’ nënkupton që kërkimi i ndihmës nuk është turp, por është ibadet (adhurim), ai na fton që te ne të nxitet veprimi, përgjegjësia për veprimet personale, e vetëdijësimi për marrjen e përgjegjësisë për veprimet personale është thelbi i ndryshimit në psikoterapi.
Kështu që kur do jemi pjesë e njohjes dhe dhënies kuptim të asaj që na ka ngjarë në jetë, apo ndjesisë që na jep në momentin e tanishëm, e kur nga ky kombinim do krijojmë ‘hartën’ e cila do na ndihmojë si më sigurtë ta shkelim rrugën e së ardhmes, atëherë do ndiejmë mirënjohjen për gjithçka që na ka ndodhur, mirënjohjen për atë që thjesht jemi, mirënjohje për frymën që kemi, duke krijuar hapësirë për të ndier mëshirën e Zotit.
Muaji i Ramazanit gjithashtu na afron këtë ndjesi dhe kjo vërehet nga shumica duke thënë se vërtetë ky muaj është ndryshe në krahasim me muajt e tjerë. Si e shpjegon psikologjia këtë ndryshim në përjetim? Pse është ndyshe? Listohen shumë arsye të cilat prezentohen në shumë shkrime mbi rëndësinë e agjërimit, por ajo që është më domethenëse për mua është të qenurit prezent me veten. Ne në këtë muaj jemi të fokusuar me tërë qenien tonë tek adhurimi bazë i këti muaji që është agjërimi, pra ne trajnojmë të dy komponentat fiziken dhe shpirtëroren. Këtë fokus të tërësishëm mundohemi ta realizojmë edhe në ritualet tjera si namazi, i cili është praktika më e bukur e përuljes dhe pranimit, si dhe leximi i Kuranit dhe kuptimi i tij, pra, gjithçka që bëjmë, e bëjmë me tërë qenien tonë, me qendërzimin maksimal të vetes për te fokusi kryesor kënaqësia e Zotit, e rrjedhimisht përfundojmë te kënaqësia shpirtërore e jona. Ky muaj është i tëri një vetëzhvillim gjigant që nuk ia vlen të kalohet vetëm në zbukurim tavolinash me ushqime të lloj llojshme dhe ekspozimin e tyre, por të thellohemi më shumë te vetja, te vlerat tona, te kuptimi i ritualeve dhe ndjesia që ato sjellin te ne. Ky është muaj i reflektimit, i pranimit dhe trajnimit të vetes për t’u bërë versioni më i mirë i asaj që jemi.
Nga tërë kjo shoh që vetëzhvillimi në psikoterapi ma konkretizon jetën, besimin gjegjësisht fenë Islame, i jep kuptim asaj dhe e lejon të shfaqet me tërë lehtësimet që ka, më ka ndihmuar që rigiditeti të marrë kuptim dhe t’i lërë vend fleksibilitetit, u ka dhënë kuptim veprimeve të mia të cilat dikur i kam bërë se ashtu DUHEJ ndërsa tani jam unë ajo që zgjedh çka dhe si DUA të veprojë, në mënyrë që dashuria ndaj Zotit të jetë udhëzuesi im në jetë e frikërespekti ndaj Zotit të jetë shoqëruesi im.
Kështu që rruga e vetënjohjes dhe rruga për te Zoti nuk janë aq të vështira sa të lihen pa mos i shkelur aspak, por nuk janë edhe të lehta sa që të kalohen me shpejtësi e pa fokus, sepse pikërisht janë ato që na ndihmojnë ta gjejmë harmoninë mes mendjes, trupit dhe shpirtit, e përmes kësaj harmonie do të arrijmë ta realizojmë qëllimin kryesor për të cilin ne si musliman frymojmë, e që është të qenurit mëkëmbës të Zotit në tokë.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.